Ankaraja apel Damaskut e Bagdadit: Bëhuni shtet, pastaj thumboni Turqinë

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, u bëri thirrje qeverive të Irakut dhe të Sirisë që t’u dalin për zot vendeve të tyre duke shpalosur vullnet kundër terrorizmit...

Ankaraja apel Damaskut e Bagdadit: Bëhuni shtet, pastaj thumboni Turqinë

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, u bëri thirrje qeverive të Irakut dhe të Sirisë që t’u dalin për zot vendeve të tyre duke shpalosur vullnet kundër terrorizmit.

Shefi i ekzekutivit turk mbajti një fjalim në ceremoninë zyrtare të çeljes së vitit akademik 2016-2017 në Universitetin Teknik të Stambollit (ITU).

“Nëse ju vazhdoni të lejoni aty organizatat terroriste dhe një sërë elementësh, që nuk prodhojnë zgjidhje për asnjë problem të vendit tuaj, atëherë është e natyrshme që Turqia të marrë – dhe ka të drejtë të marrë – çdolloj mase për të mbrojtur kufijtë e saj, për të luftuar kundër terrorizmit, si dhe për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve të saj”, u shpreh ai në një apel drejtuar Damaskut dhe Bagdadit zyrtar.

Binali Yildirim rikujtoi gjithashtu se Turqia është vendi më i prekur nga destabiliteti dhe situata kaotike, që kanë gjetur jetë viteve të fundit në Irak e Siri.

“Fatkeqësisht, qeverive të këtij rajoni nuk u dëgjohet zëri kur atje ushtrojnë aktivitet shumë vende, të cilat nuk kanë asnjë lloj lidhjeje fizike dhe shpirtërore me rajonin; ndërkohë që shohim të shqetësohen kur çështjes i del për zot Turqia, shteti që është prekur më shumë nga mungesa e stabilitetit dhe kaosi në to. Ata, që thonë një gjë të tillë, më parë duhet t’i dalin për zot shtetit të tyre. Ju më parë diluni zot të gjithë qytetarëve tuaj, parandaloni zhdukjen e tyre dhe mësoni të bëheni shtet; pastaj thumboni Turqinë. Përndryshe fjalët tuaja janë thjesht humor”, tha Kryeministri Yildirim.

Në Turqi – theksoi kreu i Ankarasë zyrtare – lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë deri në zhdukjen e plotë të tradhtarëve nga këto troje dhe le të dihet që këto janë përpëlitjet e fundit të atyre, që i kanë varur shpresat te terrorizmi.

“Mjerisht, terroristët nuk kanë asnjë gjë të shenjtë. Ata nuk hezitojnë aspak për t’u marrë jetën njerëzve. Ç’është e vërteta, lufta kundër terrorizmit nuk është një fenomen i ri për vendin tonë. Kemi të bëjmë me një periudhë gati 40-vjeçare. Por ajo çka ndryshon sot është se ne nuk luftojmë më vetëm kundër organizatës terroriste e separatiste, por edhe kundër organizatës terroriste guleniste (FETO) e DAESH-it. Në një fare kuptimi, Turqia po paguan koston e hapësirës gjeografike të saj”, përfundoi Kryeministri Binali Yildirim.



Lajme të ngjashme