Kallën: Mposhtja e DAESH-it nuk është e pamundur

Artikulli i zëdhënësit të presidencës së Turqisë Ibrahim Kalin për Daily Sabah.

Kallën: Mposhtja e DAESH-it nuk është e pamundur

“Rëndësia e DAESH-it u rrit për shkak të një serë gabimeve të kryera në emër të oportunizmit politik, dominimit etnik/sektar dhe luftërave me prokurë (në mungesë). Shmangia e këtyre gabimeve të bëra në të kaluarën e afërt është çelësi për ti shkaktuar disfatë DAESH-it. 

DAESH-i për disa muajt e fundit, ka qenë në tërheqje në shumë nga territoret që mbante nën kontroll në Siri dhe Irak. Me rënien e Dabikut (Dabëk) dhe fillimin e operacionit të Mosullit, DAESH-i është nën presion më shumë se kurrë. Në fund të fundit, për të mposhtur DAESH-in ushtarakisht mund të jetë më e lehtë se sa mendohej fillimisht. Por kjo është vetëm një pjesë e tregimit. Për të mposhtur DAESH-in dhe ideologjinë e tij të çthurur duhen bërë disa gjëra shtesë. Më e rëndësishmja është se elementët që çuan në rritjen dhe përhapjen e DAESH-it mund të bëhen në çdo kohë sebep për ringjalljen e tij.

DAESH ka lindur në vitin 2003 në Irak pas pushtimit amerikan me pretendimet se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë - një pretendim ky që doli në shesh se ishte i rremë. DAESH-i u rrit në fuqi për shkak të politikave sektare të qeverisë së Malikit. Dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur popullin sirian kundër sulmeve barbare të regjimit të Esadit i dha DAESH-it shansin që nevojitej për tu kthyer në një organizatë terroriste edhe më vdekjeprurëse. E udhëhequr nga një ideologji perverse e vdekjes dhe shkatërrimit, kjo organizatë ka manipuluar ndjenjat e humbjes, padrejtësisë dhe shtypjes. Ndërkohë që fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë vazhdojnë luftërat me prokurë të pavlershme dhe shumë të kushtueshme nëpërmjet Irakut dhe Sirisë, DAESH-i ndërtoi imazhin e një organizate terroriste të pamposhtur.

Edhe pse ne ashtu dëshirojmë, organizatat terroriste si DAESH-i nuk do të zhduken. Në luftën për të mbajtur të neutralizuar virusin e grupeve të tilla nevojitet një koordinim dhe angazhim serioz. Por fitoret e fundit kundër DAESH-it në Jarablus, Azazit, Munbiç dhe Dabik në Siri në fund të fundit provojnë se organizata terroriste nuk është e pathyeshme. Operacioni në Mosull, i udhëhequr nga forcat irakiane në krye dhe ku janë përfshirë edhe forcat peshmerge dhe koalicioni ndërkombëtar, operacion ky që mbështetet edhe nga Turqia, pritet ti japë një goditje të madhe organizatës terroriste në fjalë. Por çdo gabim në Mosull përmban potencial për të mos e dobësuar DAESH-in por ta bëjnë atë më të fortë në vende të tjera”.

Kurse arsyeja për këtë është se kushtet që krijuan DAESH-in në radhë të parë janë ende aktuale. Mungesa e koordinimit në luftën kundër terrorizmit, vazhdueshmëria e masakrave të regjimit të Esadit, politikat sektare, krimet e aktorëve jashtë-shtetëror dhe një sërë shkaqesh të tjera mbeten faktorët kryesorë që DAESH-i i shfrytëzon në favor të tij. Ne gjithashtu duhet të theksojmë edhe faktin se DAESH-i është një mjet i dobishëm në duart e racistëve dhe islamofobëve të cilët shfrytëzojnë frikën e shoqërive perëndimore përmes kërcënimit të DAESH-it dhe imazhin e tij si një e keqe pamposhtur.

Ekstremizmi që përmban dhunë është një fenomen global dhe ka shumë arsye për këtë. Ai mund të jetë motivuar nga idetë fetare, laike apo nacionaliste. Ai është i lidhur edhe me rrethanat socio-politike në të cilën individët reagojnë për atë që ata e konsiderojnë të jetë padrejtësi e madhe dhe shtypje për ta. Luftërat, konfliktet vdekjeprurëse, luftërat civile, armiqësitë fisnore (klanore), shtetet e dështuara dhe një mori faktorësh të tjerë luajnë një rol të madh në rritjen dhe përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm. Arsyeja për shfaqjen e ekstremizmit të dhunshëm mund të jetë më shumë se një dhe ne duhet të përvetësojmë një qasje të integruar për të kuptuar shkaqet e saj dhe të veprojmë në disa nivele për ta kontrolluar dhe për ta parandaluar atë.

Një qasje e tillë kërkon veprim kryesisht në dy nivele: në nivelin e ideve dhe nivelin e fakteve. Ekstremizmi i dhunshëm si ide është një forcë shtytëse për grupe të ndryshme terroriste si DAEDH-i, PKK, ETA dhe  nacionalistët budistë anti-muslimane në Mianmar (Birmani). Për të luftuar kundër tyre nevojitet luftë idesh në mënyrë që përpjekjet për të justifikuar metodat terroriste të refuzohen bazuar në burime autentike dhe të besueshme. Në rastin e DAESH-it, dijetarët myslimanë dhe udhëheqësit fetarë kanë hedhur poshtë ideologjinë e tyre ekstremiste dhe kanë treguar falsitetin e logjikës së tyre. Shembulli më mirë i kësaj përpjekjeje është letra e një numri të madh dijetarësh dhe akademikësh të shquar myslimanë dërguar liderit të DAESH-it Ebu Bekr el-Bagdadi në nëntor të vitit 2014. Studiues të tjerë të shumtë dhe liderë të komuniteteve kanë refuzuar ideologjinë ekstremiste të DAESH-it dhe përpjekjet e tyre të kota për të justifikuar ideologjinë e tyre barbare.

Megjithatë refuzimi i themelit të metodologjisë së DAESH-it nuk është i mjaftueshëm. Prandaj duhet të tregohet edhe se si ata shtrembërojnë dhe devijojnë mesazhin bazë të islamit. Në të vërtetë, ideologjia dhe praktika e DAESH-it bie ndesh me besimet dhe mënyrën e jetesës së më shumë se 1.7 miliard myslimanëve në mbarë botën. Por një grup i vogël ekstremistësh janë ende në gjendje që të keqpërdorin fenë për të justifikuar egërsinë e tyre. Natyrisht që ky nuk është vetëm një problem veçanërisht i islamit. Edhe hebrenjtë, krishterimi, budizmi dhe fetë e tjera kanë qenë subjekt i shkeljeve dhe interpretimeve ekstremiste të ngjashme. Duke filluar nga Baruch Goldstein e deri tek Andres Breivik, shumë prej tyre kanë kryer akte terroriste në emër të fesë, vendit ose ideologjive të tyre.

Sfida kryesore për të luftuar përbindëshin është që ta luftosh atë pa u kthyer në një të tillë (përbindësh). DAESH-i është lejuar të bëhet një përbindësh i tillë si rezultat i një sërë politikash të dështuara në vitet e fundit. Ashtu siç dihet Operacioni i Turqisë ‘Mburoja e Eufratit” që ka filluar më 24 gusht ka treguar se një luftë efektive kundër DAESH-it është e  mundur me përkrahjen e grupeve legjitime të opozitës dhe duke i mbështetur ata me burimet e nevojshme politike, ushtarake dhe intelektuale. Të gjitha këto tregojnë se disfata e DAESH-it dhe organizatave të tjera terroriste nuk është e pamundur.

Rëndësia e DAESH-it u rrit për shkak të një serë gabimeve të kryera në emër të oportunizmit politik, dominimit etnik/sektar dhe luftërave me prokurë (në mungesë). Shmangia e këtyre gabimeve të bëra në të kaluarën e afërt është çelësi për ti shkaktuar disfatë DAESH-it" shkruan zëdhënësi i presidencës Ibrahim Kalin në artikullin e tij për Daily Sabah.



Lajme të ngjashme