Koment – Investimet infrastrukturore në Turqi dhe Tuneli Euroaziatik

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me investimet infrastrukturore në Turqi dhe Tunelin Euroaziatik, një projekt nëndetar që lidh me trafik rrugor brigjet evropiane dhe aziatike të Stambollit...

Koment – Investimet infrastrukturore në Turqi dhe Tuneli Euroaziatik
Tuneli Euroaziatik - Erdogan dhe Nishani pozojnë nën Bosfor
Tuneli Euroaziatik - Erdogan dhe Nishani pozojnë nën Bosfor

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë të martën në ceremoninë e inaugurimit të Tunelit Euroaziatik. Pas ceremonisë, kreu i shtetit turk, homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani dhe protokolli që i shoqëronte, kaluan me makina përtej tunelit rrugor në Bosfor.

Infrastruktura e zhvilluar e transportit vlerësohet si e rëndësishme veçanërisht për vendet në zhvillim duke qenë se garanton një kontribut madhor në progresin e tregtisë brenda vendit dhe e asaj ndërkombëtare. Si një ndër kriteret e para, që llogaritet nga sipërmarrësit e huaj për të ndërtuar fabrika apo për të realizuar investime direkte të tjera të ngjashme me këtë, infrastruktura e transportit renditet edhe në krye të investimeve infrastrukturore bazë, që vendet në zhvillim përpiqen të jetësojnë për të tërhequr më shumë investime. Infrastruktura e zhvilluar e transportit jo vetëm që redukton koston e produkteve dhe e shërbimeve të investitorëve, por edhe rrit fuqinë konkurruese të tyre. Sa më të avancuara të jenë investimet në rrugë, ura, viadukte dhe projekte infrastrukturore të tjera, aq më shumë rritet niveli i investimeve të realizuara nga sipërmarrësit vendas dhe ata të huaj, gjë kjo që kontribuon dukshëm në rritjen ekonomike të vendeve. Falë investimeve, rritje shënohet rrjedhimisht edhe në nivelin e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë. Ndërsa për të arritur objektivat e vitit 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, gjatë dekadës së fundit në vend po realizohen transformime strukturore kolosale me synimin e vetëm për t’u klasifikuar në mesin e 10 ekonomive më të fuqishme të globit. Një numër i madh projektesh dhe investimesh për të rritur prodhimin e brendshëm bruto (PBB), nivelin e eksporteve dhe atë të punësimit po vihen në zbatim jo vetëm nga sektori privat, por edhe nga ai publik.

Si një vend me vëllim tregtar madhor dhe me rëndësi gjeopolitike të jashtëzakonshme, që lidh me njëra-tjetrën Azinë dhe Evropën, Turqia ka përshpejtuar hovshëm investimet infrastrukturore. E pozicionuar prej shekujsh mbi itinerare tregtare strategjike, ku ia vlen të përmenden Rruga e Mëndafshit dhe Rruga e Erëzave, Turqia mbetet një nyjë e rëndësishme e tregtisë edhe në shekullin e 21-të. Zhvillimet në infrastrukturën e transportit janë një nga faktorët më të efektshëm në avancimin e tregtisë botërore dhe padyshim asaj turke. Në këtë kontekst, gjatë 20 viteve të fundit në vend janë përfunduar shumë projekte në lidhje me transportin rrugor, atë ajror, portet dhe rrjetin hekurudhor; ndërkohë që disa projekte të tjera janë në fazën përfundimtare. Përmes këtyre investimeve, Republika e Turqisë ka zhvilluar dukshëm infrastrukturën e transportit, ka siguruar vende të reja pune dhe ka përgatitur klimën e nevojshme për investimet e huaja direkte. Krahas projekteve për ndërtimin e rrjetit hekurudhor për trenat me shpejtësi të lartë, aeroportit të 3-të të Stambollit dhe urës së 3-të mbi Bosfor, të cilat i kemi trajtuar në artikujt tanë të mëhershëm, pak ditë më parë u përurua edhe projekti i Tunelit Euroaziatik (Avrasya Tuneli), i cili bashkon trafikun rrugor të brigjeve evropiane dhe aziatike të metropolit më të madh turk.

Inauguruar me pjesëmarrjen e Kreut të Shtetit, Recep Tayyip Erdogan, Kryeministrit Binali Yildirim dhe shumë autoriteteve të tjera të larta vendase e të huaja, Tuneli Euroaziatik është një nga investimet e fundit, tashmë operativ, në infrastrukturën e Turqisë në zhvillim. Falë këtij tuneli rrugor nën Ngushticën e Bosforit, pika më e thellë e të cilit është 106,5 m nën nivelin e detit, lidhja mes dy brigjeve të Stambollit do të realizohet për 15 minuta, nga 1 orë e 30 minuta deri në 2 orë në momente trafiku. Ai është gjithsej 5,4 km i gjatë dhe 3,4 km kalojnë nën det. Realizuar nga një konsorcium që bashkon grupin ndërtues privat turk “Yapi Merkezi” dhe koreanojugorin “SK Group”, projekti ka rezultuar një investim prej 4,5 miliardë lirash turke (TL) dhe parashikohet të kursejë rreth 160 milionë TL karburant në vit. Kështu ai do të japë kontribut pozitiv në ekonominë e Turqisë, vend që ka deficit energjetik. Tuneli Euroaziatik pritet gjithashtu që t’i sjellë Thesarit të Shtetit rreth 180 milionë TL të ardhura në vit përmes koncesionit 25-vjeçar dhe taksave. Ndërsa në fund të afatit 25-vjeçar të koncesionit, menaxhimi i Tunelit Euroaziatik do të jetë tërësisht nën kontrollin e shtetit turk duke vazhduar kështu të kontribuojë në ekonominë e Turqisë dhe mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi.

Përfundimisht, infrastruktura e zhvilluar e transportit është një ndër faktorët mbështetës në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen ekonomike të vendit. Gjatë viteve të fundit, Turqia ka përshpejtuar vrullshëm investimet infrastrukturore për të plotësuar objektivat e saj në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të republikës, që do të shënohet bujshëm në vitin 2023. Mes tyre tërheqin vëmendjen sidomos projektet për ndërtimin e rrjetit hekurudhor për trenat me shpejtësi të lartë, aeroportit të 3-të të Stambollit dhe urës së 3-të mbi Bosfor, të cilat synojnë lehtësimin e transportit brenda vendit dhe shkurtimin e kohës së udhëtimit. Ndërsa më 20 dhjetor 2016, Presidenti Erdogan dhe Kryeministri Yildirim inauguruan Tunelin Euroaziatik, një projekt nëndetar që lidh me trafik rrugor brigjet evropiane dhe aziatike të Stambollit. Ky tunel nën Ngushticën e Bosforit, i cili do të normalizojë trafikun e ngjeshur rrugor të metropolit më të madh turk, pritet të reduktojë importin energjetik të vendit dhe të rrisë të ardhurat e Thesarit të Shtetit. Zhvillimi i mëtejshëm i investimeve infrastrukturore do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e punësimit; rrjedhimisht, do të ngrejë lart nivelin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme