Erdogan: Kemi nevojë për përkrahjen e Putinit në anti-terrorizëm

Presidenti Erdogan prononcohet për kanalin televiziv rus Rossiya-1.

Erdogan: Kemi nevojë për përkrahjen e Putinit në anti-terrorizëm

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dha mesazhe të qarta nëpërmjet ekraneve të kanalit televiziv rus Rossiya-1.

Presidenti Erdogan ka qenë mysafir i emisionit “Formula Vlasti” e moderatorit Mihail Gusman.

Duke prekur në luftën kundër terrorit në Lindjen e Mesme, Presidenti Erdogan tha se “Kemi nevojë për përkrahjen e mikut tim të nderuar Zt. Putin në luftën kundër terrorit në këtë rajon. Jemi të gatshëm për të hedhur çdo hap të nevojshëm për bashkëpunim me Rusinë në lidhje me këtë çështje”.

Ndërkaq duke thënë se projekti i centralit bërthamor “Akkuyu” është i rëndësisë jetike për Turqinë, Presidenti Erdogan vijoi me këto fjalë: “Kemi humbur shumë kohë në lidhje me këtë projekt. Qëllimi është që ta përfundojmë sa më parë dhe ta vëmë në veprim. Ndërsa kur bëhet fjalë për projektin e “Rrymës Turke” ne paraqitëm opinionet e njëjta gjatë mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi, ku mori pjesë edhe i nderuari, Presidenti Vladimir Putin. Nuk bëhet fjalë që ne ta pengojmë këtë projekt”.

Erdogan në mes tjerash tha se fusha e cila ofron më së shumti popujt e dy vendeve është ajo e turizmit dhe vijoi duke thënë se “Në këtë fushë kemi patur një pushim mjaftë të gjatë. Numri i turistëve vitin e kaluar në praktikë kishte arritur numrin rekord. Ndërkaq këtë vit ndoshta ata do të mund të linin pas gjermanët të cilët ishin të shumtë në numër. Por, unë besoj që gjatë periudhës së ardhshme do të rritet edhe bashkëpunimi në fushën e turizmit. Natyrisht rriten edhe lidhjet farefisnore”.

“Aktualisht në Turqi, posaçërisht në zonat turistike nuk ka asnjë problem dhe se janë marr të gjitha masat e nevojshme për sa i përket sigurisë”, deklaroi Erdogan ndërsa shtoi se “Do të vazhdojmë me masa të njëjta edhe në të ardhmen. Prandaj nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Aktualisht brigjet tona janë të sigurta dhe presin turistë. Mirëpo pushimet nuk bëhen vetëm në bregdet, në të njëjtën kohë kemi edhe sektorët e turizmit fetar, kulturor, shëndetësor, të golfit, të turizmit malor”.

Presidenti Erdogan theksoi se në Turqi të gjithë kanë të drejta të barabarta demokratike dhe se në qeveri ka edhe ministra me origjinë kurde ndërsa vijoi me këto fjalë: “Fatkeqësisht ata që thonë se janë liderë të kurdëve, vetëm i shkaktuan dëme popullit kurd. Duke i derdhur nëpër rrugë ata u bënë shkaktar të humbjeve të jetëve të qytetarëve tanë kurd. Fatkeqësisht ata kryejnë aktivitete të terrorit. Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër tyre”.

Erdogan kritikoi edhe qëndrimin e Brukselit ndaj Ankarasë.

“Negociatat për anëtarësim në BE janë duke u zhvilluar prej vitit 1963 e këtej. Ata na vonuan për 53 vjet dhe vazhdojnë të na vonojnë”, tha Erdogan.

Presidenti rikujtoi edhe krizën e emigrantëve të filluar me problemin e Sirisë duke thënë se “Nga Siria dhe Iraku kanë ardhur më shumë se 3 milionë refugjatë. Shpenzimet tona së bashku me disa organizata joqeveritare kaluan 20 miliardë dollarë. Evropa nuk na ndihmon, ndërsa premtuan se do të ndihmojnë. Ne kemi marr vetëm 53 milionë dollarë ndihma nga Kombet e Bashkuara, ndërsa Turqia mori mbi supe këtë barrë të madhe”.

Gjatë programit Presidenti preku edhe në tentativën e grusht shtetit të ndërmarr më 15 korrik nga ana e organizatës terroriste gyleniste/strukturat paralele në shtet (FETO/PDY).

“Në ditën e dytë të këtyre ngjarjeve Presidenti Putin më telefonoi mua. Gjatë bisedës ai theksoi se janë kundër grusht shteti dhe shprehu përkrahjen e tij ndaj nesh. Unë në emrin tim personal dhe në emër të popullit tim e falënderoj shumë për këtë qëndrim parimor”, tha Erdogan.



Lajme të ngjashme