Koment – Stimujt për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me stimujt për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në Turqi...

Koment – Stimujt për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në Turqi

Ekonomia në vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim përmendet kryesisht me emrin e kompanive prodhuese të shkallës së gjerë. Megjithatë pjesa dërrmuese e punësimit dhe e vlerës së shtuar realizohet nga firmat e klasifikuara si “sipërmarrje të vogla dhe të mesme”, apo shkurtimisht SVM. Në Turqi, SVM-të nënkuptojnë të gjitha ndërmarrjet me përmasa mikro, të vogla dhe të mesme me më pak se 250 të punësuar në vit dhe me bilanc financiar vjetor nën 40 milionë lira turke (TL). Kurse sipas përkufizimit të Bashkimit Evropian, SVM janë të gjitha ndërmarrjet me më pak se 250 punonjës, me xhiro vjetore më të vogël se 50 milionë euro dhe me bilanc vjetor nën 43 milionë euro. Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme janë struktura biznesi, që formojë shtyllën kurrizore të punësimit dhe të prodhimit të një vendi.

Siç e kemi theksuar edhe në artikujt tanë të mëparshëm; sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendet e industrializuara formojnë 95 për qind të totalit të ndërmarrjeve, 50 për qind të punësimit të përgjithshëm, 50 për qind të prodhimit të përgjithshëm, 40 për qind të totalit të investimeve dhe 40 për qind të eksportit të përgjithshëm. Një nga avantazhet më të mëdha të SVM-ve është kapaciteti i tyre për t’u adaptuar më shpejtë sesa kompanitë e mëdha me kushtet e ndryshueshme të tregut dhe të prodhimit. Aftësia e tyre për t’u përshtatur me shpejtësi u garanton kësisoj sipërmarrjeve disa epërsi të caktuara edhe në lidhje me konkurrencën.

Turqia renditet sot ndër 20 ekonomitë më të fuqishme të botës falë potencialit të lartë prodhues dhe ekonomisë së saj në zhvillim. Me një popullsi të re në moshë dhe dinamike, Turqia ka një treg jashtëzakonisht dinamik, ku prodhimi dhe konsumi janë në nivele të larta. Një prej shumë zhvillimeve, që ekonomia turke ka regjistruar në 15 vitet e fundit, ka të bëjë me rënien ndër vite të inflacionit dhe normave të interesit. Veçanërisht rënia e normave të interesit ka dhënë një kontribut madhor për rritjen e investimeve në Turqi dhe për gjallërimin e konsumit të brendshëm. Gjatë kësaj periudhe është rritur ndjeshëm edhe pesha e SVM-ve në ekonominë e vendit. SVM-të në Turqi formojnë 99 për qind të totalit të ndërmarrjeve, 77 për qind të punësimit të përgjithshëm, 55 për qind të prodhimit të përgjithshëm, 50 për qind të totalit të investimeve dhe 60 për qind të eksportit të përgjithshëm. Niveli i këtyre shifrave shpalos qartë rolin e rëndësishëm dhe përmasën kolosale të SVM-ve në ekonominë turke.

Në Turqi, përpjekje intensive për zhvillimin dhe sofistikimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme po bëjnë qoftë institucionet financiare private, qoftë dhe sektori publik. Autoriteti shtetëror për Zhvillimin dhe Stimulimin e Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (KOSGEB), një nga mbështetësit më të mëdhenj të SVM-ve në Turqi, njoftoi pak ditë më parë se një kredi me vlerë të përgjithshme 2,2 miliardë TL (rreth 665 milionë dollarë) do të akordohet së afërmi për SVM-të. Në këtë kontekst, planifikohet që mbi 2 mijë SMV-ve t’u jepet mbështetje me vlerë 300 mijë TL për secilën prej tyre në lidhje me interesin e kredive. Qeveria ka rënë dakord me 8 banka për të përmbushur kërkesat e SVM-ve me aktivitet në sektorin e prodhimit, sidomos të atyre që prodhojnë makineri dhe pajisje vendore. KOSGEB-i planifikon të mbulojë edhe normën e interesit të kredive jo më të mëdha se 1,5 milionë TL, që SVM-të mund të marrin në këtë suazë. Rrjedhimisht, SVM-të me fuqi konkurruese më të madhe dhe të stimuluara nga shteti do të prodhojnë më tepër punësim dhe eksport duke kontribuuar kështu në rritjen ekonomike të vendit dhe në atë të nivelit të mirëqenies së qytetarëve.

Përfundimisht, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit, si në vendet e industrializuara ashtu dhe në ato në zhvillim e sipër. Aftësia e SVM-ve për t’u adaptuar me shpejtësi me kushtet e ndryshueshme të tregut dhe prodhimit mundëson rritje ekonomike të ekuilibruar në zona të ndryshme të vendeve, redukton papunësinë dhe prodhon të mira materiale e shërbime të reja, duke bërë të domosdoshme kështu përqendrimin e vëmendjes tek zhvillimi dhe sofistikimi i mëtejshëm i tyre. Ndërmarrjeve të këtij lloji, të cilat konsiderohen gurë themeli i zhvillimit ekonomik, stimuj të ndryshëm u jepen gjithashtu në Turqi, vend ky që po bën hapa madhore për të themeluar SVM të reja dhe për të rritur fuqinë konkurruese të atyre ekzistuese. Falë SVM-ve me fuqi konkurruese më të madhe dhe të stimuluara nga shteti, do të prodhohet më tepër punësim dhe eksport duke kontribuuar kështu në rritjen ekonomike të vendit dhe në atë të nivelit të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme