Analizë - Problemet e Evropës

Liderët politikë evropianë duhet të bëjnë vlerësime racionale, nëse duan që Evropa të qëndrojë e fortë dhe e bashkuar në shtëpi dhe të ketë peshë në botë.

Analizë - Problemet e Evropës

Një protestues në Çeki mban një pankartë ku shkruhet, "Stop Islamit dhe Ndal Merkelit", gjatë një tubimi anti-islam para Kalasë së Pragës, Republika e Çekisë, 6 shkurt 2016.“Me një numër të madh zgjedhjesh kombëtare dhe lokale që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm, politika evropiane ka të ngjarë që ta thellojë vetëdyshuesinë (që dyshon në vetvete), dhe të inkurajojë në kontinentin e vjetër ndjenjën populiste, anti-migratore, islamofobike dhe ksenofobike.”   

ibrahim kalin- Nga Ibrahim Kalin -

Në një kohë që kemi pasiguri globale, kaos rajonal dhe nativizëm ekskluzivist (politikë që përkrah vendësit kundrejt emigrantëve) Evropa përballet me një valë kokëfortë dhe potencialisht shkatërruese të populizmit dhe oportunizmit politik. Kjo gjendje kërcënon të minojë idenë e Evropës dhe të dobësojë Bashkimin Evropian pas votimitBrexit. Me një numër të madh zgjedhjesh kombëtare dhe lokale që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm, politika evropiane ka të ngjarë që ta thellojë vetëdyshuesinë (që dyshon në vetvete), dhe të inkurajojë në të gjithë kontinentin e vjetër populizmin, anti-emigracionin, islamofobinë dhe ksenofobinë. Liderët politikë evropianë duhet të bëjnë vlerësime racionale, nëse duan që Evropa të qëndrojë e fortë dhe e bashkuar në shtëpi, dhe të ketë peshë në botë.

Ata që janë seriozisht të shqetësuar për rritjen e valës së neo-racizmit dhe oportunizmit politik janë çliruar disi nga fitorja Alexander van der Bellen përballë ekstremit të djathtë Norbert Hofer në zgjedhjet e fundit presidenciale në Austri. Hofer, jo vetëm që ndan haptazi mendime raciste kundër turqve dhe myslimanëve, por në fillim të fushatës ai kërkoi mbajtjen e një referendumi të tipit Brexit në Austri (por pastaj ndryshoi mendje), duke vendosur në pikëpyetje kështu Bashkimin Evropian (BE). Nëse do të ishte zgjedhur, ai do të ishte presidenti i parë haptazi i ekstremit të djathtë dhe islamofobik i një vendi të madh evropian. Edhe pse Hofer humbi, pikëpamjet që ai mban dhe që e ndihmuan të popullarizohet ekzistojnë ende. Ai nuk ishte vetëm kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, por ishte edhe kundër hyrjes së turqve dhe myslimanëve në Austri - një qëndrim politik ky që po përhapet dhe është duke u bërë gjithnjë e më i zakonshëm në shumë vende evropiane. Ndërkohë, qeveria aktuale austriake vazhdon të mbajë një qëndrim të diskutueshëm dhe armiqësor ndaj Turqisë.

Rezultatet e zgjedhjeve austriake, edhe pse pak, paraqesin një dritëz shprese në kuptimin që fajësimi i myslimanëve, turqve dhe i emigrantëve për problemet në Austri dhe në Evropë nuk sjell gjithmonë suksese në kutinë e votimit. Të paktën disa në Evropë janë në gjendje ta shikojnë realitetin ashtu siç është: reduktimi i problemeve komplekse në një arsye të vetme dhe damkosja (stigmatizimi) i grupeve të njerëzve mund të sjellin përfitime politike afatshkurtra, por kjo nuk ofron ndonjë zgjidhje afatgjatë. Nëse partitë evropiane të ekstremit të djathtë vazhdojnë të kapitalizojnë (financojnë) frikët e gabuara që kanë zënë vend tek qytetarët e zakonshëm dhe ta ‘ndezin’ popullin me paragjykime dhe fanatizëm, ata vetëm se do të thellojnë ndjenjën e dëshpërimit, konfuzionit dhe urrejtjes dhe nuk do të arrijnë të adresojnë dot problemet reale të Evropës.

Ka të ngjarë që të njëjtën situatë ta shohim të përsëritet edhe në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në Francë. Fronti Kombëtar i udhëhequr nga Marine Le Pen ka parë se baza e saj e votuesve është zgjeruar ndjeshëm këto vitet e fundit. Partia e saj pritet të jetë një rival i rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale të 2017-s. Zoti Hollande ka njoftuar se ai nuk do të kërkojë një mandat të ri; sipas anketave socialistët kanë një peformancë të keqe; kështu që na mbetet të shikojmë në ditët e ardhshme se si do të reagojnë ndaj këtyre dinamikave politike Partia e Republikanëve (e njohur më parë si Bashkimi për një Lëvizje Popullore ose UMP) dhe kandidati presidencial i saj Francois Fillon. Ajo që duket e sigurt është se të njëjtat pikëpamje anti-emigrant, anti-globalizim, anti-Turqi dhe anti-myslimane do të jenë pjesë edhe e fushatës zgjedhore franceze. Nuk ka gjasa që Franca të heqë dorë nga BE-ja duke ndjekur modelin Brexit. Por problemet kahershme të integrimit, islamofobisë, radikalizmit, papunësisë dhe ndjenjës së identitetit dhe vetë-perceptimin të Francës do të vazhdojnë të dominojnë skenën shoqërore dhe politike në këtë vend.

Duket se edhe politika gjermane do të përballet me probleme të ngjashme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Edhe pse Angela Merkel, liderja më e fortë e Gjermanisë dhe e Evropës, ka një shans të madh për ti fituar këto zgjedhje, ajo do të përballet me një numër problemesh në rritje, duke përfshirë politikën anti-emigracionit dhe sfidën e mbajtjes së ekonomisë evropiane në gjendje të fortë. Megjithatë, edhe Merkel, me gjithë përpjekjet e saj të mëdha dhe suksesit të arritur në ndalimin e dyndjes së refugjatëve drejt Evropës, është detyruar të paguajë një çmim në zgjedhjet lokale gjermane të këtij viti. Ajo do të përballet me çështjet e populizmit dhe oportunizmitpolitik me pasojat e mëdha që kanë të dyja këto si për atdheun e saj, ashtu edhe për Evropën.

Përveç kësaj, referendumi kushtetues në Itali, ku fituan ata që i thanë Jo dhe që rezultoi me dorëheqjen e kryeministrit italian Matteo Renzi, ka potencial për të thelluar edhe më tej ndjenjën e paqëndrueshmërisë politike në një vend kyç evropian siç është Italia dhe më gjerë në Evropë. Ndërsa Italia është e njohur për ndryshimin e shpeshtë të qeverive (që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej në këtë vend janë krijuar 64 qeveri) dhe për politikat e paqëndrueshme partiake, një krizë e re qeveritare në Itali me siguri do të ketë pasoja të rëndësishme politike dhe ekonomike edhe për këtë vend, edhe për Evropën.

Është më se e natyrshme që kjo situatë politike e vështirë për t’u kuptuar në Evropë do të ketë pasoja edhe për marrëdhëniet Turqi-BE. Mungesa e konsistencës dhe mbështetjes së Turqisë në luftën e saj kundër terrorizmit luan një rol helmues dhe thellon dallimet ekzistuese. Dështimi në kushtimin e vëmendjes në kuptimin e vërtetë të sfidave të sigurisë së Turqisë, e cila është një vend me rëndësi kyçe për sigurinë e Evropës, ushqen një ndjenjë të thellë mosbesimi. Bisedimet për anëtarësim, të cilat përparojnë shumë ngadalë dhe shpeshherë ngecin, nuk premtojnë të ardhme. Dështimi i Evropës për t'u përballur me krizën e refugjatëve në mënyrë efektive dhe të përshtatshme vazhdon ti tensionojë marrëdhëniet. Ajo që bëjnë politikanët e papërgjegjshëm në emër të oportunizmit politik duke i kthyer presidentin Erdogan dhe Turqinë në një "tjetër" nuk e lehtëson aspak punën. 

Rruga për të dalë nga ky rebus është: të përcaktojmë drejt prioritetet tona dhe të kuptojmë atë që siguria jonë kolektive dhe prosperiteti kërkon një punë kolektive në të gjitha nivelet. Në një kohë kur kemi rritje të ndërvarësisë dhe sfidat i kemi të përbashkëta, ne mund të krijojmë një mjedis që fuqizon të dyja palët dhe të refuzojmë përkuljen para lojërave që nuk kanë asnjë fitues. Evropa mund ti kapërcejë problemet e saj, jo duke sakrifikuar politikën tradicionale të diktatit të nativizmit të ekstremit të djathtë dhe racizmit, por duke ri-përqafuar vlerat themelore të rrymës kryesore politike të saj.

Hapja e një faqeje të re në marrëdhëniet me Turqinë mund t’ia vlejë shumë në këtë proces. Përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave Shengen me Turqinë do të krijojë një klimë të re partneriteti. Pasi kjo është një e drejtë që duhej t’u ishte dhënë kohë më parë shtetasve turq. Një hap tjetër i rëndësishëm është që BE të përmbushë premtimet e saj për refugjatët dhe të ndajnë barrën e Turqisë në këtë pikë. Dhe së fundmi, të kuptuarit e sfidave të sigurisë së Turqisë para dhe pas tentativës së dështuar për grusht shteti më 15 korrik do të ndihmojë për të ndryshuar mjedisin e tanishëm armiqësor politik në Evropë. Armiqësia ndaj Turqisë për hir të populizmit politik më shumë se sa Turqinë dëmton Evropën.  

Autor:Ibrahim Kalin - Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar Hüseyni



Lajme të ngjashme