Erdogan: Terrorizmi do të marrë fund dhe fitues do të jetë populli turk

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën se terrorizmi do të marrë fund dhe se fitues do të jetë populli turk...

Erdogan: Terrorizmi do të marrë fund dhe fitues do të jetë populli turk

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën se terrorizmi do të marrë fund dhe se fitues do të jetë populli turk.

Kreu i shtetit turk iu drejtua në hyrje të aeroportit qytetarëve të shumtë, që kishin dalë për ta pritur në Trabzon, ku ai mbërriti për të përuruar stadiumin e ri të Trabzonsporit, i cili është ndërtuar mbi Detin e Zi.

Ai e nisi fjalën duke i lutur Allahut që të mëshirojë të gjithë dëshmorët e sulmit terrorist në Kayseri dhe vijoi me fjalët: “Zoti ynë i Gjithëpushtetshëm na urdhëron: ‘Dhe mos thoni për ata, që vriten në rrugën e Allahut, se janë të vdekur! Jo! Ata janë të gjallë, ndonëse ju nuk e ndjeni!’ (Bekare, 154).”

Erdogan theksoi se populli i Turqisë është i bashkuar dhe kompakt në rrugën e përparimit të vendit.

“Ky komb është një trup në rrugëtimin drejt zhvillimit. Gjithmonë e them këtë: Ne do të jemi një trup, ne do të jemi të mëdhenj, të fuqishëm, ne do të jemi vëllezër. Të gjithë së bashku do të jemi Turqia”, u shpreh lideri turk.

Sulmet terroriste si ai në Kayseri – siguroi Erdogan – nuk do ta kthejnë Turqinë nga rruga e përparimit.

“Ata mund të jenë kamikazë ose agresorë të çdo lloji, por atyre do t'u vijë fundi; kurse këtij populli asnjëherë. Me lejen e Allahut, ne do t’i mposhtim ata në këtë terren të ngushtë ashtu siç ka bërë ky popull e kjo gjysmëhënë gjatë tërë historisë kundër mendësisë së kryqëzatave. Gjëja më e rëndësishme është që ju të mos lejoni që këta të infiltrohen në mesin tuaj”, tha presidenti turk.

Erdogan u bëri thirrje qytetarëve që t'i denoncojnë të gjithë të dyshuarit tek forcat e sigurisë.

“Kudo që të jenë, këdo që të njihni nga ata, menjëherë lajmëroni forcat e sigurisë”, apeloi ai duke nënvizuar se kjo nuk është vetëm detyrë e forcave të rendit.

Të paktën 14 ushtarë turq ranë dëshmorë dhe 55 u plagosën në sulmin e djeshëm me bombë në qytetin Kayseri, në Turqinë Qendrore. Sulmuesi vetëvrasës shpërtheu eksplozivin në makinë pranë autobusit, ku kishte ushtarë që kishin shkuar me leje në qytet.

Duke iu referuar sulmit terrorist në Kayseri, Erdogan vuri në pah se kësisoj aktesh nuk do ta kthejnë dot Turqinë pas dhe as do ta devijojnë atë dot nga rruga e saj.

Prandaj – njoftoi ai – ne nuk e anuluam dhe nuk e shtymë takimin e dytë të Komitetit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Katar, që do të drejtojmë bashkë me Emirin e Shtetit të Katarit, Sheik Tamim bin Hamad al-Thani, si dhe ceremoninë e përurimit të së dielës.

Në fund, Erdogan i ftoi të gjithë qytetarët në hapjen e kompleksit sportiv në Trabzon, qytet në veri të Turqisë, ku sot do të përurohet zyrtarisht stadiumi i ri i Trabzonsporit, skuadër e superligës turke, ndërkohë që bëhet fjalë për kompleksin më modern të futbollit në zonën e Detit të Zi.

“Kjo do të shpalosë unitetin dhe solidaritetin tonë, si dhe do të jetë një përgjigje e fortë kundër atyre, që kërkojnë të na përçajnë”, sqaroi kreu i shtetit turk.

Kompleksi Sportiv “Akyazi”, ndërtuar nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor në Turqi (TOKI), përurohet sot në 18.00 me orën lokale turke.



Lajme të ngjashme