“Mburoja e Eufratit” – Kursi i operacionit të ushtrisë turke kthehet nga Al-Babi

Pas çlirimit dhe spastrimit të Jarabulusit nga DAESH-i, kursi i operacionit “Mburoja e Eufratit”, nisur nga ushtria turke më datë 24 gusht 2016 për spastrimin e veriut të Sirisë nga elementët terroristë, është kthyer nga qyteti Al-Bab...

“Mburoja e Eufratit” – Kursi i operacionit të ushtrisë turke kthehet nga Al-Babi

Pas çlirimit dhe spastrimit të Jarabulusit nga DAESH-i, kursi i operacionit “Mburoja e Eufratit”, nisur nga ushtria turke më datë 24 gusht 2016 për spastrimin e veriut të Sirisë nga elementët terroristë, është kthyer nga qyteti Al-Bab.

Janë qartësuar detajet e operacionit 3-fazor për spastrimin e organizatës terroriste DAESH nga qyteti Al-Bab, njoftuar pak ditë më parë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas planit, në kuadër të operacionit për çlirimin e qytetit Al-Bab, që rezulton pikë kritike në lidhje me krijimin e zonës së sigurisë në kufirin e Turqisë, hapi i parë do të jetë spastrimi i terroristëve nga territoret ndërmjet Al-Rait dhe Al-Babit. Etapa e dytë do të jetë asgjësimi i minave dhe kurtheve me bomba të montuara në Al-Bab dhe përreth tij. Ndërsa në fazën e tretë, tri grupe opozitare të formuara nga Divizioni Sulltan Murat, Brigada Sulltan Mehmet Ngadhënjimtari dhe nga Brigada Ahrar al-Sham do të përparojnë në drejtim të qytetit Al-Bab.

Ushtria turke nuk do të marrë pjesë direkt në luftime të nxehta. Tanket dhe njësitë e blinduara të Forcave të Armatosura të Turqisë do të ndjekin nga prapavija Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA) dhe do të godasin me artileri të rëndë objektivat e organizatës terroriste DAESH. Vetëm pas eliminimit të këtyre objektivave Ushtria e Lirë Siriane do të avancojë hap pas hapi në Al-Bab.

Ky operacion do të marrë mbështetje ajrore edhe nga avionët e koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it. Objektivat e kësaj organizate terroriste, që janë më të shumta veçanërisht në zonat e thella të rajonit në fjalë, do të bombardohen nga avionët e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja sipas koordinatave, që do të përcaktohen nga ekipet zbuluese.

Sakaq, droni “Bayraktar”, një mjet ajror i telekomanduar prodhim kombëtar i Turqisë, do të patrullojë 24 orë vijën kufitare kundër sulmeve me raketa të DAESH-it.

Kështu do të formohet edhe “Zona e Sigurt e Ndalimfluturimit”, e cila ishte propozuar më parë nga Turqia dhe që përfshin një sipërfaqe rreth 5 mijë km2, me një shtrirje prej 48 km në thellësi të Sirisë dhe 98 km gjerësi.

Thellësia në fjalë rezulton brenda rrezes 50-kilometërshe të obusëve “Furtuna”, që janë dislokuar në vijën kufitare turko-siriane, duke e bërë këtë hapësirë të kontrollueshme nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Për të përmbyllur qarkun e zonës së sigurisë, elementët e organizatës terroriste DAESH do të spastrohen nga zonat rurale lindore dhe perëndimore të qytetit Al-Bab.



Lajme të ngjashme