SHBA: Shumë aktivitete në Siri s’do të bëheshin pa asistencën e Turqisë

Shefi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM), Gjenerali Joseph Votel, deklaroi të mërkurën se aktivitetet amerikane të së kaluarës së afërt në Siri janë realizuar me mbështetjen e Turqisë...

SHBA: Shumë aktivitete në Siri s’do të bëheshin pa asistencën e Turqisë

Shefi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM), Gjenerali Joseph Votel, deklaroi të mërkurën se aktivitetet amerikane të së kaluarës së afërt në Siri janë realizuar me mbështetjen e Turqisë.

Joseph Votel bëri vlerësime në lidhje me vendet, ku ka qenë me mision komanda e drejtuar prej tij, gjatë një paneli në Uashington të Iniciativës për Politikë të Jashtme, një institucion mendimi konservator nga më të shquarit në SHBA.

Gjenerali Votel foli me lëvdata për Turqinë dhe theksoi se ajo është një nga aleatet shumë të rëndësishme në koalicionin e formuar kundër organizatës terroriste DAESH.

“Pa asistencën e përditshme të Turqisë ne s’do të arrinim kurrë të bënim shumë aktivitete, që kemi kryer në të kaluarën e afërt në Siri. Ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit, Turqia ka interesat dhe shqetësimet e saj dhe kjo, për mendimin tim, është me rëndësi të madhe për SHBA-në; duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, nënvizoi ai.

Duke tërhequr vëmendjen se Turqia lufton me organizatat terroriste DAESH dhe PKK, komandanti i CENTCOM-it sqaroi se Ankaraja ka shqetësime mjaft serioze në lidhje me DAESH-in, por, në mënyrë të kuptueshme, po aq serioze janë edhe shqetësimet e saj rreth grupeve si PKK-ja.

Votel u ndal gjithashtu mbi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), i cili njihet gjerësisht si marrëveshja bërthamore iraniane, nënshkruar mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Sipas meje, çështja për t’u shqetësuar me të vërtetë është që JCPOA-ja të mos ndikojë qëndrimin e Iranit në rajon”, u shpreh gjenerali amerikan.

Ai potencoi edhe se influenca iraniane në rajon vazhdon ende.

“Sulmet kibernetike të organizuara nga Irani, delegimet dhe qëndrimet e tij të ashpra në rajon shkaktojnë shqetësime shumë serioze”, tha Joseph Votel.

Në fund, komandanti i CENTCOM-it foli po ashtu për marrëdhëniet ushtarake ndërmjet SHBA-së dhe Egjiptit.

“Vumë re që Egjipti po përpiqej të krijonte marrëdhënie me Rusinë dhe kjo përbënte shqetësim për palën tonë. Marrëdhëniet ushtarake, ashtu si dhe shumë çështje të tjera, kanë ulje-ngritjet e tyre apo periudha të mira dhe të këqija. Megjithatë kemi një marrëdhënie të qëndrueshme me ushtrinë egjiptiane”, sqaroi Gjenerali Votel.



Lajme të ngjashme