Çavusoglu: Delegacioni i Bagdadit do të vizitojë Turqinë brenda kësaj jave

"Vizita e delegacionit turk në Bagdad ka kaluar në një atmosferë pozitive", deklaroi Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Çavusoglu: Delegacioni i Bagdadit do të vizitojë Turqinë brenda kësaj jave

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), ka deklaruar se brenda kësaj jave, një delegacion nga Bagdadi do të vizitojë Turqinë. Ai ka theksuar se vizita e delegacionit turk në Bagdad ka kaluar në një atmosferë pozitive.

Çavushollu i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së tij në Uzbekistan, ku është duke u zhvilluar mbledhja e 43-të e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku i bëri një vlerësim edhe vizitës në Bagdad të delegacionit turk të kryesuar nga nënsekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Ymit Jallçën (Ümit Yalcın).

Duke e bërë të ditur se delegacioni turk pati një takim pozitiv në Irak dhe se opinionet e Turqisë i janë përcjellë palës irakiane edhe me shkrim, Ministri Çavushollu tha se edhe zyrtarët irakian bënë të ditur se me Kryeministrin Hajdar Ibadi do të bisedojnë në lidhje me çështjen dhe se delegacionit turk do ti përcjellin opinionin e tij.

“Një delegacion i Bagdadit, gjatë kësaj jave, ndoshta ditën e enjte, do të vizitoj Turqinë. Në të vërtet të dyja palët kanë vullnet të mirë për zgjidhjen e kësaj çështjeje me anë të dialogut”, u shpreh Çavushollu.    

Mevlyt Çavushollu ndër të tjera tha se "Në vend të retorikave dhe deklaratave ne kemi preferuar që çështjen e Bashika-s ta diskutojmë mes dy vendeve për të gjetur një rrugë të përbashkët. Realisht vëllezërit tanë irakianë hyjnë në një diskutim të fryrë dhe të panevojshëm. Ne nuk shkuam atje rastësisht. Shkuam me ftesë, ndërsa pas 8 muajsh ata filluan të reagojnë ndaj kësaj".

Duke e bërë të ditur se Turqia respekton unitetin dhe tërësinë territoriale të Irakut, Çavushollu tha se: "Nuk ka vend që të përkrahë më shumë se ne unitetin dhe tërësinë territoriale të Irakut. Japim edhe mesazhe të njëjta grupeve që ndodhen për qëllime të ndryshme në Irak. Ne duam që tërësia e këtij shteti të ruhet dhe të pastrohet nga organizatat terroriste".

Shefi i diplomacisë turke tha se organizatat terroriste si DEASH dhe PKK sulmojnë drejtpërdrejt Turqinë dhe në vijim shtoi: "Ushtarët që ne stërvitëm në Bashika, momentalisht janë në operacionet për çlirimin e Mosulit. Vëllezërit tanë irakianë kuptuan edhe njëherë se puna jonë atje nuk është kundër, por pro tyre".

Një delegacion turk i përbërë nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke dhe Shërbimit Informativ, dje zhvilloi një vizitë zyrtare në Bagdad.



Lajme të ngjashme