Kiziltan: Vizita e Erdoganit në Mozambik, tepër e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe

Ambasadorja e Turqisë në Maputo, Zeynep Kiziltan, deklaroi të hënën se vizita e Presidentit Erdogan në Mozambik është tepër e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve...

Kiziltan: Vizita e Erdoganit në Mozambik, tepër e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe

Vizita në Mozambik e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të çelë horizonte të reja në marrëdhëniet dypalëshe.

Ambasadorja e Turqisë në Maputo, Zeynep Kiziltan, deklaroi të hënën se vizita e Presidentit Erdogan në Mozambik është tepër e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Diplomatja turke bëri vlerësime në lidhje me marrëdhëniet Turqi-Mozambik përpara vizitës zyrtare dyditore, që Presidenti Erdogan do të realizojë më 23 dhe 24 janar në këtë vend.

Në kuadër të politikave në lidhje me Partneritetin Afrikan – theksoi ambasadorja Kiziltan – Turqia i kushton rëndësi të madhe zhvillimet të marrëdhënieve bilaterale dhe të bashkëpunimit me vendet e këtij kontinenti dhe, në këtë kontekst, një shtysë e fuqishme kohëve të fundit është fituar gjithashtu në marrëdhëniet me Mozambikun.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Mozambiku ka një potencial të madh në zhvillimin e bashkëpunimit, sidomos në fusha si tregtia, bujqësia, energjia dhe turizmi; shefja e misionit diplomatik turk në Maputo shtoi se në të dyja vendet ka një vullnet politik të fuqishëm për diversifikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

“Mozambiku aspiron veçanërisht intensifikimin e kooperimit me Turqinë në energjetikë, bujqësi, turizëm dhe infrastrukturë, sektorë të cilët i ka përcaktuar si fusha parësore të zhvillimit dhe investimit. Mozambiku po ashtu ka shfaqur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më ngushtë gjithashtu në arsim, kulturë dhe shëndetësi. Edhe ne, si përfaqësues të Republikës së Turqisë, ndajmë të njëjtat prioritete me Mozambikun”, u shpreh ajo.

Republika e Mozambikut – vijoi Kiziltan – po bëhet gjithnjë e më e njohur në Turqi, prandaj rëndësi të veçantë u kushtojmë edhe organizimeve, të cilat mundësojnë takimin e biznesmenëve nga të dyja vendet.

Ambasadorja turke bëri me dije se gjatë kësaj jave, me rastin e vizitës së Presidentit Erdogan, në kryeqytetin e Mozambikut do të organizohet një forum biznesi.

“Ndërsa në muajin mars, sërish në Maputo, planifikohet që të zhvillohet një vizitë pune e një delegacioni të përzierë me pjesëmarrje të gjerë dhe një tjetër forum biznesi më gjithëpërfshirës. Falë këtyre planeve, ne besojmë se gjatë vitit 2017 vëmendja e biznesmenëve turq do të fokusohet më tepër në Mozambik dhe do të rriten ndjeshëm investimet turke në këtë vend”, shtoi ajo.

Më tej, ambasadorja Kiziltan njoftoi se autoriteteve zyrtare të këtij shteti u janë bërë paralajmërimet e nevojshme në lidhje me aktivitetet e organizatës terroriste guleniste (FETO) në Mozambik.

“Jemi në dijeni të pranisë së shkollave, firmave dhe shoqatave të FETO-s në Mozambik. Pas procesit të 17-25 dhjetorit 2013 dhe tradhtisë së manifestuar haptazi përmes tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016, me autoritetet e Mozambikut kemi ndarë dhe po vazhdojmë të ndajmë informacionet e nevojshme në lidhje me këtë çështje. Kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë paralajmërimet e nevojshme për të shkëputur çdolloj kontakti me kësisoj grupimesh dhe për t’u dhënë fund aktiviteteve të tyre në vend. Po shpjegojmë me evidenca se lidhjet e kësaj organizate, e cila përbën kërcënim për Turqinë, janë një element kërcënues edhe për një vend mik si Mozambiku”, nënvizoi ambasadorja turke në Maputo.

Në fund, pasi vuri në pah se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet Turqisë e Mozambikut po zhvillohen me shpejtësi në çdo fushë, Kiziltan shprehu besimin se autoritetet e këtij vendi afrikan do të bëjnë vlerësimet dhe lëvizjet e duhura për sa i takon FETO-s.



Lajme të ngjashme