Yildirim: Turqia, vendi me rritjen më të shpejtë të kërkesës për energji

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi se vendi i tij është ai me rritjen më të shpejtë të kërkesës për energji në 10-vjeçarin e fundit mes shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)...

Yildirim: Turqia, vendi me rritjen më të shpejtë të kërkesës për energji

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi se vendi i tij është ai me rritjen më të shpejtë të kërkesës për energji në 10-vjeçarin e fundit mes shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Ai gjithashtu theksoi se Turqia renditet në vendin e dytë në botë, menjëherë pas Kinës, sa i përket rritjes në sektorin energjetik.

Binali Yildirim mbajti një fjalim në sesionin e hapjes së Kongresit 23. Botëror të Energjisë, që po zhvillohet në Stamboll.

“Rritja e kërkesës për energji në Turqi është pothuajse tre herë më e lartë sesa ajo e mesatares botërore. Në vitin 2023, kërkesa jonë për energji do të jetë 2-fishi i aktuales. Prandaj Turqia do të vazhdojë me vendosmëri të kontribuojë në zhvillimin e sigurisë globale të energjisë dhe në përpjekjet lidhur me konsolidimin e themeleve të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, siguroi shefi i Ankarasë zyrtare.

Turqia – vijoi Yildirim – është duke bërë përpjekje maksimale për transformimin e vendit në një qendër të tregtisë së energjisë.

“Ne jemi duke mbështetur projekte për depozitimin, transportin dhe sigurinë e gazit. Projektet tona në këtë drejtim janë duke vazhduar me shpejtësi. Në 10 vitet e fundit kemi dyfishuar fuqinë tonë prodhuese të energjisë. Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, ne kemi bërë përpjekje për të shtuar burimet e energjisë së rinovueshme. Në këtë suazë, kemi vlerësuar veçanërisht burimet tona, pra, burimet vendore të energjisë së rinovueshme. Vendi ynë po ndjek nga afër tendencën botërore në zhvillim dhe në rritje për këtë lloj energjie dhe po e kupton çdo ditë e më tepër rëndësinë dhe prioritetin e energjisë së rinovueshme”, shtoi kryeministri turk.

Në vijim të fjalës së rastit, Binali Yildirim vuri theksin tek siguria e kërkesës dhe burimeve të energjisë.

“Besoj se siguria e kërkesës dhe burimeve të shumta të energjisë, si dhe çmimi i pranueshëm, janë interesa kombëtare për çdo vend tashmë. Kjo gjë nuk ka të bëjë vetëm me ekuilibrat ekonomikë, rritjen ekonomike apo mirëqenien e një vendi, por ndikon në marrëdhëniet mes vendeve dhe zgjedhjen në politikën e ardhshme, politikat e mbrojtjes, etj. Shkurtimisht, kjo ndikon në paqen rajonale dhe globale. Në këtë kuadër siguria dhe mirëqenia janë të lidhura ngushtë me energjinë”, shpjegoi ai duke nënvizuar rëndësinë e një koordinimi ndërkombëtar në përputhje me interesat e përbashkëta.



Lajme të ngjashme