Turqi-Rusi firmosin marrëveshjen për "Rrjedhën Turke"

Marrëveshja për gazsjellësin "Rrjedhën Turke", që do të sjellë gazin rus në Turqi, u nënshkrua të hënën në Stamboll nga ministrat e energjetikës së Turqisë dhe Rusisë.

Turqi-Rusi firmosin marrëveshjen për "Rrjedhën Turke"

Janë hedhur firmat për “Rrjedhën Turke”.

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Berat Albayrak bashkë me Ministrin e Energjisë së Rusisë, Aleksand Novak hodhën të hënën firmat mbi marrëveshjen për projektin e tubacionit "Rrjedha Turke", i cili do të transportojë gaz nga Rusia drejt Turqisë.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u organizua në Vilën Mabeyn në Stamboll. Në ceremoni morën pjesë edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe homologu rus, Vladimir Putin, i cili ndodhej në qytet për të marrë pjesë në Kongresin e 23-të Botëror të Energjisë.

Presidenti Erdoan në fjalën që mori në konferencën e shtypit organizuar pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se në takimin mbi një e gjysmë që kishte patur me Vladimir Putin krahas energjisë kanë trajtuar edhe kryefjalët e tjera që interesojnë marrëdhëniet dypalëshe, si: kulturën, turizmin dhe tregtinë.

Kryetari i shtetit turk shprehu bindjen se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë do të vazhdojë me shpejtësi, ndërsa shtoi se brenda disa muajve do të mbahet mbledhje Konsultative e Nivelit të Lartë.

Erdoan tha se në kuadër të zhvillimeve aktuale në rajon kishte biseduar me Putinin për Sirinë, operacionin “Mburoja e Eufratit” dhe kishin vlerësuar alternativa e mundshme të bashkëpunimit për dimensionin humanitar të dramës në Halep. Burokratët e nivelit të lartë të të dyjave ndeve do të takohen dhe ti vlerësojnë në detaje të gjitha këto çështje, sqaroi Erdoan.

Presidenti Erdoan theksoi se me homologun rus kishin rënë dakord për vazhdimin me shpejtësi në të ardhmen të procesit lidhur me ndërtimin e Centralit të Energjisë Nukleare “Akkuyu”, duke shtuar se koha e humbur do të kompensohet me shpejtësi.

Ndërsa presidenti mysafir, Vladimir Putin fjalën e tij e nisi duke e përgëzuar palën turke për suksesin e shënuar në organizimin e Kongresit Botëror të Energjisë.

Putin tha se bashkë me Erdoanin kishin trajtuar marrëdhëniet dypalëshe, dhe kishin rënë dakord për përshpejtimin e punimeve në këtë fushë.

Në takim shtruam në tavolinë për diskutim bashkëpunimin në fushën e energjisë, në mënyrë që të përfshijë edhe Centralin Akkuyu, cilësoi lideri rus, duke nënvizuar se ky projekt përfshin edhe fushën e trajnimit të personelit.

Putin deklaroi se në takimin me Presidentin Erdoan kishin rënë dakord edhe për një ulje të çmimit të gazit natyror që Turqia blen nga Rusia.

Turqia me Rusinë janë për ndalimin e gjakderdhjes në Siri, nënvizoi Vladimir Putin, dhe uruan që procesi i tranzicionit politik në këtë vend të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Edhe ne duam që ndihmat humanitare të mbërrijnë në qytetin e Halepit në Siri, u shpreh Vladimir Putin, duke shtuar se administratës amerikane i kanë përcjellë rekomandime për parandalimin e një provokacioni të mundshëm.

“Por ata (amerikanët) nuk duan ta bëjnë këtë”, tha Putin.

Putin vlerësoi me tone pozitive edhe rekomandimin e Përfaqësuesit Special të OKB-së për Sirinë, de Mistura “për largimin nga rajoni të grupeve që nuk duan të lënë armët” si masë për ndalimin e gjakderdhjes në Halep.



Lajme të ngjashme