Helikopteri ushtarak turk më 2018 do të jetë gati

Me një ceremoni organizuar në ambientet e fabrikës “Industria Turke e Aviacionit dhe Aeronautikës (TUSAS-TAI) në Ankara ka hyrë në inventarin e Forcave Tokësore Turke helikopteri i 19-të prodhim kombëtar i tipit ATAK.

644387
Helikopteri ushtarak turk më 2018 do të jetë gati

Helikopteri origjinal kombëtar që Turqia ka zhvilluar vet do të fluturojë më 6 shtator 2018.

Helikopteri i 19-të tip T-129 ATAK, i prodhuar me mundësitë vendore, iu dorëzua Forcave të Armatosura Turke me një ceremoni organizuar në ambientet e fabrikës “Industria Turke e Aviacionit dhe Aeronautikës (TUSAS-TAI) në Ankara.

Në fjalën që mbajti në këtë ceremoni Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Ëshëk (Fikri Işık) shprehu krenarinë që ndjen nga dorëzimi Komandës së Forcave Tokësore helikopterin e 19-të ATAK, ndërsa theksoi se projekti i zhvilluar me mundësitë kombëtare të Turqisë, i dizenjuar nga inxhinierët turq, vazhdon të përparojë me sukses.

Duke folur për veprat e rëndësishme që ka fituar Turqia si rezultat i punimeve vetëmohuese, ministri Ëshëk tha se varësia e jashtme e Forcave të Armatosura Turke është reduktuar në masë të rëndësishme.

“Projekti për prodhimin e helikopterit ATAK vazhdon me një sukses të madh. Do të punojmë edhe në drejtim të eksportit, në mënyrë që së shpejti helikopterët e tipit ATAK të futen edhe në përdorimin e forcave të armatosura të vendeve mike dhe aleate. Në lidhje me këtë ka kërkesa të rëndësishme. Dua të them se ky helikopter i ka kaluar me një sukses të madh edhe testet që janë bërë në vende të tjera”, u shpreh ministri Ëshëk.

Nga ana tjetër është arritur në pikën e prodhimit në seri të “Hürkuş”, i cili është një avion i stërvitjes themelore i gjeneratës së re”, - sqaroi ministri Ëshëk dhe vijoi: “Kemi filluar punimet për një “Hürkuş” që fluturon me armatim e municion. Synojmë që këtë lloj avioni t’ua dorëzojmë Forcave të Armatosura brenda vitit 2017”.

Në fjalën e tij Ëshëk u ndal edhe në Sistemin e Mjeteve Fluturuese pa Pilot, ANKA, duke e cilësuar këtë projekt si një nga projektet më krenare të Turqisë.

“Viti 2017 do të jetë një vit i rëndësishëm, ku ANKA e armatosur do t’u dorëzohet Forcave tona të Armatosura, policisë e xhandarmërisë tonë. Do të kemi edhe ANKA që fluturojnë të komanduara nga stacionet në tokë, edhe nga sateliti. Shpresojmë që këto t’ia dorëzojmë sa më shpejt Forcave tona të Armatosura”, - u shpreh ministri Ëshëk.

Turqia, - vijoi Ëshëk, - ka shënuar arritje të rëndësishme edhe në zhvillimin e helikopterit të saj origjinal.

“Në orën 06.00 të datës 6 shtator 2018 Turqia do të fluturojë helikopterin e saj origjinal, të cilin e ka zhvilluar me mundësitë kombëtare”, - shtoi ai.

TAI, i cili është kontraktori kryesor në lidhje me projektin e avionit kombëtar luftarak, vazhdon ti kryejë të gjitha punimet që kanë të bëjnë me infrastrukturën”, - deklaroi ministri Ëshëk dhe shtoi: “shpresojmë që në 100-vjetorin e republikës tonë (2023) të fluturojmë dhe avionin tonë luftarak kombëtar, i cili do të jetë i projektuar dhe zhvilluar nga inxhinierët turq”.



Lajme të ngjashme