Erdogan: Do të luftojmë kudo që të nevojitet për të ardhmen e Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se Turqia do të luftojë kudo që të nevojitet për të ardhmen e saj dhe se kjo adresë tani është Mosuli...

Erdogan: Do të luftojmë kudo që të nevojitet për të ardhmen e Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se sakrifikimi i Mosulit për sektarizëm do të transferojë problemin e atjeshëm në kufijtë e vendit të tij duke theksuar se kjo gjë duhet të parandalohet.

Kreu i shtetit turk mbajti mesditën e mërkurës një fjalim në takimin e 28-të me të zgjedhurit lokalë, organizuar në ambientet e Kompleksit Presidencial në Ankara.

Krahas operacionit për çlirimin e Mosulit nga pushtimi mbi 2-vjeçar i organizatës terroriste DAESH, ai ngriti në qendër të vëmendjes dramën humanitare në qytetin sirian të Halepit.

Erdogan theksoi se Turqia do të luftojë kudo që të nevojitet për të ardhmen e saj.

“Kjo adresë tani është Mosuli, prandaj ne do të jemi në Mosul. U arrit marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrjen e forcave tona ajrore në operacionin e Mosulit. Progres do të ketë edhe në lidhje me çështje të tjera”, siguroi lideri turk.

Në vijim, Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen se disa rrethe të caktuara po kërkojnë dhe përpiqen me të gjitha mënyrat që ta sorollatin Turqinë me anë të organizatave terroriste FETO, PKK dhe DAESH, vetëm e vetëm që ta mbajnë atë larg Mosulit.

“Ata që përpiqen të pengojnë pjesëmarrjen e Turqisë në operacionin e Mosulit, janë ata që shqetësohen se mos ne u prishim lojën e tyre në Siri. Ata duan që Turqia të mos luajë vendit, të shikojë ato që ndodhin dhe më pas të paguajë pasojat. Por ta dinë se gabohen rëndë të gjithë ata, që mendojnë se do t’i japin trajtë pavarësisë dhe të ardhmes sonë përmes organizatave terroriste. Le ta dinë mirë se armët e këtyre organizatave do t’iu shpërthejnë në duar. Kam një paralajmërim për përkrahësit e fraksionit PYD/JPG të PKK-së, qeverisë sektare të Bagdadit dhe regjimit të Esadit: Jeni në rrugë të gabuar! Zjarri, që po tentoni të ndizni, do të djegë ju më shumë sesa ne”, u shpreh kreu i shtetit turk.

Sakaq, Erdogan nënvizoi se është shënuar progres i rëndësishëm në lidhje me jetësimin e projektit për zonën e sigurt prej 5.000 km2 në Siri, pa prani të elementëve terroristë.

Ai sqaroi se problemin e Halepit e ka trajtuar edhe gjatë bisedës telefonike të së martës me homologun rus, Vladimir Putin, i cili ka kërkuar me politesë nga Turqia që të angazhohet për të nxjerrë jashtë këtij qyteti Frontin Al-Nusra.

“Ne jemi hedhur në veprim për këtë gjë. Duhet të shuajmë zjarrin, që po djeg Halepin, sepse këtë ua kemi borxh vëllezërve tanë të atjeshëm”, tha Presidenti Erdogan dhe paralajmëroi se një valë e re emigracioni, që mund të nisë nga ajo zonë, do të sillte në Turqi të paktën 1 milion njerëz të tjerë.

“Më dhemb zemra e më djeg shpirti kur shoh se qysh është katandisur ai Halep i bukur, gjithë ai civilizim dhe qytet historik. Është bërë rrafsh me tokën”, shtoi ai.

Më tej, lideri turk bëri me dije se në kuadër të operacionit ushtarak “Mburoja e Eufratit”, që vijon në veri të Sirisë që prej datës 24 gusht 2016, elementët terroristë të DAESH-it janë spastruar nga Jarabulusi, Al-Rai dhe së fundmi nga Dabiku.

“Por çfarë ka më poshtë? Atje është qyteti Al-Bab. Ne do të shkojmë edhe atje. Sepse zona, nga e cila kërcënohet Turqia, nuk përfundon në Dabik, por zbret edhe më në jug të Al-Babit. Që andej ne duhet të rrethojmë edhe qytetin Manbij”, theksoi Presidenti Erdogan duke tërhequr vëmendjen se rezultati, që Turqia ka rritur për 2 muaj në veri të Sirisë, nuk ishte marrë prej 4 vitesh më parë.



Lajme të ngjashme