Presidenti Erdogan ekskluzivisht në 360 gradë për “Al-Jazeera”

I ftuar special në një emision televiziv të rrjetit panarab, “Al-Jazeera”, transmetuar në dy seri, Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi, ato rajonale e ndërkombëtare...

Presidenti Erdogan ekskluzivisht në 360 gradë për “Al-Jazeera”

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se një sistem presidencial i tipit turk do t’i japë vendit të tij shansin e zhvillimit më të shpejtë.

I ftuar special në një emision televiziv të rrjetit panarab, “Al-Jazeera”, transmetuar në dy seri, Presidenti Erdogan bëri vlerësime të rëndësishme për koalicionet qeverisëse në Turqi, periudhën që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) ka qenë forca politike e vetme në pushtet, për debatet rreth sistemit presidencial dhe tentativën e 15 korrikut për grusht shteti.

Kreu i shtetit turk theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federata Ruse janë dy shembuj të rëndësishëm të zbatimit të sistemit presidencial, pavarësisht se funksionimi këtij sistemi qeverisës paraqet dallime në këto dy vende.

“Të lëmë mënjanë dallimet e funksionimit të sistemeve. Unë them që ne të ingranojmë një sistem presidencial të tipit turk, i cili t’i ketë hije Turqisë, duke u frymëzuar nga traditat tona. Ky do t’i japë Turqisë shansin e zhvillimit shumë më të shpejtë, prandaj e mbroj këtë tezë”, tha ai.

Erdogan tërhoqi vëmendjen se koalicionet qeverisëse në Turqi kanë dështuar në periudhat, të cilat kanë pasur pushtetin, duke rikujtuar që vendi është drejtuar kryesisht nga qeveri koalicioni përpara se ai vetë të bëhej kryeministër apo përpara se Partia AK të merrte pushtetin.

Pasi vuri në pah se me Partinë AK në Turqi ka nisur tashmë periudha e qeverive më të konsoliduara me një parti në pushtet, lideri turk sqaroi se pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2015, të cilat nuk nxorën një forcë politike të vetme për të qeverisur vendit, u realizuan përpjekje për krijimin e koalicionit; por, duke qenë se nuk u arrit në përfundimin e dëshiruar, u përsëritën zgjedhjet dhe, si rezultat, këtë herë vullneti popullor i hapi sërish rrugën pushtetit njëpartiak.

Më tej, Erdogan nënvizoi se akuzimi i tij si diktator është plotësisht ideologjik dhe ka të bëjë me qasjen botërore.

Që një preson të jetë diktator – vijoi ai – duhet që në atë vend kushtet e jetesës të zhvillohen ndryshe dhe njerëzit të mos jetojnë dot të lirë, të mos shprehin dot mendimin e tyre sipas dëshirës dhe të mos praktikojnë dot besimin e tyre ashtu siç e ndjejnë.

“Por në vendim tim nuk ekziston një problem i tillë; njerëzit flasin sipas dëshirës, jetojnë siç u do qejfi dhe si besojnë, vishen si të duan, hanë e pinë çfarë të kenë dëshirë, i bëjnë të gjitha këto. Ne s’kemi ndaluar asgjë. Turqia s’është një vend i tabuve. Lëmë mënjanë 14 vitet e fundit, Turqia nuk ka qenë kurrë më parë kaq e lirë, kaq e qetë, kaq e begatë sa gjatë viteve të fundit”, u shpreh Presidenti Erdogan.

Sot për sot – shtoi ai – Turqia është një nga vendet që tërheqin më shumë kapitalin ndërkombëtar.

Në vijim, kreu i shtetit turk paralajmëroi shtetet arabe në lidhje me organizatën terroriste guleniste (FETO) duke theksuar se elementë të FETO-s vazhdojnë aktivitetet e tyre në shumë vende arabe; madje, në disa prej tyre, këta terroristë privilegjohen nga njerëz, që kanë pikëpamje ndryshe në lidhje me Turqinë.

“Pikërisht në këtë suazë duhet treguar kujdes”, sqaroi Erdogan dhe paralajmëroi se nesër apo një ditë jo shumë të largët edhe ata mund të ballafaqohen me situata, në të cilat do t’u duhet të paguajnë kosto të mëdha, nëse bien në një gabim të tillë.

I pyetur më konkretisht për emra njerëzish apo shtetesh mbështetëse të FETO-s në botën arabe,  presidenti turk u përgjigj me fjalët: “Një shembull për këtë është Egjipti.”

Erdogan bëri me dije gjithashtu se SHBA-së i kanë dërguar 85 pako me dosje për ekstradimin e Fethullah Gulenit, kreu terrorist i FETO-s, ndërkohë që një delegacion turk i udhëhequr nga ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, ka realizuar bisedime në këtë vend pikërisht për çështjes në fjalë.

Ai përsëriti se kreu i organizatës terroriste guleniste jeton në Pensilvani dhe Uashingtoni zyrtar duhet ta ekstradojë atë në Turqi, pasi, në rast se SHBA-ja nuk ia dorëzon atë drejtësisë turke, nuk mund të bëhet fjalë në atë situatë për “mosdëmtim të marrëdhënieve dypalëshe”.

Në vazhdim të intervistës për televizionin me seli në Katar, Presidenti Erdogan bëri vlerësime edhe për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, i cili, sipas tij, shtiret vazhdimisht si nazeli dhe si i vështirë në përpjekje për të ngucur Turqinë në skutë apo për ta futur në rrugë qorre.

Bashkimi Evropian – siguroi lideri turk – nuk ka qenë asnjëherë i drejtë dhe i sinqertë me Turqinë, madje s’ka përmbushur plotësisht as angazhimin e tij për 3 miliardë euro mbështetje në lidhje me refugjatët.

Presidenti i Republikës së Turqisë u ndal po ashtu mbi problemet në botën arabe duke rikujtuar se vendi i tij ka 911 km kufi me Sirinë dhe 350 km me Irakun.

“E kemi të pamundur të mos reagojmë ndaj zhvillimeve në Siri. Ndërsa me Libinë kemi lidhje historike shpirtërore. Kemi duruar shumë, por, pas martirizimit të 56 qytetarëve tanë në sulmin terrorist në Gaziantep, organizuar në muajit gusht nga organizata terroriste DAESH, ne filluam një proces të ri dhe hymë në Jarablus duke mbështetur Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA)”, theksoi ai.

Sa i përket zhvillimeve në Irak – saktësoi Presidenti Erdogan – as ato nuk janë pozitive, sidomos ngjarjet në Kirkuk të shtyjnë në mendime të thella.

Pasi vuri në pah se bashkëbiseduesve të tyre amerikanë u ka tërhequr vëmendjen që të mos molepsin Kirkukun me organizata terroriste, Erdogan paralajmëroi se problemet dhe ngatërresat serioze në Kirkuk mund të pasqyrohen edhe në Tal Afar.

“Mendoj që Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, nuk është në të njëjtën pikë dhe që ka një qëndrim pak më ndryshe. Për ne, vendimtare në këtë çështje janë bisedimet dhe solidarizimi me forcat e koalicionit”, u shpreh lideri turk duke siguruar gjithashtu se nuk do të braktisin kurrë në vetmi bashkëkombësit e tyre në Mosul, Kirkuk dhe Tal Afar.

Ai nënvizoi edhe se Turqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Irakut e Sirisë, nuk dëshiron në asnjë mënyrë copëtimin e tyre dhe se do të luftojnë deri në fund për këtë qëllim.

Në fund të emisionit special në televizionin “Al-Jazeera”, Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se është e pamundur të bëjnë lëshime në lidhje me këtë çështje dhe uroi që pre e kësaj loje të mos bëhen as forcat e koalicionit ndërkombëtar.



Lajme të ngjashme