Erdogan në SHBA: FETO kërcënon jo vetëm Turqinë, por çdo vend të botës

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të enjten nga Nju-Jorku se organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY) nuk kërcënon vetëm sigurinë e Turqisë, por të çdo vendi të botës...

erdoğan, abd, türken vakfı.jpg
cumhurbaşkanı erdoğan abd'de.jpg

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të enjten nga Nju-Jorku se organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY) nuk kërcënon vetëm sigurinë e Turqisë, por të çdo vendi të botës.

Në fund të kontakteve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kreu i shtetit turk mori pjesë në darkën solemne të Fondacionit TURKEN dhe gjatë fjalës së rastit kritikoi administratën amerikane për sa i takon ekstradimit të liderit të FETO-s, Fethullah Gulen.

Erdogan tërhoqi vëmendjen se Turqia ka ekstraduar çdo terrorist që i është kërkuar nga SHBA-ja dhe i bëri thirrje Uashingtonit që të shfaqë të njëjtën ndjeshmëri.

“Edhe ne po kërkojmë nga ju një terrorist të regjistruar në Dokumentin Strategjik të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Turqisë. Por ju vazhdoni ende të rezistoni. Përse? Që të gjykohet. Çfarë gjykimi? E çdo t’i gjykoni terroristit?”, pyeti ai në formë reagimi.

Lideri turk kërkoi nga SHBA-ja që plotësojë kërkesën e vendit të tij dhe vijoi me fjalët: “Ai na qenka i pajisur me kartë të gjelbër (green card). Kaq e vështirë na qenka anulimi i kartës së gjelbër, ndërkohë që ju u hiqni njerëzve nënshtetësinë me shumë lehtësi?”

Më tej, Presidenti Erdogan u ndal mbi çështjen e Sirisë duke vënë në pah divergjencat ndërmjet Ankarasë dhe Uashingtonit.

“Vetëm tri ditë më parë, dy avionë të ngarkuar me armë u shkarkuan për PYD/YPG-në. Ku? Në Kobani. E njëjta gjë është bërë edhe më parë, kur Kobani evakuohej; tre avionë me armë zbritën atje dhe gjysma e armëve shkoi për organizatën terroriste DAESH, ndërsa gjysma tjetër u mbeti terroristëve të PYD/YPG-së. Këto i folëm edhe me Presidentin (Obama), por nuk e bindëm dot. Tani, për fat të keq, po luhet sërish e njëjta lojë. Nga këtu nuk del një rezultat. Kjo vetë sa shkakton hemorragji”, u shpreh ai.

Në vijim të fjalës së tij gjatë darkës së Fondacionit TUREN, Erdogan tha se regjimi sirian nuk do në asnjë mënyrë që të humbasë kontrollin e Halepit.

Ç’është e vërteta – shtoi ai – Halepi është një qytet vëlla i Turqisë, pasi ndërmjet tij dhe qytetit turk të Gaziantepit ka shumë lidhje farefisnore.

“Por a e dini se ku është problemi? Të shtypet Halepi, në mënyrë që banorët e tij të detyrohen për të emigruar drejt Gaziantepit; ky është plani. Megjithatë ne do ta pengojmë realizimin e këtij plani. Nuk do të lejojmë kurrë formimin e një korridori terrorist në jug të Turqisë”, siguroi kreu i shtetit turk.

Presidenti Erdogan nënvizoi se po mbrojnë jo vetëm të drejtat e popullit turk, por edhe ato të gjithë njerëzve të shtypur. Ai përsëriti gjithashtu mesazhin e tij “bota është më e madhe se 5”, që e theksoi edhe gjatë fjalimit të tij drejtuar të pranishmëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.



Lajme të ngjashme