Prefekti i Stambollit: Autori i sulmit terrorist ndaj klubit të natës ka pranuar krimin

Abdulgadir Masharipov, vrasës i 39 personave në sulmin ndaj një klubi nate në Stamboll teksa festohej ndërrimi i viteve, është kapur të martën gjatë një operacioni kundër një celule të organizatës terroriste DAESH në lagjen Esenyurt...

istanbul valisi vasip şahin mak.jpg
Reina katili.jpg

Abdulgadir Masharipov, autor i vrasjes së 39 personave në sulmin ndaj një klubi nate në Stamboll teksa festohej ndërrimi i viteve, është kapur në orët e para të së martës gjatë një operacioni kundër një celule të organizatës terroriste DAESH në Esenyurt të metropolit më të madh turk.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se tashmë asnjë keqbërës nuk do të mund të shpëtojë pa u ndëshkuar në Turqi, por të gjithë kriminelët do të japin llogari brenda kufijve të shtetit ligjor.

“Kapja e terroristit autor të sulmit në Ortakoy është një manifestim i rëndësishëm i këtij koncepti të sigurisë”, tha Kreu i Shtetit të Turqisë gjatë fjalës së rastit në ceremoninë e përurimit kolektiv të zyrave të shërbimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, organizuar në Kompleksin Presidencial.

Ai gjithashtu falënderoi njësitë e inteligjencës dhe forcat e sigurisë, të cilat mundësuan kapjen e agresorit të sulmit në Reina, një klub nate nga më të famshmit në Stamboll.

Ndërsa Kryeministri Binali Yildirim, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), bëri me dije se terroristi autor i sulmit ndaj klubit të natës është ende duke u marrë në pyetje nga hetuesia dhe se janë zbuluar shumë detaje të ngjarjes.

“E rëndësishme është që autori i këtij sulmi të poshtër tashmë është kapur, por edhe që të zbulohen vullneti dhe të gjitha fuqitë, të cilat fshihen pas tij. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për ne”, u shpreh Kryeministri Yildirim në një prononcim për gazetarët, përpara mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv Qendror të Partisë AK në pushtet.

Prefekti i Stambollit, Vasip Sahin, në konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë së Stambollit, Musatafa Çaliskan, bëri me dije se Abdulgadir Masharipov, autor i sulmit terrorist me pasojë vdekjen e 39 personave në një klub nate në Ortakoy, ka pranuar krimin dhe si rezultat i hetimeve janë përputhur edhe shenjat e gishtave në vendngjarje.

Pasi theksoi se forcat e sigurisë kanë bërë një punë mjaft serioze dhe të ndërlikuar duke kapur në Esenyurt autorin e sulmit të urryer, Prefekti Sahin njoftoi se vrasësi, i lindur në Uzbekistan në vitin 1983, është një terrorist i trajnuar në Afganistan, njohës i 4 gjuhëve të huaja dhe me një përgatitje stërvitore mjaft të mirë.

“Së bashku me terroristin janë ndaluar gjithashtu një burrë me shtetësi irakiane dhe tri gra me shtetësi të ndryshe, që ka shumë gjasa të kenë lidhje me organizatën terroriste, pasi strehoheshin në të njëjtën banesë. Në operacion janë sekuestruar 197 mijë dollarë amerikanë, 2 pistoleta së bashku me karikatorët, 2 mjete ajrore të telekomanduara, 2 kartela SIM dhe shumë materiale të tjera”, sqaroi ai.

Guvernatori i Stambolli siguroi se tashmë është e qartë që sulmi është kryer në emër të organizatës terroriste DAESH.

Duke njoftuar se terroristi ka shumë mundësi që të ketë hyrë në Turqi ilegalisht gjatë muajit janar 2016, Vasip Sahin nënvizoi se “ka prova të forta se ai ka hyrë nga kufiri lindor vendit, megjithatë po hetohen të gjitha pistat e mundshme”.

“Në kuadër të këtyre hetimeve janë kryer operacione në gjithsej 152 adresa, ku si rezultat janë ndaluar 50 persona dhe arrestuar 2 prej tyre”, tha Presifekti Sahin dhe falënderoi forcat e sigurisë për këtë punë të mrekullueshme duke uruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë jo vetëm në Stamboll, por në asnjë qytet tjetër të Turqisë.



Lajme të ngjashme