Koment – Vendimet e Bordit të Koordinimit Ekonomik në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me vendimet e fundit të Bordit të Koordinimit Ekonomik në Turqi, i cili u mblodh gjatë javës së parë të dhjetorit nën drejtimin e Kryeministrit Binali Yildrim.

Koment – Vendimet e Bordit të Koordinimit Ekonomik në Turqi

Ekonomitë e vendeve në zhvillim e sipër kanë tregues makroekonomikë më të ndjeshëm sesa ekonomitë e shteteve të industrializuara. Në rrugën drejt zhvillimit, hartuesit e politikave ekonomike mbështesin dhe orientojnë tregjet në lidhje me shumë probleme makroekonomike. Falë tyre mundësohet fuqizimi i industrive në zhvillim në konkurrencën ndërkombëtare. Po ashtu rritet punësimi nëpërmjet stimulimeve për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme duke kontribuuar kështu në stabilizimin dhe rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve. Përkundrazi, gjasat që ekonomia e një vendi të ndikohet negativisht nga luhatjet ekonomike globale janë mjaft të larta.

Turqia renditet mes 20 ekonomive më të zhvilluara në botë. Megjithatë ky shtet, i cili klasifikohet si vend në zhvillim, po ndërmerr një sërë aktivitetesh dhe masash për të hyrë në mesin e vendeve të industrializuara. Në këtë kontekst, ekonomia zë një ndër pikat kryesore të çështjeve politike, të cilave u kushtohet më tepër vëmendje dhe rëndësi në Turqi. Pas zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregjet globale u bënë skenë e luhatjeve të përmasave madhore duke dëshmuar zhvlerësim të konsiderueshëm të euros dhe të njësive monetare të vendeve në zhvillim përkundër dollarit amerikan. Një nga faktorët, të cilët e përshpejtuan këtë zhvlerësim, ishte rritja e normës së interesit nga Banka Qendrore e SHBA-së (Fed), planifikuar të bëhej në muajin dhjetor. Kurse në Turqi, për të zbutur efektet e luhatjeve ekonomike dhe orientuar ekonominë e vendit drejt rritjes, Bordi i Koordinimit Ekonomik u mblodh gjatë javës së parë të dhjetorit nën drejtimin e Kryeministrit Binali Yildirim. Dhe më datë 8 dhjetor u bënë publike të gjitha vendimet e Bordit të Koordinimit Ekonomik.

Sipas informacioneve të publikuara nga vetë shefi i ekzekutivit turk, plot 250 miliardë lira turke (rreth 70 miliardë dollarë) do të shpenzohen në formë stimujsh gjatë periudhës në vijim për të mbështetur sektorin real. Falë këtyre stimujve dhe kredive për sektorin real, në Turqi do të shtohen rreth 600 mijë vende të reja pune. Një tjetër plan i Ankarasë zyrtare ka të bëjë me reduktimin dhe kursimin e shpenzimeve publike, përmes të cilit synohet parandalimi i deficitit buxhetor dhe shfrytëzimi më efikas i fondeve publike. Po ashtu, Thesari i Shtetit dhe Ministria e Ekonomisë së Turqisë janë duke përpiluar disa projekte në lidhje me firmat, të cilat më parë kanë pasur probleme me shlyerjen e kredive dhe rrjedhimisht janë përfshirë në listën e zezë të bankave, por që aktualisht arrijnë të dokumentojnë dhe vërtetojnë përfitime të larta nga bizneset e tyre.

Si përfundim, sektori real dhe tregjet e punësimit në vendet në zhvillim kanë ekuilibra më të ndjeshëm e më të brishtë sesa ekonomitë e shteteve të industrializuara. Hartuesit e politikave ekonomike përpiqen që t’i ndihmojnë dhe orientojnë këto tregje përmes kanaleve të ndryshme duke kontribuuar në zhvillimin e ekonomisë. Nga ana e saj, edhe Republika e Turqisë, një shtet i kategorizuar si vend në zhvillim e sipër, nxit fuqishëm sektorin real dhe rritjen e punësimit me anë të mënyrave të llojllojshme. Për të zbutur efektet e luhatjeve financiare në shkallë globale të muajit të kaluar dhe për të kanalizuar ekonominë e vendit drejt rritjes, Bordi i Koordinimit Ekonomik të Turqisë realizoi një mbledhje në fillim të muajit dhjetor dhe vendimet e kësaj mbledhjeje u publikuan nga Kryeministri Binali Yildirim. Vendimi më i rëndësishëm në mesin e shumë të tjerëve ishte ai në lidhje me shpenzimin e 250 miliardë lirave turke në formë stimujsh gjatë periudhës në vijim për të mbështetur sektorin real. Falë këtyre stimujve dhe kredive për sektorin real, në Turqi do të shtohen rreth 600 mijë vende të reja pune. Rritja e sektorit real dhe reduktimi i papunësisë do të japin një kontribut me peshë të madhe në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve turq.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme