Personeli mjekësor shqiptar për shërbimin e urgjencës trajnohet në Izmir të Turqisë

Trajnimi i 19 punonjësve të parë të shërbimit mjekësor të QKUM-së zgjati dy javë, nga data 8 janar deri në datën 21 janar 2017...

Personeli mjekësor shqiptar për shërbimin e urgjencës trajnohet në Izmir të Turqisë

Në kuadër të bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë të Shqipërisë, Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore të Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë, Urgjencës Mjekësore të Izmirit, Qendrës së Trajnimeve të Izmirit, u bë i mundur trajnimi i personelit mjekësor për Shërbimin e Urgjencës Mjekësore Paraspitalore.

Trajnimi i 19 punonjësve të parë të shërbimit mjekësor të QKUM-së zgjati dy javë, nga data 8 janar deri në datën 21 janar 2017. Në këtë trajnim u trajtuan tema të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me organizimin e sistemit të urgjencës në të gjitha nivelet, tipi i automjeteve të përdorura në këtë shërbim, mënyrën e organizimit, etj.

Temat kryesore që u trajtuan për fushën profesionale ishin të shumta, ndër të cilat i vlen të përmenden:

• Mënyra e alarmit.
• Trajtimi universal i arrestit kardiak.
• BLS-D (Mbajtja e parametrave jetësor dhe defibrilimi).
• ACLS (Manovrat e avancuara të trajtimit të urgjencave kardiake).
• Menaxhimi dhe trajtimi i pacientit kritik.
• Menaxhimi dhe trajtimi bazë dhe i avancuar i rrugëve të frymëmarrjes.
• Trajtimi i pacientit në aksidente rrugore, mobilizimi dhe zbatimi i protokolleve të traumës.
• Mënyra e veprimit dhe bashkëpunimit të shërbimit të urgjencës paraspitalore në rast eventi madhor dhe bashkëpunimi me shërbimet e tjera të urgjencës si policia dhe zjarrfikësja.
• Mënyra e veprimit dhe e koordinimit të ekipit në helikopter.
• Protokollet e veprimit të personelit mjekësor në helikopter.
• Transporti i pacientëve sipas tipit të mjetit të ndihmës së parë.
• Medikamentet e përdorimit në urgjencën paraspitalore.

Në të njëjtën mënyrë u trajtuan të gjitha argumentet e mësipërme për sa i përket urgjencave mjekësore pediatrike.

Ky trajnim do të vazhdojë me grupe të tjera të personelit mjekësor në këtë qendër me grupe heterogjene të spitaleve, me mjekë dhe infermierë të shërbimit paraspitalor.



Lajme të ngjashme