Gjermani – Terroristi Salih Muslim realizon bisedime në Bundestag

E konsideruar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan si “vend që strehon terroristët”, Gjermania ka pranuar në gjirin e saj një tjetër terrorist...

608742
Gjermani – Terroristi Salih Muslim realizon bisedime në Bundestag

Gjermania ka pranuar në gjirin e saj një tjetër terrorist.

E konsideruar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan si “vend që strehon terroristët” dhe ku Turqia ka dërguar 4 mijë e 500 dosje për ekstradimin e tyre, Gjermania ka pritur së fundmi terroristin Salih Muslim, kreu i PYD-së, fraksion sirian i organizatës terroriste dhe separatiste PKK.

Terroristi Muslim realizoi takime me deputetë të së majtës gjermane (Die Linke) në Parlamentin Federal (Bundestag).

Ky terrorist qëndroi për afro dy orë në restorantin e Bundestagut, ku bisedoi dhe darkoi me deputetet e majta, Sevim Dagdelen dhe Heike Hansel.

I pajisur me kartelën e mysafirit, delegacioni i drejtuar nga terroristi Salih Muslim më pas u largua nga kompleksi parlamentar gjerman.

Një tjetër skandal në këtë aspekt përbën edhe koha e realizimit të këtij takimi, që përkon me debatet në Bundestag rreth zgjatjes deri më 31 dhjetor 2017 të afatit të misionit të trupave gjermane, të cilat qëndrojnë në Bazën Ajrore “Incirlik” të Turqisë në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DAESH.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kishte thënë javën e kaluar se po ndjekin të shqetësuar transformimin e Gjermanisë në oborr të pasmë të organizatës terroriste guleniste (FETO) dhe të rrjeteve të tjera terroriste e separatiste.

“E kam të vështirë të kuptoj sesi një shtet demokratik, një vend pararojë i Bashkimit Evropian, mund të mbrojë anëtarët e kësaj organizate (PKK), të cilën e pranon si organizatë terroriste. Gjermania zgjodhi t’u dalë zot anëtarëve të organizatave terroriste. Jemi të shqetësuar nga qëndrimi juaj, sepse ju, tani, po bëheni strehë për terrorizmin. Kjo bela terroriste do t’ju godasë edhe juve si bumerang. Si Turqi, ne s’presim kurrgjë nga Gjermania, por ju do të gjykoheni përgjatë gjithë historisë për ndihmë dhe inkurajim të terrorizmit. Gjermania tashmë po transformohet me këmbëngulje edhe në një oborr të pasmë të FETO-s. Ne jemi të shqetësuar gjithashtu për këtë gjë. E kam thënë dhe e them përherë: Terrorizmi është sikurse akrepi, vjen një ditë dhe ju pickon. Fati i Gjermanisë, një vend që po u hap gjirin terroristëve, nuk më duket shumë i ndritur”, kishte paralajmëruar Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme