Kapet i dyshuari kryesor i sulmit në Stamboll

Policia turke ka kapur në qytetin Aksaray një pjesëtar të organizatës terroriste separatiste PKK, i dyshuar për sulmin me motoçikletë-bombë që ndodhi të enjten në Stamboll pranë një qendre policie.

Kapet i dyshuari kryesor i sulmit në Stamboll

Në qytetin Aksaray të Turqisë është arrestuar një shtetas, pjesëtar i organizatës terroriste separatiste PKK, i dyshuar për sulmin me bombë të kryer të enjten afër qendrës policore “75.Yıl Polis Merkezi” në lagjen Yenibosna të Stambollit, ku si pasojë e të cilit u plagosën 10 vetë. 

Prefekti i Stambollit, Vasip Shahin kishte thënë se shpërthimi ishte realizuar me një motoçikletë-bombë.

Policia duke ndjekur gjurmët e targës së motoçikletës që ishte përdorur gjatë sulmit terrorist arriti të zbulojë identitetin e pronarit.

Në bazë të hetimeve të bëra doli se personi në fjalë (pronari i motoçikletës) ishte anëtar i organizatës terroriste PKK.

Personi i dyshuar nga Stambolli ishte larguar me një automjet civil për të shkuar më pas në kampet e organizatës terroriste në Siri ose Irak.

Bashkë me terroristin e PKK-së, që mundohej të arratisej me një letërnjoftim të falsifikuar, u kapën në Aksaray edhe 2 persona të tjerë, të cilët u dërguan në Stamboll.

Kurse në Stamboll janë ndaluar 3 persona të tjerë të dyshuar këta se kanë lidhje me shpërthimin e të enjtes.

Ndërkaq 5 nga 10 të plagosurit në sulm pasi kanë marrë mjekimin e duhur kanë dalë nga spitali.



Lajme të ngjashme