Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Turqi – 3 punëtorë humbin jetën nga rrëshqitja e dheut në një minierë

Në shembjen që ndodhi pas rrëshqitjes së dheut në një minierë të qytezës Shirvan të provincës Siirt kanë humbur jetën 3 punëtorë.

Turqi – 3 punëtorë humbin jetën nga rrëshqitja e dheut në një minierë

Ndërkohë vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për të nxjerrë 13 minatorët që kanë mbetur të bllokuar.

Shembja ka ndodhur në një minierë private bakri dhe si pasojë 8 kamionë dhe 3 makina pune kanë mbetur nën tokë.

Punimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë nën koordinimin e grupit të krizës që është ngritur në kuadër të Prefekturës dhe me pjesëmarrjen e punonjësve nga Drejtoria Rajonale për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Ekipi Kombëtar i Shpëtimit Medikal (UMKE) dhe të xhandarmërisë. Në këto punime japin ndihmën e tyre edhe minatorët.

Prefektura e Siirtit njofton se punimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në mënyrë të kontrolluar për shkak të riskut të rrëshqitjeve të tjera të dheut në zonë.

“Megjithëse vlerësohet që rrëshqitja e dheut të ketë ndodhur për shkak të reshjeve të shumta, vazhdojnë studimet dhe kërkimet për të identifikuar arsyen e vërtetë”, vijon komunikata.

Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) mori në telefon ministrat dhe u informua mbi shembjen.

Ndërsa në deklaratën e Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore raportohet se në Ministri është krijuar një grup për menaxhimin e situatës nën drejtimin e nënsekretarit të ministrisë Fatih Dënmez (Fatih Dönmez).

Në një komunikatë të lëshuar nga kjo ministri thuhet se në lidhje rrëshqitjen e dheut është marrë informacion nga Prefektura e Siirtit dhe ekipet e AFAD-it. Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Berat Albajrak (Berat Albayrak), i cili shoqëron Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në vizitat që është duke realizuar në Pakistan dhe Uzbekistan, është në kontakt të vazhdueshëm me grupin e menaxhimit të krizës që është krijuar në Ministri dhe i ndjek nga afër punimet.

Komunikata njofton se një ndihmësnënsekretar në krye të një ekipi ka shkuar në Siirt për të ndjekur në vend punimet e kërkim-shpëtimit.



Lajme të ngjashme