Erdogan: Nën trotuaret elegante evropiane rrjedhin gjaku dhe lotët e afrikanëve

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër botën perëndimore, e cila përpiqet të japë leksione humanizmi duke harruar që ka kolonizuar dhe shtrydhur Afrikën deri në palcë, gjatë konference shtypi në Ankara me homologun guineas, Alpha Conde...

639357
Erdogan: Nën trotuaret elegante evropiane rrjedhin gjaku dhe lotët e afrikanëve

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën në mbrëmje se forcat e koalicionit ndërkombëtar nuk po e mbështesin Turqinë në luftën kundër organizatës terroriste DAESH.

Kreu i shtetit turk dhe homologu i tij guineas, Alpha Conde, organizuan një konferencë të përbashkët shtypi pas bisedimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve, në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Erdogan u ndal mbi operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit”, filluar më 24 gusht 2016 nën udhëheqjen e Turqisë për spastrimin e zonave veriore të Sirisë nga elementët terroristë, duke theksuar se organizata terroriste DAESH është rrethuar nga të katër anët në Al-Bab, se nuk do të ketë kthim prapa nga ky operacion dhe se do të realizojnë parimin e zonës pa prani terroriste.

Në vijim, Presidenti turk kritikoi me fjalë të ashpra vendet e koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it, të cilat nuk po japin mbështetje për operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit”.

“Fatkeqësisht, tani forcat e koalicionit po shkelin premtimin e tyre. Angazhimi i tyre ishte ndryshe, por tani pozicioni i tyre nuk është ai. Por, sido që të jetë, ne jemi duke përparuar me vendosmëri në rrugën tonë dhe kështu do të vazhdojmë”, u shpreh ai.

Lideri turk vlerësoi gjithashtu takimin për zgjidhjen e krizës siriane, në plan që të mbahet muajin e ardhshëm në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit.

“Mjerisht, Gjeneva dështoi. Edhe pse u bënë shumë takime, nuk u arrit asnjë rezultat. Më në fund, gjatë një bisede telefonike timen me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ky i fundit na propozoi Astanën. Samiti i Astanës është një takim, i cili do të mbahet me pjesëmarrjen e vendeve fqinje (të Sirisë); por nëse këtu do të ftohen organizatat terroriste, atëherë qasja jonë për këtë s’do të jetë e ngrohtë. Bisedimet për çështjen në fjalë po realizohen ende nga ministrat e Punëve të Jashtme”, komentoi Erdogan.

Presidenti i Republikës së Turqisë dha gjithashtu mesazhe të rëndësishme dhe një sihariq në lidhje me marrëdhëniet e vendit të tij me Guinenë.

“Potenciali ynë është shumë më i lartë. Ne i ftojmë investitorët tanë që ta vlerësojnë mirë këtë potencial. Me këtë rast, po ju jap këtë mbrëmje edhe lajmin e mirë se Linjat Ajrore Turke (TYH) do të realizojnë fluturimin e parë në Konakri më datë 30 janar 2017”, tha kreu i shtetit turk.

Në fund të konferencës për shtyp, Erdogan iu kthye sërish kritikave ndaj botës perëndimore, e cila e ka kolonizuar dhe shtrydhur Afrikën deri në palcë.

“Ata, që deri 50-60 vite më parë derdhnin gjakun e afrikanëve pa u ndrojtur aspak për diamante, flori dhe naftë, sot guxojnë të na japin neve leksione humanizmi. Përpiqen të kritikojnë vendin tonë përmes të drejtave të njeriut dhe demokracisë duke mos parë historinë e tyre të përgjakur. E kam theksuar edhe më parë, por sot dua ta vë në pah edhe një tjetër herë: Nën trotuaret elegante të kryeqyteteve evropiane rrjedhin gjaku dhe lotët e vëllezërve tanë afrikanë”, deklaroi Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Kurse kreu i shtetit të Guinesë, Alpha Conde, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Unionit Afrikan, siguroi se do të bëjë ç’të jetë e mundur për të reduktuar ndikimin e FETO-s në vendin e tij dhe anembanë Afrikës.



Lajme të ngjashme