Koment – Sistemi i Pensioneve Private në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me Sistemin e Pensioneve Private në Turqi...

Koment – Sistemi i Pensioneve Private në Turqi

Një nga elementët më esencialë të zhvillimit ekonomik të një vendit është rritja mjaftueshëm e kapitalit për investime duke bërë kursime. Kapitali i grumbulluar si rezultat i kursimeve të qytetarëve dhe firmave të një vendi shfrytëzohet sërish nga tregjet financiare të po atij vendi për t’iu ofruar investitorëve në formë huaje. Sa më e madhe të jetë sasia e kursimeve aq më shumë kapital do të grumbullohet dhe rrjedhimisht do të bien normat e interesit. Kështu shfaqen edhe shanset për kredi të buta apo hua me kosto të ulëta për ata, që duan të marrin kredi. Nëse u hedhim një shikim ekonomive të vendeve të industrializuara do të vërejmë se këto shtete kanë pasur shkalla të larta kursimi gjatë një periudhe të caktuar të fazave të zhvillimit. Kurse sot, në krye të vendeve që bëjnë më tepër kursime renditen dy shtete aziatike, Japonia dhe Kina, e para një vend i industrializuar dhe e dyta një vend në zhvillim e sipër. Megjithatë kursimi mbi një nivel të caktuar nxjerr në pah rrezikun e stanjacionit ekonomik, që mund të degradojë deri në recesion në rast se vijon për kohë të gjatë. Në 25 vitet e fundit, Japonia po përballet me probleme të ndryshme pikërisht si pasojë e shkallës së lartë të kursimeve. Prandaj është mjaft e rëndësishme që të llogaritet dhe përcaktohet niveli më i përshtatshëm i kursimeve për vendet.

Turqia klasifikohet si një ndër 20 ekonomitë më të zhvilluara të botës, që ndryshe njihen edhe si G20. Falë popullsisë së saj të re në moshë dhe dinamike, ajo vazhdon të jetë një nga shtetet me zhvillim ekonomik të vazhdueshëm. Detyrimisht Turqisë i nevojiten investime për ekonominë e saj në zhvillim, si dhe kapital për këto investime. Prandaj kur bëhet fjalë për ekonomi, atëherë kursimet e qytetarëve përbëjnë burimin më të madh të kapitalit me kosto të ulët. Siç e përmendëm edhe në fillim të artikullit, rritja e shkallës së kursimeve në vend kontribuon pozitivisht në ekonomi përmes kanaleve të ndryshme. Disa muaj më parë, zyrtarët turq njoftuan opinionin se brenda një kohe të shkurtër do të nisë zbatimi i një projekti të rëndësishëm për nxitjen e rritjes së shkallës së kursimeve në vend. Me anë të këtij projekti do të mundësohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e të gjithë nëpunësve rrogëtarë (administrata publike) nën 45 vjeç në Sistemin e Pensioneve Private. Sipas sistemit në fjalë, të tërë nëpunësit e shtetit nën 45 vjeç do të përfshihen automatikisht përmes institucioneve punëdhënëse. Megjithatë pjesëmarrësit që dëshirojnë mund të dalin jashtë sistemit pas 2 muajsh pa kurrfarë humbjeje. Ndërsa për ata që do të qëndrojnë, planifikohen kontribute shtetërore suplementare krahas atij sa 25 për qind e kontributit individual, që shteti ofron prej tashmë disa vitesh. Njëri prej tyre është edhe kontributi shtetëror prej 1.000 lirash turke (rreth 300 dollarë), i cili do të jepet vetëm një herë për çdo nëpunës që vendos të mos heqë dorë nga Sistemi i Pensioneve Private. Gjithnjë sipas detajeve të këtij projekti, kontributin shtetëror nuk do të mund ta marrë asnjë pjesëmarrës, që del jashtë sistemit brenda 3 viteve të para; ata që qëndrojnë në sistem 3-6 vjet, do të përfitojnë 15 për qind të kontributit shtetëror; për ata nga 6-10 vjet do të jepet 35 për qind e shumës së përgjithshme të kontributit të shtetit; ndërsa pjesëmarrësit që nuk largohen deri në moshën e pensionimit, do të përfitojnë 100 për qind nga kontributi shtetëror ndër vite.

Si përfundim, për realizimin e rritjes ekonomike të një vendi, qoftë ky i industrializuar apo në zhvillim e sipër, duhet të bëhen ose të jenë bërë kursime në një nivel të caktuar. Veçanërisht për shtetet pak të zhvilluara ose në zhvillim, që aspirojnë të kenë një ekonomi më të fuqishme, shkalla e lartë e kursimeve është me rëndësi madhore që ato shtete të grumbullojnë kapital nga burimet vendore. Rritja e nivelit të kursimeve mundëson rënien e normave të interesit dhe ndërton kapitalin e nevojshëm për të investuar. Kështu, grumbullimi i kapitalit përmes rritjes së shkallës së kursimeve është një çështje shumë e rëndësishme edhe për Turqinë, e cila kërkon vijimësinë e investimeve brenda vendit. Pak kohë më parë, autoritetet qeveritare turke bënë me dije se brenda një kohe të shkurtër do të nisë zbatimi i një projekti të rëndësishëm për nxitjen e rritjes së shkallës së kursimeve. Me anë të këtij projekti do të mundësohet pjesëmarrja direkte e të gjithë nëpunësve nën 45 vjeç në Sistemin e Pensioneve Private, që parashikon edhe kontribut shtetëror suplementar për të gjithë punonjësit e administratës publike, të cilët do të përfshihen automatikisht në sistem duke filluar nga data 1 janar 2017. Ky sistem ka për qëllim grumbullimin e kapitalit të nevojshëm për të vazhduar dhe financuar me kosto të ulëta investimet në Turqi. Në një ekonomi, që shënon rritje përmes kursimeve brenda vendit, investimet shtohen natyrshëm dhe rrjedhimisht krijohen mundësi të reja punësimi për qytetarët.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme