Kerry: Çmojmë marrëdhëniet me turqit, u urojmë gëzuar Festën e Republikës

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, uroi të enjten në mbrëmje popullin turk me rastin e 29 Tetorit, Festës së Republikës...

Kerry: Çmojmë marrëdhëniet me turqit, u urojmë gëzuar Festën e Republikës

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, uroi të enjten në mbrëmje popullin turk me rastin e 29 Tetorit, Festës së Republikës.

“Në emër të Presidentit të SHBA-së, Barak Obama dhe të gjithë popullit amerikan, uroj nga zemra popullin turk, i cili më 29 Tetor feston 93-vjetorin e themelimit të Republikës”, thuhet në komunikatën me shkrim të sekretarit Kerry.

Pasi nënvizon se SHBA-ja vazhdon të mbështesë palëkundshmërisht qeverinë dhe institucionet e zgjedhura me rrugë demokratike të Turqisë, një shtet aleat prej shumë kohësh, shefi i diplomacisë amerikane përcjell edhe një tjetër herë ngushëllimet e vendit dhe popullit të tij për të afërmit e viktimave të tentativës për grusht shteti të 15 korrikut.

John Kerry rikujton gjithashtu se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të bashkëpunojnë krah për krah për t’u bërë ballë një sërë vështirësive, ku ia vlen të përmenden veçanërisht lufta civile në Siri, problemi global i refugjatëve dhe lufta kundër kërcënimeve të grupeve ekstremiste.

“SHBA-ja është e vendosur të qëndrojë pranë Turqisë për drejtësinë, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend, sidomos për shkak të sulmeve terroriste që kanë tronditur vendin gjatë kohëve të fundit. Amerikanët çmojnë shumë lidhjet e tyre me turqit. Me rastin e kësaj dite të shënuar, ju urojmë juve një vit plot lumturi, mirëqenie dhe siguri”, theksohet në fund të komunikatës së sekretarit amerikan të Shtetit.



Lajme të ngjashme