Merkel në 2 shkurt vjen në Turqi

Kancelarja gjermane Angela Merkel në fillim të shkurtit (2 shkurt) do të realizojë një vizitë në Turqi, në fokus kriza e refugjatëve, antiterrorizmi dhe ekonomia.

Merkel në 2 shkurt vjen në Turqi

Disa nga pikat e agjendës së Merkelit janë zgjidhja e krizës së azilantëve, problemet rajonale, bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe ekonomia.

Në kuadër të vizitës parashikohet që Merkel të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeminsitrin Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım), dhe më pas të mbahet takimi ndërmjet delegacioneve nën drejtimin e dy kryeministrave.

Gjithashtu parashikohet që Merkel të pritet në takim edhe nga Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Bashkëpunimi për zgjidhjen e krizës së emigrantëve që zë vend të rëndësishëm në agjendën e takimeve të Angela Merkel, e cila do të kandidoje herë të 4-ët në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Gjermani në muajin shtator. 

Pavarësisht të gjitha kritikave deri më sot ajo ka mbrojtur politikën e dyerve të hapura ndaj emigrantëve dhe mbron idenë se zgjidhja e krizës së azilantëve është e mundur vetëm në bashkëpunim me Turqinë. Merkel synon që ti tregojë opinionit publik suksesin e kësaj politike. Kancelarja gjermane synon që sukseset e kësaj politike t’ia shpjegojë më mirë opinionit publik në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Një tjetër pikë e rëndësishme që pritet të trajtohet gjatë vizitës së kancelares gjermane është bashkëpunimi në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe antiterrorizmin.

Turqia kërkon veçanërisht hetimin e aktivitetit të organizatës separatiste terroriste PKK në Gjermani si dhe pengimin e aktivitetit propagandues dhe financiar të kësaj organizate.

Ndërkohë që Merkel do të jetë duke realizuar vizitën e saj në Ankara, në të njëjtën ditë do të vijë në Turqi edhe një delegacion gjerman i nivelit të lartë, i fokusuar në çështjet e sigurisë. Delegacioni në fjalë do të kryesohet nga Sekretarja e Shtetit në Ministrinë Federale të Brendshme të Gjermanisë, Dr. Emily Haber.

Në takimet e delegacionit të nivelit të lartë parashikohet të bisedohet për masat që do të merren reciprokisht në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.

Ndërkaq Turqia kërkon nga Berlini zyrtar që të hetojë edhe aktivitetin e Organizatës Terroriste Fetullahiste (FETO) në Gjermani dhe ekstradimin e anëtarëve të FETO-s, të cilët u arratisën në këtë vend pas tentativës së grushtit të shtetit në 15 korrik.

Gjatë vizitës së kancelares Merkel një vend të rëndësishëm do të zërë edhe çështja e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.

Gjatë kontakteve do të bisedohet edhe për problemet dhe pritshmëritë e investitorëve gjermanë në Turqi, që është një partneret tregtare më të mëdha të Gjermanisë. Në këtë aspekt do të jepen mesazhe për nxitjen e investimeve.



Lajme të ngjashme