Koment – Nota e kreditit të Turqisë

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me notën e kreditit të Turqisë dhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit...

607705
Koment – Nota e kreditit të Turqisë

Ekonomitë në zhvillim kanë nevojë për investime të huaja të drejtpërdrejta dhe indirekte për të garantuar zhvillimin e shëndoshë të tyre. Falë investimeve të huaja, që një vend arrin të tërheqë, plotësohet kërkesa për kapitalin e domosdoshëm në atë shtet, ulen normat e interesit dhe përmirësohet klima e investimeve. Rënia e interesit të kredive dhe rritja e investimeve sjellin natyrshëm reduktimin e papunësisë, e cila kontribuon direkt në rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve të atij vendi. Një nga faktorët, që ndikojnë më tepër investimet në shtetet në zhvillim e sipër, janë padyshim vlerësimet e kreditit, që agjencinë e klasifikimit të kredive bëjnë në ditën e sotme për ekonomitë e vendeve. Agjencitë e klasifikimit të kredive vlerësojnë periodikisht ekonomitë e vendeve duke shpalosur anët pozitive dhe negative të tyre. Përmes këtyre vlerësimeve, agjencitë në fjalë orientojnë kapitalin dhe sipërmarrësit e vendeve të industrializuara për të investuar ose jo në këto shtete. Edhe pse agjencitë e klasifikimit të kredive nuk kanë pasur ndonjë performancë të mirë në krizën financiare globale të vitit 2008, vlerësimet e bëra prej tyre kanë ende rëndësi madhore sidomos për ekonomitë e vendeve në zhvillim.

Turqia renditet sot ndër 20 ekonomitë më të fuqishme të botës falë potencialit të lartë prodhues dhe ekonomisë së saj në zhvillim. Me një popullsi të re në moshë dhe dinamike, Turqia po realizon një sërë investimesh në fushën e industrisë, bujqësisë dhe turizmit për t’u klasifikuar në mesin e 10 superfuqive ekonomike deri në vitin 2023, një synim ky që përkon me 100-vjetorin e republikës moderne. Nota kreditore e Turqisë, e cila në vitin 2013 është ngritur në nivelin “vend që mund të investohet” nga tri agjencitë më të mëdha në botë të klasifikimit të kredive, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të tërhequr gjatë kësaj periudhe në vend një kapital të huaj kolosal. Ndërsa pas dështimit të tentativës puçiste të 15 korrikut, njëra nga këto agjenci uli vlerësimin e kreditit të Turqisë nën nivelin e përshtatshëm për investime; megjithatë investitorët e huaj nuk janë larguar nga vendi. Sa i përket rritjes së kursit të valutës, veçanërisht për shkak të daljes së një sasie jo fort të konsiderueshme të kapitalit të huaj nga Turqia, ky fenomen është kufizuar nga shitja e valutës së kursyer nga vetë populli turk, i cili tradicionalisht nuk depoziton nëpër banka një pjesë të kursimeve. Pas rrëzimit të shpejtë dhe pjesërisht të gabuar, që disa agjenci ndërkombëtare të klasifikimit të kredive i bënë notës kreditore të Turqisë, “Standard and Poor’s” vendosi pak ditë më parë që të rrisë vlerësimin afatgjatë kreditues të Turqisë. Agjencia “Standard and Poor's” ngriti notën e kredisë së Turqisë nga “negative” në “stabile” duke konfirmuar vlerësimin “BB”.

Sipas njoftimit të kësaj agjencie me seli në Nju-Jork, vlerësimi afatgjatë kreditues është “stabil” si rezultat i qëndresës dhe palëkundshmërisë së ekonomisë turke përballë çdolloj rreziku rajonal e të brendshëm. “Vlerësimi kreditor në valutë i Turqisë është fiksuar në nivelin ‘BB’, ndërsa ai në monedhë kombëtare në shkallën ‘BB+’. Rishikimi i perspektivës reflekton opinionin tonë se hartuesit e politikave do të vazhdojnë të bëjnë hapa drejt zbatimit të reformave të rëndësishme”, theksohet në komunikatën e “S&P”. Po ashtu, sipas parashikimit të agjencisë “Standard and Poor's”, Turqia pritet të shënojë një rritje ekonomike me 3,2 për qind gjatë këtij vitit dhe atij të ardhshëm 2017.

Në këtë suazë, përkundër zhvlerësimit të njësive monetare të tregjeve në zhvillim si pasojë e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe e mundësisë për rritjen e normës së interesit nga Sistemi i Rezervës Federale (Fed – Banka Qendrore në SHBA), në Turqi është vërejtur një atmosferë pozitive. Rrjedhimisht, ekonomisë së një vendi, që fuqizon buxhetin e tij përmes riatdhesimit të kapitalit, pritet që t’i rritet edhe nota kreditore në një hark kohor afatmesëm.

Si përfundim, vendet në zhvillim kanë nevojë për investime të huaja të drejtpërdrejta dhe indirekte për të garantuar zhvillimin e shëndoshë të tyre, kapital të cilin e sigurojnë veçanërisht nga tregjet e shteteve të zhvilluara. Një nga faktorët, që ndikojnë më tepër investimet në shtetet në zhvillim e sipër, janë padyshim vlerësimet e kreditit, që agjencinë e klasifikimit të kredive bëjnë në ditën e sotme për ekonomitë e vendeve, bankat dhe kompanitë e ndryshme. Këto vlerësime bëhen referim për investitorët dhe kanë efekte të mëdha mbi ekonomitë e shteteve. Agjencia “Standard and Poor’s” vendosi pak ditë më parë që të rrisë vlerësimin afatgjatë kreditues të Turqisë duke ngritur notën e kredisë së saj nga “negative” në “stabile” dhe duke konfirmuar vlerësimin “BB”. Pritet që nota kreditore e Turqisë, e cila po e ruan potencialin e ekonomisë së saj përmes masave buxhetore të rrepta, të rivlerësohet dhe rritet në një hark kohor afatmesëm gjithashtu nga agjencitë e tjera ndërkombëtare të klasifikimit të kredive. Në një Turqi me notë investuese të lartë do të hyjë më shumë kapital i huaj, që rrjedhimisht do të ulë normat e interesit dhe do të shtojë investimet. Kjo situatë do të krijojë vende të reja pune duke kontribuuar ndjeshëm në rritjen ekonomike dhe në mirëqenien e qytetarëve të Turqisë

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme