Erdoan kërkon nga Perëndimi sinqeritet në luftën me organizatat terroriste

Presidenti Erdoan në fjalimin që mbajti të hënën në Konferencës së Shkencës dhe Teknologjisë i bëri thirrje botës Perëndimore të jetë më e sinqertë në luftën kundër organizatave terroriste.

Erdoan kërkon nga Perëndimi sinqeritet në luftën me organizatat terroriste

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i bëri thirrje botës Perëndimore të jetë më e sinqertë në luftën kundër organizatave terroriste.

Erdoan iu drejtua me një falim Konferencës së Shkencës dhe Teknologjisë, që mbahet sot në Ankara.

Presidenti Erdoan qortoi vendet që e lanë vetëm Turqinë përballë problemit të refugjatëve, dhe reagoi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), që nuk e kanë ekstraduar ende kreun e organizatës terroriste guleniste, FETO.

“Kur ShBA-ja kërkon nga ne ndonjë terrorist, ne e paketojmë dhe ia dërgojmë (Amerikës). Vetëm se nuk e kemi parë të njëjtën gjë (reciproke) nga partneri ynë strategjik. Kur bisedojmë me ata na thonë ‘që këtë të mos bëjmë përmes medias’. Në rregull të mos e bëjmë, mirëpo ne këtë çështje e ndajmë me juve dhe një terrorist vazhdon ende të jetojë me një salltanet të madh për 17 vjet në një truall me sipërfaqe 400 dynymë. Ju nuk na e keni dorëzuar ende këtë person. Duke qenë se unë këtë gjë e them në çdo vend, po e them lirshëm edhe këtu. Ose do të dukesh ashtu siç je, ose do të jesh ashtu siç dukesh. Ne e vlerësojmë si të dobishme që e gjitha bota të jetë vigjilente ndaj akteve të ngjashme terroriste”, - tha Erdoan.

Në lidhje me kërcënimin terrorist që vazhdon ende në Siri dhe Irak, Presidenti Erdoan tha se ky kërcënim terrorist po përparon në rrugën për t’u kthyer në një kërcënim global.

“Për shkak të DAESH-it, i cili nuk ka asnjë arsye racionale, po shfarosen hap pas hapi popujt më të vjetër të historisë së njerëzimit. Me këtë rast dua të theksoj se zgjidhja e problemeve në rajonin tonë nuk është e mundur në qoftë se nuk demonstrohet një qëndrim parimor, në veçanti përballë organizatave terroriste”, cilësoi Erdoan.

Në Azinë Jugore njerëzit i nënshtrohen një gjenocidi mbi baza fetare dhe etnike në një mënyrë sistematike dhe para syve të botës, u shpreh Presidenti turk dhe shtoi: “Problemi i refugjatëve, një prej efekteve anësore të terrorizmit, për momentin qëndron mbi shpinën vetëm të disa vendeve, në krye të të cilave renditet Turqia. Vendet e zhvilluara përballë një situate të tillë nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë gjë tjetër, përveç mbylljes së kufijve dhe lartësimit të mureve e gardheve me tela. E njëjta neglizhencë vlen edhe në luftën me organizatat terroriste. Sot po dëshmojmë atë edhe terrori e ka ndryshuar formën e tij. Tentativa për grusht shteti, me të cilën u përball vendi ynë në 15 korrik, në të njëjtën kohë është një akt terrorist i gjeneratës së re.

Kreu i shtetit turk tërhoqi vëmendjen edhe në mos-funksionimin si duhet të mekanizmave ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, të cilat duhet të jenë pararojë në zgjidhjen e të gjitha problemeve në emër të shoqërisë ndërkombëtare.

“Bota po shkon me shpejtësi drejt një periudhe të rrezikshme kaotike. Ne si Turqi dalim kundër kësaj ecurie dhe themi “që bota është më e madhe se 5”, vlerësoi Erdoan.

Presidenti Erdoan theksoi se kanë përcaktuar objektiva shumë të rëndësishme për vitin 2023, që është edhe 100-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë, ndërsa tha se punimet në fushën e shkencës dhe teknologjisë do të intensifikohet gjithnjë e më shumë.

“Jeni në dijeni të hapave që kemi hedhur në industrinë e mbrojtjes. Tashmë jemi në gjendje ti prodhojmë vet anijet tona. Turqia është kthyer në një vend që prodhon avion të telekomanduar të armatosur. Mjetet e fluturimit pa pilot që janë prodhim kombëtar i kanë kaluar testet, janë në gjendje të kryejnë detyrat. Pra sot kemi arritur në një pikë të tillë”, cilësoi Erdoan.



Lajme të ngjashme