Turqia dënon mosekstradimin e 8 puçistëve nga Greqia; rivlerësim i marrëdhënieve

Ministria turke e Punëve të Jashtme ka dënuar përmes një komunikate me shkrim refuzimin e ekstradimit të 8 puçistëve të arratisur në Greqi...

Turqia dënon mosekstradimin e 8 puçistëve nga Greqia; rivlerësim i marrëdhënieve

Turqia ka dënuar refuzimin e ekstradimit të 8 puçistëve të arratisur në Greqi.

Ministria turke e Punëve të Jashtme publikoi një komunikatë me shkrim rreth vendimit të Gjykatës së Lartë të Greqisë (Areios Pagos) për mos t’i dorëzuar Turqisë 8 ushtarakët puçistë, që u arratisën në Greqi pas tentativës së dështuar për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste guleniste (FETO).

Komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë rikujton se drejtësia greke ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e ushtarakëve puçistë, që kanë marrë pjesë direkt në tentativën për grusht shteti, ndërsa vijon me këto fjalë: “Protestojmë këtë vendim, i cili pengon nxjerrjen përpara Gjyqësorit të pavarur turk të këtyre personave, që kanë luajtur rol aktiv në një tentativë për grusht shteti duke shënjestruar rendin demokratik në Turqi, martirizuar 248 dhe plagosur 2 mijë e 193 qytetarë turq në radhët e forcave të sigurisë dhe civilëve, si dhe duke kërcënuar seriozisht jetën e Presidentit tonë të nderuar.”

“Përmes këtij vendimi të zyrtarëve grekë, që deri më sot kanë penguar llogaridhënien përpara drejtësisë të anëtarëve të organizatave terroriste, sidomos të DHKP/C-së dhe PKK-së, të cilat kanë në shënjestër Turqinë, është parë edhe një tjetër herë se Greqia, një vend fqinj dhe aleat, i bën bisht përmbushjes së kërkesave dhe përgjegjësive minimale në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, vijon komunikata e MPJ në Ankara.

Qëndrimi në fjalë i Gjyqësorit grek – thekson më tej komunikata – shkakton mosndëshkimin e kriminelëve dhe njëherësh shkeljen e të drejtave të personave të dëmtuar, në kundërvajtje me normat dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare.

“Si një vend i ballafaquar me puçe ushtarake në të kaluarën, Greqia, mjerisht, me këtë vendim ka rënë në pozitën e një shteti përkrahës dhe strehues të puçistëve”, nënvizohet mes të tjerash në komunikatën e Ministrisë së Jashtme turke.

Pasi tërheq vëmendjen se kundër vendimit në fjalë të Gjykatës së Lartë të Greqisë do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore të mundshme dhe do të vazhdohen nismat për ekstradimin dhe gjykimin e kriminelëve, komunikata me shkrim e MPJ turke përfundon me këto reshta: “Efektet e këtij vendimi, i cili mendojmë se është i motivuar politikisht, mbi marrëdhëniet tona dypalëshe, mbi bashkëpunimin tonë në luftën kundër terrorizmit dhe mbi projektet tona të përbashkëta në fusha të tjera bilaterale e rajonale, do t’i nënshtrohen gjithashtu një rivlerësimi tërësor.”



Lajme të ngjashme