MPJ turke: Ankaraja ende e vendosur për zgjidhjen e problemit qipriot

“Vendosmëria e Turqisë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme çështjes së Qipros vazhdon ende”, deklaroi ambasadori Huseyin Muftuoglu, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë...

MPJ turke: Ankaraja ende e vendosur për zgjidhjen e problemit qipriot

Një deklaratë në lidhje me mbylljen pa rezultat të bisedimeve intensive ndërmjet Presidentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akinci dhe liderit grekoqipriot, Nicos Anastasiades, mbajtur nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara në qytezën Mont-Pelerin të Zvicrës, ka ardhur edhe nga Turqia.

Ambasadori Huseyin Muftuoglu, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, njoftoi se bisedimet kanë përfunduar pa rezultat, pavarësisht të gjitha përpjekjeve vullnetmira të palës turke të Qipros.

Huseyin Muftuoglu theksoi se është humbur një shans mjaft i vyer në këtë fazë kritike të procesit.

“Në pikën e arritur, do të bëhet një vlerësim i hollësishëm i gjendjes me palën turkoqipriote”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme vuri në pah gjithashtu se duhet të përcaktohet një orë e më parë data e konferencës pesëshe, që do të realizohet me pjesëmarrjen e vendeve garantuese.

“Vendosmëria e Turqisë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme çështjes së Qipros vazhdon ende”, komentoi Muftuoglu.

OKB-ja njoftoi të hënën se gjatë negociatave në qytezën Mont-Pelerin të Zvicrës, zhvilluar në datat 20-21 nëntor 2016 për t’i gjetur zgjidhje problemit qipriot, nuk është arritur dot konsensusi për rregullimet territoriale, kapitull ky që do të hapte rrugën e turit përfundimtar.



Lajme të ngjashme