Erdoan: Turqia është prita e terrorit për Perëndimin

Në fjalën drejtuar sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që mbahet në Stamboll, Presidenti Erdoan tha se Turqia është si një ‘pritë’ që ndalon përhapjen e terrorizmit në pjesën tjetër të botës, dhe kërkoi një mbështetje më të fuqishme.

Erdoan: Turqia është prita e terrorit për Perëndimin

 

 

Në fjalën drejtuar sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që mbahet në Stamboll, Presidenti Erdoan tha: “Turqia është si një ‘pritë’ ndërmjet organizatave terroriste dhe pjesës tjetër të botës, me në krye Evropën. Në qoftë se ne dështojmë në këtë luftë (kundër terrorizmit), pra nëse kjo pritë shembet, atëherë terroristët do të vërshojnë si lumë dhe do të mbytin të gjithë botën me zjarr dhe gjak. Ne themi që “ejani e ta forcojmë këtë pritë, të mos e lëmë atë të dobësohet”.

Për një zjarr që ka rënë diku në botë, sot askush nuk e ka luksin të thotë “si do që të jetë, tymi dhe flaka nuk vjen deri unë”, pasi herët ose vonë ky zjarr do të infektojë edhe ata, nënvizoi Presidenti Erdoan duke shprehur se në një periudhë të tillë, kur kërcënimet janë globalizuar dhe ekuilibrat e forcave kanë ndryshuar është e domosdoshme që institucionet aktuale (ndërkombëtare) të rishikojnë veten e tyre.

E parë në këtë aspekt, NATO nuk është vetëm një organizatë mbrojtëse, njëherësh, shtoi Erdoan, ajo është edhe një platformë sigurie që bashkon në një çati shtetet besnike ndaj zhvillimit të vlerave demokratike.

Në fjalën e tij Presidenti foli edhe për procesin e Gjendjes së Jashtëzakonshme (OHAL), që ka nisur të zbatohet më 21 korrik në Turqi, dhe gjatë kësaj kohe, vijoi Erdoan, janë marrë masat e nevojshme jo vetëm për fshirjen e gjurmëve të tentativës së Organizatës Terroriste Gyleniste Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY) për grusht shteti më 15 korrik, por edhe për neutralizimin e organizatave të tjera terroriste.

Me këtë rast, dua të falënderoj edhe një herë vendet mike që nuk e kursyen mbështetjen ndaj Turqisë, që na dërguan mesazhe solidariteti pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, theksoi Presidenti, duke shtuar se natën e 15 korrikut Turqia dhe e gjithë bota dëshmoi një fytyrë të re të terrorit dhe një metodë ndryshe të antiterrorizmit.

Turqia ka nevojë për një mbështetje më të fuqishme në luftën që ajo bën qoftë kundër FETO, apo organizatës terroriste DAESH e organizatës separatiste PKK, qoftë kundër të gjitha organizatave të tjera terroriste që veprojnë së bashku si armike të vlerave të përbashkëta të njerëzimit, nënvizoi Presidenti Erdoan duke theksuar se nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë paguar një kosto më të madhe e të rëndë dhe që jetë përballur me pasoja konkrete se sa Turqia në luftën kundër organizatës terroriste DAESH.

Për këtë arsye Turqia e eliminoi këtë kërcënim në kufirin e saj duke hyrë në Siri bashkë me Ushtrinë e Lirisë Siriane, u shpreh Presidenti dhe shtoi se në duart e organizatave aktive në Irak dhe Siri, të cilat Turqia i ka shpallur organizata terroriste, janë gjetur armë të prodhuara nga vendet mike. “Çdo gjë është e dokumentuar, deri në numrin e serisë së këtyre armëve” tha Erdoan.

Ata që nuk i pranojnë si organizatë terroriste PYD-në dhe YPG-në, te cilat luftojnë kundër organizatës terroriste DAESH, nuk duhet të pranojnë si organizatë terroriste as al-Nusra, pasi edhe kjo lufton kundër organizatës terroriste DAESH, cilësoi Presidenti Erdoan dhe e vijoi kështu fjalimin e tij: “A mund të themi për një terrorist se është i mirë për faktin se ai lufton kundër një terroristi tjetër? Një diçka të tillë ne e shikojmë sot në Siri dhe Irak. Shoqëria ndërkombëtare po kalon një periudhë të vështirë, por këto nuk janë çështje të pakapërcyeshme”.

“Për sa kohë që ne do të veprojmë duke bashkëpunuar dhe me frymën e solidaritetit në kuadër të interesave tona të përbashkëta, ne mund të demonstrojmë një qëndrim të fuqishëm përballë problemeve që do të na dalin përpara, sado komplekse qofshin ato. Është detyra jonë më e madhe që kemi përballë vendeve që përfaqësojmë dhe shoqërisë ndërkombëtare, ku secili prej kombeve tona është një element primar i kësaj shoqërie, për t’ia dalë me sukses kësaj sfide”, përfundoi Erdoan.



Lajme të ngjashme