Erdogan paralajmëroi Izraelin për ligjin e ndalimit të ezanit

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) paralajmëroi udhëheqjen e Izraelit se ndalimi i ezanit, që është një thirrje, do të shkaktojë shqetësime.

Erdogan paralajmëroi Izraelin për ligjin e ndalimit të ezanit

Erdoan mbajti një fjalim në Simpoziumin Ndërparlementar të Platformës së Jerusalemit.

Ai theksoi se debatet mbi “ndalimin e ezanit” janë shumë të rrezikshme dhe këto debate janë jashtë logjikës dhe ndërgjegjes.

“Ky debat që merr nën këmbë lirinë e fesë dhe besimit nuk është në dobi të askujt. Këtë ja shpreha edhe presidentit të Izraelit që më telefonoi edhe një ditë më parë. Atij i thashë se ‘besoj se parlamenti izraelit do të veprojë me bonsens’” u shpreh Presidenti Erdoan.

Ai bëri të ditur se një tentativë e tillë ofendon gjithë myslimanët jo vetëm palestinezët dhe rajoni nuk ka nevojë për tensionime të reja por për hapa që do të sigurojnë kontribut në paqe.

Presidenti turk theksoi se zgjidhja qëndron në themelimin e shtetit të pavarur sovran të Palestinës me kufijtë e 1967-s me kryeqytet Jerusalemin lindor dhe për këtë është kusht që shoqëria ndërkombëtare të rrisë mbështetjen ndaj Palestinës.

“Njohja nga të tëra 193 vendet në Kombet e Bashkuara të Palestinës që për dhjetëra vite me radhë ka bërë një përpjekje të ndershme ndaj pushtimit, para së gjithash është një detyrë njerëzore” tha Presidenti Erdoan dhe gjithashtu kritikoi edhe një herë duke thënë se struktura e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk përfaqëson 1 miliardë e 700 mijë myslimanë.

 



Lajme të ngjashme