Yildirim: Të rinovohet pa humbur më shumë kohë Karta e OKB-së

Pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare të Partive Politike Aziatike për Emigracionin dhe Refugjatët, Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se duhet të përfundojnë pa humbur më tepër kohë punimet për rinovimin e Kartës së OKB-së...

Yildirim: Të rinovohet pa humbur më shumë kohë Karta e OKB-së

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të shtunën se shteti dhe populli turk përjetoi një sulm tradhtar, por, falë Zotit, ajo natë e errët nuk zgjati shumë dhe vendi doli sërish në dritë.

Pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare të Partive Politike Aziatike (ICAPP) për Emigracionin dhe Refugjatët, organizuar në Stamboll mes datave 4-6 nëntor, kreu i qeverisë turke mbajti një fjalim drejtuar të pranishmëve.

“Vendi dhe populli ynë u sulmua tradhtisht. Ajo e 15 korrikut ishte një natë skëterrë për Turqinë, por, falë Allahut, nuk zgjati shumë dhe pas errësirës ne arritëm ta nxjerrim vendin tonë në dritë. Fitoi demokracia, fitoi populli ynë dhe humbën puçistët”, tha ai.

Puçistët – vijoi Binali Yildirim – kishin llogaritur gjithçka, kishin grabitur avionët, tanket e armët, madje kishin pajtuar edhe disa tradhtarë brenda ushtrisë sonë; çdo gjë ishte sajuar dhe para tyre s’kishte mbetur tanimë asnjë pengesë.

“Mirëpo nuk kishin bërë llogaritë mirë për një gjë të vetme: Llogaria e Allahut dhe fuqia e popullit. Këtë nuk e kishin llogaritur. Ishte pikërisht kjo fuqi, që i vuri gjoksin tankut, topit e dyfekut, duke i dalë për zot flamurit, vendit, popullit dhe demokracisë së saj. I lutem përsëri Zotit të Gjithëfuqishëm që të mëshirojë ata heronj, të cilët sakrifikuan jetën e tyre për këtë kauzë sublime”, shtoi shefi i Ankarasë zyrtare.

Më tej, Kryeministri Yildirim u ndal mbi luftën civile gati 6-vjeçare në Siri, që e cilësoi një dramë njerëzore shumë të madhe.

“Mjerisht, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe vendet e zhvilluara në veçanti, por edhe shoqëria ndërkombëtare në përgjithësi, pavarësisht se kanë në dorë shumëçka për t’i dhënë fund kësaj barbarie, nuk e shfrytëzojnë të gjithë fuqinë e tyre, neglizhojnë dhe qëndrojnë spektatorë përballë këtyre krimeve kundër njerëzimit. Por të mos harrojmë se faji dhe përgjegjësia për gjithë këtë tirani dhe për vdekjen e dhjetëra-mijëra njerëzve të pafajshëm bie pikërisht mbi këto shtete, të cilat nuk prodhojnë zgjidhje, por përshkallëzojnë situatën duke ndërhyrë këtu për të kënaqur ambiciet personale dhe për konkurrencë ndërshtetërore”, nënvizoi ai.

“Ky mekanizëm i formuar që pas Luftës II Botërore tashmë nuk i përballon dot më nevojat e sotme dhe në emër të botës vendos një vullnet më i madh sesa vullneti i gati 200 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Kjo nuk është kurrsesi e drejtë dhe tashmë duhet të përfundojnë pa humbur më tepër kohë punimet për rinovimin e Kartës së OKB-së që ajo të bëhet më pjesëmarrëse sipas kushteve të ditëve të sotme, në rendin e ditës që prej një kohe të gjatë. Përkundrazi, pikëpyetjet rreth saj do të shtohen gjithnjë e më shumë duke zbehur dita-ditës besimin ndaj OKB-së”, u shpreh kryeministri turk në vijim të fjalës.

Po ashtu Yildirim vuri në dukje se siguria e Turqisë nuk kërcënohet vetëm prej trazirave të brendshme dhe luftërave civile në rajonin përreth saj, pasi ajo është përfshirë që prej shumë vitesh edhe në një luftë të pamëshirshme kundër terrorizmit.

“Vetëm dje ne humbën 10 vëllezër, mes tyre civilë dhe policë, për shkak të një sulmi terrorist me bombë, ndërkohë që qindra të tjerë u plagosën. Teksa vazhdojmë luftën tonë kundër organizatës terroriste e separatiste dhe kundër FETO-s, të cilat kërcënojnë vendin tonë, në anën tjetër ne vazhdojmë të ofrojmë kontribute duke pritur me krahë hapur vëllezërit tanë, për të përmirësuar jetën e tyre. Kjo punë e vendosur, që ne po realizojmë për refugjatët, po çmohet lartë. Vlerësimi është një diçka e mirë, por nuk mjafton; përgjegjësitë duhet të ndahen. Duhet me doemos të ndajmë dhimbjet e kësaj drame njerëzore. Vendi ynë ka bërë i vetëm mbi 20-25 miliardë dollarë shpenzime. Nuk jemi penduar, do të bëjmë edhe më shumë. Sepse në besimin tonë qëndron qasja mundësoi jetën njeriut që të jetojë shteti”, përfundoi Kryeministri Yildirim.



Lajme të ngjashme