Ka filluar numërimi drejt zeros për hapjen e tunelit Euroazia

Më 20 dhjetor do të hapet Tuneli Euroazia në Stamboll, i cili pas metrosë Marmaray për herë të dytë lidh kontinentin e Evropës dhe Azisë nën ujë.

Ka filluar numërimi drejt zeros për hapjen e tunelit Euroazia

Ndryshe nga Marmaray, projekti lidh dy kontinentet përmes autostradës nënujore, ndërsa në saje të tij udhëtimi prej 100 minutash mes Kazlıçeşmes dhe Göztepes do të shkurtohet në 15 minuta.

Themeli i projektit ishte hedhur më 26 shkurt të vitit 2011, derisa Ministri aktual i Transportit, Çështjeve Detare dhe Komunikacionit Ahmet Arslan atëherë ishte drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Ndërtimin e Hekurudhave, Porteve dhe Aeroporteve (DLH). Më 20 dhjetor ai do të marrë pjesë në hapjen e tunelit në cilësi të ministrit, pasi paraprakisht kishte marrë pjesë në hedhjen e themeleve të tij si drejtor.

Vlera e përgjithshme e projektit i cili është realizuar me modelin Ndërto-Opero-Transfero ka arritur në 1 miliardë e 245 milionë dollarë. Tuneli është planifikuar të përshkohet nga së paku 100 mijë automjete në ditë. I ndërtuar në dy kate, secili kat i tunelit mundëson kalim në dy korsi për njërin nga drejtimet. Ai do të ofrojë mundësi udhëtimi pa ndërprerje edhe në kushte të pavolitshme të motit, siç janë mjegulla dhe ngrica.

Tuneli Euroazia, i cili do të krijojë lidhje të sigurt dhe të shpejtë mes Zeytinburnu dhe Bakırköy në pjesën evropiane të Stambollit dhe Üsküdar dhe Kadıköy në pjesën aziatike të tij, do të mund të shfrytëzohet vetëm nga automjetet e lehta. Tuneli do të jetë i mbyllur për kalimin e transportuesve të rëndë, motoçikletave dhe këmbësorëve.

Kalimi në Bosfor, që është pjesa më e rëndësishme e tunelit dhe përfshin 3.344 metra, është përfunduar në gusht të vitit të kaluar. Rrugës bregdetare prej 5,4 kilometrash në pjesën evropiane deri në Kazlıçeşme i janë shtuar dy korsi, konkretisht nga gjashtë në tetë, ndërkohë që 1,5 kilometra janë futur nën tokë. Ndërkaq, në pjesën prej 3.800 metrash deri në Göztepe të rrugës D-100 në pjesën aziatike të Stambollit janë bërë riparime dhe të rrugëve dhe rretheve. Numri i korsive në rrugën aktuale është shtuar nga gjashtë në tetë. Projekti është përfunduar brenda 47 muajve, tetë muaj para kohës së parashikuar prej 55 muajsh.

Firma kontraktuese që ka realizuar planifikimin dhe ndërtimin e projektit, do të operojë me tunelin për 24 vite e pesë muaj. Pas përfundimit të këtij afati, Tuneli Euroazia do t’i transferohet sektorit publik.

Tuneli Euroazia që do të lidh dy kontinentet në Stamboll dhe që tregohet si një nga projektet të mëdha më prestigjioze, vitin e kaluar kishte marrë çmimin “Projekti më i madh i vitit” nga ana e Shoqatës Ndërkombëtare e Tuneleve dhe Strukturave Nëntokësore, që njëherësh paraqet shoqatën më të rëndësishme në botë në sektorin e tuneleve. 



Lajme të ngjashme