Erdoan: Qetësia e brezave të ardhshëm varet nga hapat që do të hedhim ne

Në fjalimin drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork Presidenti Rexhep Tajip Erdoan tha se qetësia e begatia e brezave të ardhshëm varet nga hapat që do të hedhim ne sot.

recep tayyip erdoğan, bm, hitap.jpg
erdoğan, bm genel kurulu.jpg
erdoğan bm 10.jpg
erdoğan bm 6.jpg
erdoğan bm 1.jpg
Fjalimi i Erdoanit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB
Fjalimi i Erdoanit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB

Në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) vazhdon punimet sesioni i 71-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. 

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdğan) iu drejtua me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që u mbajt për të 71-n herë në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në çerekun e parë të shekullit të 21-të njerëzimi po përjeton periudhën më të mirë të historisë së vet në aspektin e arritjeve shkencore, teknologjike, ekonomike dhe kushteve shëndetësore, por kjo panoramë e ndritur ka edhe një anë të errët dhe të turpshme, cilësoi Erdoan.

Duke vlerësuar zhvillimet dhe krizën e refugjatëve në Siri Presidenti Erdoan tha: "Me qindra fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar vazhdojnë të vriten në Irak, Siri dhe vende të tjera, të cilat janë nën kthetrat e terrorit dhe të luftës. Refugjatët, të cilët ikin nga lufta, vdekja dhe padrejtësia, në Evropë përballen me një sjellje të pahijshme dhe poshtëruese. Organizatat terroriste si DAESH, al Nusra dhe PYD/YPG vazhdojnë aktivitetin e tyre terrorist në rajon. Gjendja në Kaukaz përbën një rrezik të kthimit të saj në një konflikt të armatosur. Shumë probleme na presin ne, duke filluar nga Ukraina e deri në Jemen. Nga ana tjetër shumë njerëz në vende të tjera të botës kacafyten me urinë, sëmundjet epidemike, skamjen dhe injorancën. Kjo tablo është e turpshme dhe vret dinjitetin dhe ndërgjegjen e njeriut. Ajo që është edhe më e dhimbshme, është se shumica e këtyre krizave dhe problemeve janë të një natyre që mund të zgjidhen lehtësisht. Qetësia, mirëqenia dhe siguria e brezave të ardhshëm varet nga masat që do të marrim dhe hapat që do të hedhim ne sot”. 

Turqia deri tani ka harxhuar për refugjatët 25 miliardë dollarë. Mbështetja që na ka ardhur neve nga Kombet e Bashkuara, nën çatinë të cilës ndodhemi momentalisht, është 525 milionë dollarë. Bashkimi Evropian (BE) nuk i ka mbajtur premtimet e bëra. BE i ka dërguar vetëm 178 milionë dollarë UNICEF-it.

“Është një përpjekje e kotë të kërkosh qetësi prapa telave me gjemba dhe mureve të lartë. Në qoftë se nuk gjejmë me shpejtësi zgjidhje për problemet që kanë refugjatët sirianë, si: arsimim, punësim dhe strehim, atëherë nuk mund të parandalojmë emigracionin e parregullt, problemet sociale dhe rreziqet e sigurisë. Nuk mund të humbasim më shumë kohë për ti dhënë fund situatës konfliktuale, terroriste dhe tiranike në Siri, e cila është edhe burimi i problemit, dhe për të vënë në jetë procesin e zgjidhjes politike”, - tha Erdoan.

Të bindur që në fillim të zhvillimeve se kjo çështje është një çështje e përbashkët për të gjithë njerëzimin ne kemi bërë kujdes për të qenë në kontakt dhe për të vepruar në bashkëpunim me aktorët rajonalë dhe globalë. Ne nuk mund të heshtnim dhe nuk heshtëm ndaj këtij ‘kiameti’ që po përjetojnë fqinjët dhe të afërmit tanë sirianë, shtoi ai.

- Deri kur do ta lejojë OKB-ja një gjë të tillë?

“Armëpushimi, që për arritjen e të cilit në Siri kemi bërë shumë përpjekje intensive, fatkeqësisht nuk funksionoi. Autokolona (me ndihma) e OKB-së u sulmua sërish nga regjimi. Regjimi sirian nuk lejon që ndihmat humanitare të mbërrijnë tek banorët e Halepit. Deri sa do të tolerojë OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit ndaj politikës ‘Ose dorëzohu, ose vdis’, që ndjek regjimi ndaj qytetarëve të vet duke i sprovuar dhe dënuar ata me urinë?”

“Kriza humanitare në Siri ka hyrë në vitin e 6-të të saj. Populli sirian po konsumohet përballë një regjimi mizor, kriminel dhe terrorist dhe akteve të pamëshirshme të organizatave terroriste. Shoqëria ndërkombëtare ka mbetur në klasë në provimin e vlerave njerëzore në Siri”, tha Erdoan.

- Nëse nuk e luftoni sot FETO-n, nesër mund të jetë shumë vonë

Organizatat terroriste sot mund të përdorin metoda nga më të ndryshmet, u shpreh Erdoan, duke rikujtuar tentativën e grushtit të shtetit, me të cilën u përball Turqia natën e 15 korrikut, tentativë e ndërmarrë nga Organizata Terroriste Fethullahiste (FETO).

“Të mos harrohet që kjo tentativë për grusht shteti që u bë në Turqi, në të njëjtën kohë u bë edhe ndaj demokracisë botërore. Populli ynë atë natë, ndërkohë që nga njëra anë u dha një mësim të mirëentuziastëve të puçit, nga ana tjetër u bë burim frymëzimi për të gjithë popujt që kanë besim tek demokracia. Pasi nëse unë sot gjendem këtu përpara jush, kjo ka ndodhur falë këtij qëndrimi të guximshëm dhe fisnik të popullit tonë. Në këtë aspekt unë jam krenar për popullin tim”, u shpreh Erdoan.

Kjo organizatë terroriste e gjeneratës së re përbën një kërcënim të sigurisë kombëtare jo vetëm për Turqinë, por për të gjitha 170 vendet ku ajo është prezente”, tha Erdoan.

“Nga kjo foltore u bëj thirrje të gjithë miqve tanë, -vijoi lideri turk fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, - që për sigurinë e tyre të marrin me shpejtësi masat e duhura kundër FETO-s, pasi nesër mund të jetë tepër vonë. Me këtë rast dua të qartësoj edhe atë se shprehjet “Turk” e “Turqi” që përdoren nga institucionet e kësaj organizate apo nga persona të varur prej saj nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me vendin tonë”, nënvizoi Erdoan.

-Siria është e sirianëve

Ne nuk kemi pasur kurrë dhe nuk kemi pretendime territoriale ndaj Sirisë. E gjithë çështja qëndron këtu: “Siria është e sirianëve”, u shpreh Erdoan dhe e vijoi kështu pjesën e fjalimit të tij në lidhje me Sirinë:

“Asnjë nuk duhet të ketë pretendime territoriale ndaj Sirisë. Operacioni "Mburoja e Eufratit", i filluar me mbështetjen që ne i japim opozitës siriane, bart një rëndësi kritike në aspektin e rivendosjes së stabilitetit, qetësisë dhe ekuilibrit në një rajon ku dominon mungesa e shpresës. Me këtë operacion doli në dritë se lufta me DAESH-in nuk përbën prioritet për organizatat terroriste PKK, PYD”, tha Erdoan.

- Duhet të punojmë së bashku për krijimin e një zone të ndaluar për fluturimet

Presidenti Erdoan tha se falë operacionit “Mburoja e Eufratit” në Xherablus (Jarabulus) banorët e këtij rajoni kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre. “Kemi në plan të ndërtojmë në këtë zonë vendbanime të reja, të pajisura me gjithë mjetet sociale dhe që do të mund të përdoren nga të gjithë refugjatët. Dhe për realizimin e kësaj duhet mbajtur një qëndrim i vendosur për shpalljen e vendeve që i kemi shndërruar në hapësira të sigurta në një zonë të ndaluar për fluturimet dhe për këtë gjë duhet të punojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Erdoan.

- OKB-ja duhet reformuar

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në fjalën drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e mbledhur për të 71-ën herë në Nju-Jork të ShBA-së, tha se Kombet e Bashkuara duhet të reformohen për të rritur efektivitetin e aktiviteteve të organizatës në drejtim të ndërtimit dhe mbrojtjes së paqes.

“Duhet të sigurojmë konsensusin më të gjerë të mundshëm mbi një reformë të gjithanshme që do ta bëjë Këshillin e Sigurimit të ketë një forcë përfaqësimi të konsoliduar, ta bëjë atë më demokratik, të drejtë, transparentë dhe efektiv. OKB-ja duhet të reformohet. Për sa kohë që nuk do të reformohet Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që është edhe organi kryesor përgjegjës për garantimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është më se e qartë që përpjekjet që bëhen nuk do t’ia arrijnë qëllimin të tyre me kuptimin e plotë të fjalës. Dhe është kjo arsyeja që unë ia rikujtoj me çdo rast opinionit publik ndërkombëtar të vërtetën që “Bota është më e madhe se 5”.

- Shoqëria ndërkombëtare e ka për detyrim t’u sigurojë palestinezëve mundësinë e jetës në një Palestinë të lirë

Presidenti Erdoan bëri deklarata edhe në lidhje me çështjen palestineze.

“Njohja popullit palestinez mbi themelet e një zgjidhje me dy shtete dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor mundësinë e jetesës në një Palestinë të lirë, e cila do të ishte një burim qetësie për çdo palestinez, është një borxh që shoqëria ndërkombëtare ua ka fëmijëve palestinezë. Tashmë u duhet dhënë fund shkeljeve që bëhen ndaj statusit të xhamisë Al-Aksa në veçanti nga ana e Izraelit duke mos-respektuar natyrën e shenjtë që ka ky objekt për myslimanët”, përfundoi Erdoan.

- Përshtati në shqip, Serdar Hüseyni -



Lajme të ngjashme