Koment – Zonat industriale të organizuara dhe punësimi në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me zonat industriale të organizuara dhe punësimin në Turqi...

Koment – Zonat industriale të organizuara dhe punësimi në Turqi

Një nga veçoritë më themelore, që dallojnë vendet me ekonomi të zhvilluara nga ato në zhvillim e sipër, është vëllimi i lartë i prodhimit industrial të tyre. Zhvillimi i industrisë, që mori hov gjatë revolucionit industrial në shekullin e 18-të, ka luajtur rolin e dinamos së zhvillimit të shteteve. Ky proces, që nisi me revolucionin industrial, shpalosi rëndësinë e jashtëzakonshme të prodhimit industrial në zhvillimin e vendeve. Kalimi fillimisht i Anglisë te prodhimi i përqendruar në industri, më pas edhe i vendeve të tjera perëndimore, rezultoi shtysa më e madhe që këto shtete të klasifikohen në mesin e ekonomive më të zhvilluara në botë. Menjëherë pas Luftës II Botërore, prodhimit industrial i kushtuan vëmendje maksimale edhe shumë vende pak të zhvilluara në përpjekje për të reduktuar diferencën e të ardhurave të tyre me shtetet e industrializuara. Prodhimi industrial është gjithashtu një faktor i domosdoshëm për avancimin e teknologjisë, rritjen dhe diversifikimin e investimeve, transformimin e investimeve në punësim, si dhe zhvillimin ekonomik në vend. Në këtë kontekst, shumë hapa për zhvillimin dhe nxitjen e prodhimit industrial janë duke bërë veçanërisht vendet në zhvillim.

Turqia renditet sot ndër 20 ekonomitë më të fuqishme të botës falë potencialit të lartë prodhues dhe ekonomisë së saj në zhvillim. Me një popullsi të re në moshë dhe dinamike, Turqia po realizon një sërë investimesh në fushën e bujqësisë dhe turizmit për t’u klasifikuar në mesin e 10 superfuqive ekonomike deri në vitin 2023, një synim ky që përkon me 100-vjetorin e Turqisë moderne. Lëvizja industriale turke, e cila nisi menjëherë pas themelimit të republikës në vitin 1923, ka marrë një vrull të jashtëzakonshëm falë investimeve madhore të 15 viteve të fundit. Stimujt për investime, teknoparqet, përmirësimet e infrastrukturës dhe paketat e punësimit, nisma këto të shtetit turk për zhvillimin e sektorit industrial në vend, po rezultojnë mjaft efektive. Me anë të investimeve publike, Ankaraja zyrtare po bën investimet e nevojshme për rritjen e prodhimit industrial duke ofruar shanse dhe mundësi të shumta për firmat, që hyjnë në këtë sektor dhe krijojnë punësim e vlerë të shtuar. Një ndër investimet e realizuara për rritjen e prodhimit industrial është edhe themelimi i zonave industriale të organizuara (OIZ), gjithashtu të njohura si parqe industriale, për sipërmarrjet me aktivitet në sektorin industrial. Ministri turk i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Faruk Ozlu, informoi pak ditë më parë opinionin publik në lidhje me 3 zonat industriale të organizuara në rrethet Yozgat, Sanliurfa dhe Artvin, ndërtimi i të cilave ka përfunduar gjatë muajve të kaluar. Siç bëri të ditur ministri Ozlu, në këto OIZ planifikohet që të punësohen rreth 10 mijë e 500 persona. Pasi rikujtoi opinionin publik se Sanliurfa renditet mes qyteteve, që do të shndërrohen në “qendra tërheqëse”, një projekt ky për të cilin kemi folur në artikujt tanë të mëparshëm rreth zhvillimit rajonal dhe vrullit të investimeve në zonat lindore e juglindore të Turqisë, Faruk Ozlu njoftoi se parku industrial në Siverek, ngritur mbi një sipërfaqe 1 milion metër katrorë në qytezën me të njëjtin emër të provincës Sanliurfa, është tashmë funksionale dhe madje ka nisur prodhimin përmes disa firmave, që janë transferuar pa humbur kohë. Ministri turk i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë sqaroi gjithashtu se një tjetër OIZ është ndërtuar mbi një sipërfaqe afro 400 mijë metra katrorë në qytezën Arhavi të rrethit Artvin. Ky park industrial – theksoi ministri Ozlu – ka përfunduar rishtazi në muajin tetor edhe është një zonë industriale e përzierë, ku pritet të punësohen të paktën 1 mijë e 500 persona.

Përfundimisht, rritja e prodhimit industrial bart rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve jo vetëm të vendeve në zhvillim, por edhe të atyre të industrializuara. Ndërsa reduktimi i kostove dhe profesionalizimi në prodhimin industrial mundësohet duke e përqendruar atë në disa zona të caktuara me shërbime infrastrukturore të zhvilluara, gjë që kontribuon pozitivisht dhe drejtpërsëdrejti në rritjen e këtij prodhimi. Falë zonave industriale të organizuara, të cilave u janë shtuar edhe 3 të reja gjatë ditëve të kaluara në Turqi, pjesa e prodhimit industrial në ekonominë turke do të rritet ndjeshëm duke garantuar edhe më shumë punësim. Në këto parqe industriale planifikohet që të punësohen rreth 10 mijë e 500 persona. Rritja e prodhimit në sajë të stimujve, që qeveria turke po mundëson për sektorin e industrisë në përgjithësi, do të sjellë rrjedhimisht një rritje të ekonomisë, të punësimit dhe të nivelit të mirëqenies së qytetarëve në Republikën e Turqisë.

 

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme