Analizë - Të jesh emigrant në Evropë

Më shumë 3 milionë sirianë kanë gjetur një jetë të re në fqinjin e tyre verior, Turqinë, por një pjesë e tyre duan të shkojnë në Evropë, ku qasja ndaj emigrantëve nuk është edhe aq e mirë sa flitet e shkruhet.

585548
Analizë - Të jesh emigrant në Evropë

Më shumë se 3 milionë njerëz, që kanë ikur për shkak të luftës civile që shpërtheu në vitin 2011 në Siri, kanë gjetur një jetë të re në Turqi. Dikush vazhdon shkollën, dikush tjetër punon.

Turqia u bë atdhe për këta njerëz, të cilët ajo i priti krahëhapur. U bë bukë e u bë ujë për ata.

Ajo u dha sërish shpresë këtyre njerëzve dhe u mundësoi atyre mbijetesën. Dikujt i siguroi një strehë për të futur kokën, dikujt një mundësi pune për të vazhduar profesionin, dikujt tjetër mundësinë e shkollimit, kurse atij që nuk kishte asnjë mundësi i dha ushqim pa pritur asnjë përfitim prej tij. Në 5 vite për këta njerëz janë harxhuar 10 miliardë dollarë.

Ndërkaq Bashkimi Evropian (BE) kishte bërë një premtim. Do të transferonte dy herë me nga 3 miliardë euro mbështetje financiare për refugjatët sirianë të strehuar në Turqi.

Pjesa që ka mbërritur deri me sot tek autoritetet turke nga e gjithë kjo shumë është vetëm 455 milionë dollarë. Mund të mendohet edhe kështu, që BE-ja nuk e mban dot fjalën që i ka dhënë Turqisë, për arsye se ajo është duke shpenzuar për refugjatët që shkojnë në vendet e saj anëtare.

Atëherë le të shikojmë pak shifrat e mëposhtme: në muajin prill hyri në fuqi Marrëveshja e Ripranimit që ishte arritur (në mars) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Që nga ajo ditë e deri më sot Bashkimi Evropian ka pranuar gjithsej 798 refugjatë sirianë. Ndërkohë që numri i refugjatëve të premtuar për t’u pranuar nga vendet e Bashkimit Evropian për këtë periudhë ka qenë 18 000. Atëherë po ia lëmë lexuesit të plotësojë tabelën që përfshin periudhën 5-vjeçare të luftës civile (në Siri).

Mirëpo si është qasja ndaj këtyre njerëzve në vendet evropiane, të cilat edhe pse rrallë kanë pranuar refugjatë. Tani le të tërheqim pak vëmendjen në dimensionin e këtij problemi.

Me arsyetimin se emigrantët duhet të integrohen në shoqëri dhe të mësojnë gjuhën gjermane, Gjermania i orienton refugjatët të kryejnë punë të vogla. Ndërsa shuma e parashikuar për t’u paguar refugjatëve për këto lloj punësh është 80 cent për çdo orë. Sipas Ministrit të Punës së Qeverisë Federale refugjatët që duan të qëndrojnë në Gjermani nuk duhet që të bien në pozicionin e “papunësisë afatgjatë”. Pra me pak fjalë ata duhet të punojnë pavarësisht se cila është paga dhe kushtet e punës që bëjnë.

Madje në këtë vend (Gjermani) qarkullojnë zëra, që në fakt të shtyn ti kërkosh me qiri kushtet e përmendura më lartë. Për shembull, liderja e partisë ekstremiste të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD),Frauke Petry, komunitetet multikulturore që janë të formuara bashkë me refugjatët dhe emigrantët i quan “grumbull plehrash”. Madje lideri djathtist arri deri aty sa të rekomandojë qëllimin me armë mbi emigrantët që hyjnë me rrugë të jashtëligjshme në Gjermani. Dhe kjo retorikë e tij shtron pyetjen se “Çfarë kuptojnë njerëzit në Evropë me njerëzimin?”

Qytet-porti Kale (Calais) i Francës është kthyer në një skenë e tensionit ndërmjet emigrantëve dhe banorëve vendas, të cilët kampin e refugjatëve që gjendet këtu e emërtojnë si “Pylli i Egër”. Pothuajse çdo ditë ndodhin veprime provokuese ndaj kampit, emri i të cilit është i dëgjuar për mosmirëmbajtje dhe papastërti. Flitet se “Pylli i Egër”, me mbi 10 banorë brenda do të shembet i gjithi pa ardhur dimri. Pjesa veriore e kampit ishte prishur në muajin shkurt. Edhe Presidenti François Hollande, i gjendur me sa duket nën efektin e zgjedhjeve që po afrojnë, ka thënë se kampi do të zhduket krejtësisht, e jo vetëm një pjesë e tij, siç kishte deklaruar më parë. Ndërkaq Anglia për të penguar emigrantët e vendosur në Calais të kalojnë në territorin e saj ka rënë dakord me qeverinë e Parisit dhe vazhdon të ndërtojë edhe një mur përreth këtij kampi.

Për sa i përket Hungarisë, ky vend nuk duron dot as t’ua dëgjojë emrin refugjatëve. Aq sa nga referendumi që u mbajt në vend në fillim të muajit për të pranuar 1 294 refugjatë brenda 2 viteve doli rezultati “Jo”. Pastaj Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban nuk druhet aspak ta thotë për vite të tëra se refugjatët i shikon si një kërcënim për sigurinë dhe të ardhmen e BE-së. Administrata e Budapestit për ndaluar fluksin e refugjatëve ndërton mur dhe gardh të lartë me tela në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë.

Kurse Austria është duke përgatitur për azilantët projektligje të ndryshme, që parashikojnë edhe detyrimin e refugjatëve të kryejnë punë publike kundrejt një pagese 1 euro në orë. Sipas këtyre rregullimeve ligjore emigrantëve, që kanë fituar statusin e azilantit, do t’u jepen detyra si mirëmbajtja e hapësirave publike dhe shoqërimi i emigrantëve që kanë bërë kërkesë për azil. Në të ardhmen do të diskutohet edhe mundësia e punësimit të kësaj kategorie në organizatat e shoqërisë civile. Azilantët që nuk i pranojnë këto punë do të humbasin të drejtën e përfitimit nga ndihmat sociale që jep shteti.

Gjendja e emigrantëve në ishujt grekë po rëndohet për çdo ditë e më shumë. Pasi me rritjen e numrit të refugjatëve, shtohet edhe reagimi i banorëve vendas. Për shembull në Ishullin Lesvos ndodhen 5 mijë e 966 emigrantë, ndërkohë që infrastruktura këtu ka kapacitet vetëm për 3 500 refugjatë. Kurse në Ishullin Kos banorët reagojnë ndaj një rregullimi ligjor që fëmijët e emigrantëve të strehuar këtu të ndjekin shkollat normale jashtë kampit.



Lajme të ngjashme