Erdoan: Nuk mund të tolerojmë dyfytyrësinë e perëndimit

Presidenti i Republikës së Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se votimi që do të bëhet nesër në Parlamentin Evropian në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian nuk ka asnjë vlerë.

Erdoan: Nuk mund të tolerojmë dyfytyrësinë e perëndimit

Presidenti Erdoan në fjalimin e mbajtur në seancën e hapjes së Mbledhjes së 32-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (ISEDAK) të zhvilluar në Qendrën e Kongreseve në Stamboll tha se Turqia i del më shumë për zot vlerave të Bashkimit Evropian sesa vende të Unionit dhe deri më sot këtë e ka treguar shumë herë.

“Por nga bashkëbiseduesit tanë perëndimorë përveç fjalëve të bukura nuk pamë asnjë mbështetje. Madje ndodh e kundërta, asnjë premtim nuk u kthye në realitet, ata nuk mbajtën asnjë fjalë të dhënë”.

Presidenti Erdoan u shpreh edhe në lidhje me votimin që do të bëhet nesër në Parlamentin Evropian.

“Çfarëdo lloj rezultati që të dalë nga votimi për ne nuk ka asnjë vlerë. Asnjë peshore nuk mund të peshojë vullnetin e popullit që mbrojti me jetë demokracinë dhe të ardhmen e tij natën e 15 korrikut. Stabiliteti dhe e ardhmja e këtij vendi nuk do të ndërpritet me duart që do të ngrihen dhe ulen atje. Pavarësisht se ky votim nuk ka asnjë legjimitet politik, mesazhi që përpiqet të jepet është i papranueshëm për mua. Nisma e Parlamentit Evropian për një votim të tillë është një tregues se mbron organizatat terroriste dhe qëndron në anën e tyre” tha Presidenti i Republikës së Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).  

Ai tha se populli turk pagoi një çmim të shtrenjtë natën e 15 korrikut kur Organizata terroriste gyleniste tentoi grusht shtetin dhe duke tërhequr vëmendjen se populli turk mbeti ballë për ballë kritikave të pamëshirshme të perëndimit dhe u përball me akuza të padrejta, shtoi se standardi i dyfishtë dhe qëndrimi dyfytyrësh i perëndimit vazhdon ende.

Në vend se operacioni i perceptimit kundër Turqisë të pakësohej ai është shtuar, tha Erdoan dhe shtoi se kreu i FETO-s në Pensilvania (Fethullah Gylen) nuk është një kërcënim i madh vetëm për Turqinë por është një kërcënim për të gjitha vendet ku gjendet kjo organizatë terroriste.

“Kjo organizatë përbëhet nga neoasasinët e ditëve tona” tha Erdoan.

Ashtu siç luftojmë kundër DAESH-it, PKK-së, Al Kaedës, Boko Haram dhe Esh-Shebab, duhet luftuar në të njëjtën mënyrë me vendosmëri edhe kundër FETO-s, u shpreh presidenti turk.

Presidenti Erdoan tha se nuk mund të tolerojë më shumë që vendet perëndimore të pasqyrojnë përfitimet e tyre dhe agoninë e tyre tek bota islame dhe tek myslimanët dhe shtoi: “Nëse ne nuk vëmë në shesh reagimin tonë me mundësitë demokratike, të jeni të sigurt se ata që shfaqin këtë qëndrim do të marrin më shumë kurajë. Nëse ne qëndrojmë të heshtur, për vendet perëndimore, organizata të tilla terroriste si Al Kaeda, DAESH-i janë të këqija, por organizatat terroriste si PKK, YPG, DHKP-C, FETO që nuk i dëmtojnë ata (perëndimorët) do të vazhdojnë të jenë struktura të mira” tha Presidenti i Republikës së Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).  



Lajme të ngjashme