Koment – Projekti i Turqisë për t’u dhënë frymëmarrje SVM-ve

Në kuadër të objektivave 2023 Turqia ka krijuar një fond me vlerë 1,5 miliardë dollarë për të financuar kreditë që do të kenë nevojë sipërmarrjet e vogla e të mesme (SVM).

Koment – Projekti i Turqisë për t’u dhënë frymëmarrje SVM-ve

Siç e kemi theksuar edhe në artikujt tanë të mëparshëm, rëndësia e sipërmarrjeve të gola për vendet që janë në zhvillim në aspektin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës është po aq e madhe sa edhe ajo e sipërmarrjeve të përmasave të madha (siç janë holldinget, shoqëritë anonime, grupet e kompanive dhe të tjera të ngjashme).

Në vendet në zhvillim, sipërmarrjet e mëdha dhe investimet që realizojë ato janë të rëndësishme, por nuk duhet harruar që shumicën e prodhimit dhe të punësimit tek ekonomitë që janë në zhvillim e sigurojnë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SVM), të cilat brenda kohës e zhvillojnë veten e tyre dhe krijojnë infrastrukturën e nevojshme edhe për sipërmarrjet e mëdha. Vendet që duan të përmirësojë klimën e investimeve dhe të rriten ekonomikisht duhet të zhvillojnë sipërmarrjet e vogla e të mesme (SVM).

Me ekonominë e saj në zhvillim Turqia sot renditet në mesin e 20 vendeve më të zhvilluara të botës. Si një vend me popullsi të re në moshë dhe dinamike, vitet e fundit Turqia ka hyrë në një proces, ku kemi një rritje në veçanti të sektorit të shërbimeve dhe sipërmarrjeve të vogla e të mesme (SVM). Ekzistenca e zejtarive ose sipërmarrjeve që ne i quajmë SVM është po aq e rëndësishme sa ajo e sipërmarrjeve të mëdha në ekonominë e Turqisë, ku hapja e vendeve të reja të punës për rininë është një çështje e rëndësishme.

Shumë holdinge dhe kompani të mëdha aktive në ditët e sotme në Turqi para disa brezash e kanë ushtruar aktivitetin e tyre si një sipërmarrje e vogël dhe e mesme, kurse sot ato i kanë zgjeruar e rritur kapacitetet e tyre derisa janë në gjendje të bëjnë investime të mëdha. Në shërbim të kësaj janë krijuar dhe zhvilluar shumë institucione financiare dhe jo-financiare me synimin për të krijuar në Turqi kulturën e sipërmarrjes dhe për t’u siguruar zejtarive dhe sipërmarrjeve të vogla mbështetje publike. Për shembull kemi mbështetjen financiare që siguron banka popullore (Halkbank), e cila pjesërisht është edhe ende një bankë shtetërore, kurse nga ana tjetër kemi edhe Autoritetin shtetëror për Zhvillimin dhe Stimulimin e Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (KOSGEB), një institucion i krijuar me qëllim për të rritur rolin e SVM-ve në ekonomi si dhe efektivitetin e integrimin e tyre në industrinë e vendit në përshtatje me zhvillimet ekonomike.  

Në ditët që lamë pas u bë publik përmes një ceremonie, ku mori pjesë edhe Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım), një projekt për financimin e kredive për t’u dhënë Frymëmarrje SVM-ve (KOBİ’lere Nefes Kredisi Projesi), një projekt i realizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë, Industrisë dhe Bursave të Turqisë (TOBB) në bashkëpunim me bankën agrare (Ziaat Bankası), DenizBank dhe Fondin e Garantimit të Kredive (KGF). Binali Jëlldërëm në fjalën që mbajti në ceremoninë e organizuar në selinë e kryeministrisë “Kompleksi Çankaya” tha se me këtë projekt do të vihet në përdorim me një normë interesi vjetore më të vogël se 10% një fond me vlerë 5 miliardë lira turke (rreth 1,5 miliardë dollarë). “Po të kemi parasysh normat e interesit në tregun e sotëm, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme falë këtij projekti do të kenë mundësi të marrin kredi me një përqindje interesi, e cila mund të pranohet si shumë e mirë për SVM-të. 15% të riskut të këtyre kredive do ta përballojnë bankat, kurse 85% do ta marrë përsipër Fondi i Garantimit të Kredive (KGF). Kështu ne do të krijojmë një fond financiar, i cili do të sigurojë frymëmarrje për 80 mijë sipërmarrje të vogla dhe të mesme (SVM) në fazën e parë dhe do të përballojë nevojën që ka ky sektor për financim”, u shpreh Kryeministri Jëlldërëm.

Si përfundim, si në vendet me ekonomi të zhvilluar, ashtu edhe në ato në zhvillim, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SVM) renditen në krye të institucioneve që krijojnë punësim dhe realizojnë prodhim në ekonomi. Për këtë arsye mbështetja e këtyre sipërmarrjeve në përmasa të vogla dhe të mesme merr rëndësi për të pasur një rritje të vazhdueshme e të qëndrueshme ekonomike. Në përshtatje edhe me objektivat e 2023-it, me ekonominë e saj në zhvillim dhe popullsinë e re në moshë, dinamike dhe sipërmarrëse, Turqia synon që të jetë një nga 10 ekonomitë më të mëdha të botës. Me synimin për të mbështetur SVM-të në drejtim të realizimit të këtij objektivi, në Turqi po realizohen shumë projekte. Projektet në fjalë realizohen përmes kanaleve të ndryshme siç janë: themelimi i sipërmarrjeve të vogla e të mesme (SVM), gjetja e personelit të kualifikuar për këto sipërmarrje dhe sigurimi i burimeve financiare, për të cilat ato kanë nevojë. Krahas kredive me norma të ulëta interesi që u janë ofruar sipërmarrjeve të vogla e të mesme gjatë kësaj periudhe, kredi që në total kapin vlerën e rreth 15 miliardë dollarëve, vazhdojnë punimet edhe për të siguruar mundësi punësimi me anë të programeve të reja. Programi i fundit që është publikuar në Turqi është ai i sigurimit të kredive të volitshme për t’u dhënë frymëmarrje SVM-ve përmes një fondi 1,5 miliardë dollarësh, nga i cili do të përfitojnë 80 mijë sipërmarrje të tilla. Sipërmarrjet e vogla e të mesme që janë në zhvillim do të vazhdojnë të krijojnë mundësi punësimi për ekonominë dhe të rrisin nivelin e mirëqenies së qytetarëve. 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme