Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Letonia mbështet integrimin e Turqisë në BE

Çavuşoğlu zhvilloi takime kokë më kokë dhe me delegacione me homologun e tij nga Letonia, Edgars Linkevics.

Letonia mbështet integrimin e Turqisë në BE

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu u prononcua në lidhje me Sirinë ku tha se “Nëse Rusia sinqerisht dëshiron të bashkëpunojë me ne për arritjen e armëpushimit dhe për ndihma humanitare, ne jemi të gatshëm”. 

Çavuşoğlu zhvilloi takime kokë më kokë dhe me delegacione me homologun e tij nga Letonia, Edgars Linkevics. 

Në konferencën e përbashkët për media që u organizua më pas, Çavuşoğlu falënderoi Ministrin e Jashtëm të Letonisë Linkevics për solidarizimin e treguar pas tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik. 

Çavuşoğlu theksoi se populli turk më 15 korrik nuk mënjanoi rrezikun vetëm ndaj Turqisë, por ai e zmbrapsi një tentative e cila mund të ndikonte në një territor më të gjerë duke përfshirë edhe Evropën. “Në këtë proces të vështirë, populli turk dhe ne dëshiruam t’i kemi pranë miqtë dhe aleatët. Letonia tregoi gjatë këtij procesi se është mik dhe aleat”, u shpreh Çavuşoğlu. 

Duke theksuar se në luftën kundër terrorit janë në bashkëpunim të afërt me Letoninë, Çavuşoğlu vuri në pah se homologut të tij i kanë dhënë informacione në lidhje me Organizatën Terroriste FETO në Letoni. 

Sipas tij, marrëdhëniet politike me Letoninë janë në nivel të lartë, duke bërë të ditur se gjatë muajit të ardhshëm do ta vizitojnë Rigan dhe do ta festojnë së bashku 25 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. 

Më tej, Çavuşoğlu bëri të ditur se marrëdhëniet ekonomike mes këtyre dy shteteve po zhvillohen në mënyrë të rregullt. Siç tha ai, kompanitë turke po zhvillojnë projekte të rëndësishme me mbështetjen e qeverisë në Letoni. “Letonia gjithmonë i ka dhënë mbështetje të pandalshme procesit të integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE)”, tha Çavuşoğlu. 

Shefi i diplomacisë turke Çavuşoğlu njoftoi se gjatë takimit patën rastin të diskutojnë rreth çështjeve rajonale, siç janë Siria, Ukraina dhe Krimea. “Pamë se në këto çështje kemi pikëpamje të njëjta”, tha Çavuşoğlu. 

Ndërkaq, në lidhje me deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov se Rusia mund të operojë së bashku me Turqinë sa i përket Sirisë, Çavuşoğlu tha se Turqia deri më tani ka mbështetur të gjitha vendimet e marra për arritjen e armëpushimit në Siri, qasjen e ndihmave humanitare dhe gjetjen e zgjidhjes politike. 

Nëse merren parasysh shkelja e armëpushimit dhe pengesat në qasjen e ndihmave humanitare, vazhdoi Çavuşoğlu, shihet se shkelësi është regjimi dhe përkrahësit e tij. Ai vuri në pah se Turqia ka dhënë përpjekje maksimale për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes SHBA-ve dhe Rusisë në lidhje me Sirinë. 

Çavuşoğlu rikujtoi se Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) po i bën punimet e nevojshme për qasjen e ndihmave humanitare, megjithatë maunat me ndihma ose pengohen ose goditen nga regjimi në rrugën për në Halep. 

Më tej, Çavuşoğlu nënvizoi se në pesë vitet e fundit regjimi dhe përkrahësit e tij disa herë kanë përdorur armë kimike dhe bomba fuçi, duke kryer kështu krime lufte. “Meqë nuk u zbatua marrëveshja e fundit, ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet për armëpushim dhe zgjidhje politike”, vazhdoi Çavuşoğlu. 

Ai bëri të ditur se çështjet në fjalë janë duke i vlerësuar me Rusinë pas normalizimit të marrëdhënieve. “Nëse Rusia sinqerisht dëshiron të bashkëpunojë me ne për arritjen e armëpushimit dhe për ndihma humanitare, ne jemi të gatshëm”, tha Çavuşoğlu. 

Pas një pyetjeje në lidhje me propozimin për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi që ishte shpallur nga Këshilli i Lartë i Sigurisë (MGK) pas tentativës për grusht shteti, Çavuşoğlu tha se kishin parashikuar që gjendja e jashtëzakonshme të zgjaste jo më shumë se tre muaj, megjithatë, siç tha ai, kanë dalur në dritë hollësi të reja dhe lidhje të ndryshme me thellimin e hetimeve në lidhje me FETO-n. 

Ai tha se Turqia duhet t’i marrë masat e nevojshme parandaluese që të mos përballet edhe njëherë me një rrezik siç ishte ai i 15 korrikut. 

“Fatkeqësisht, këtë nuk mundëm ta realizojmë brenda një periudhe prej tre muajve. Ditën e djeshme, Këshilli i Lartë i Sigurisë i propozoi Këshillit të Ministrave zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë njëjtë siç është zbatuar deri më tani. Ne nuk i kemi për qëllim qytetarët tanë, por FETO-n dhe duart e zgjatura të saj brenda shtetit dhe në periudhën në vijim do të kemi bashkëpunim me Këshillin e Evropës në lidhje me këtë çështje. Do të jetë proces transparent. Këta terroristë duhen dënuar, por shteti do t’ua japë fajtorëve dënimin e duhur brenda kornizave të sistemit ligjor aktual. Franca e zgjati gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të vetëm dy sulmeve terroriste. Ne shpresojmë që në periudhën e dytë tremujore ta përfundojmë këtë proces”, u shpreh Çavuşoğlu. (AA)



Lajme të ngjashme