Canikli: Nëse ka gabime në shkarkimet kundër FETO-s, ato mund të ndreqen

Zv/kryeministri Nurettin Canikli organizoi një konferencë shtypi menjëherë pas mbledhjes së qeverisë turke, që zgjati rreth 6 orë e gjysmë...

Canikli: Nëse ka gabime në shkarkimet kundër FETO-s, ato mund të ndreqen

Këshilli i Ministrave të Turqisë u mblodh të mërkurën në Kompleksin Presidencial në Ankara, nën drejtimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Zv/kryeministri Nurettin Canikli organizoi një konferencë shtypi menjëherë pas mbledhjes, që zgjati rreth 6 orë e gjysmë.

Ai njoftoi se në takimin e qeverisë u shkëmbyen mendime dhe u bënë vlerësime në lidhje me samitin e G20-s, që u mbajt më 4-5 shtator në Kinë, ndërsa u trajtuan në mënyrë tërësore çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e brendshme dhe të jashtme.

Pasi rikujtoi se në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të G20-s Turqia u përfaqësua nga Presidenti Erdogan, i cili në takime ka marrë pjesë bashkë me një delegacion të gjerë, zv/kryeministri Canikli theksoi se Erdogan ka zhvilluar bisedime shumë intensive dhe gjithëpërfshirëse me pothuajse të gjithë liderët e pranishëm në samitin në Kinë.

Gjatë këtyre takimeve – vijoi Canikli – janë dhënë informacione të detajuara sidomos në lidhje me luftën kundër terrorizmit, çështjen e Sirisë dhe tentativën për grusht shteti, me të cilën Turqia u përball më datë 15 korrik.

Sa i përket operacionit ushtarak “Mburoja e Eufratit”, zv/kryeministri nënvizoi se në veri të Sirisë s’ka më elementë të organizatës terroriste DAESH në një sipërfaqe prej 772 km2, hapësirë kjo që tashmë është plotësisht në kontroll të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA).

“Deri në ditën e 15-të të operacionit, 4 ushtarë turq kanë rënë dëshmorë dhe 19 të tjerë janë plagosur, 4 tanke kanë pësuar dëme të rënda, kurse 1 autoblindë ka marrë dëme të lehta. Në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane ka 16 dëshmorë dhe 27 të plagosur. Sakaq, jeta i është kthyer normalitetit në zonën e Jarabulusit”, siguroi ai.

Nurettin Canikli bëri me dije se deri të shtunën do të plotësohet gjithashtu nevoja e Jarabulusit për energji elektrike dhe deri të hënën ajo për ujë, ndërkohë që zonës në fjalë kanë filluar t’i kthehen edhe banorët e saj, të cilët ishin strehuar si refugjatë në Turqi.

I pyetur në lidhje me një operacion ushtarak të mundshëm për të spastruar DAESH-in nga qyteti Rakka, një kërkesë kjo e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zv/kryeministri turk tërhoqi vëmendjen se kjo çështje është në shqyrtim e sipër në aspektin teknik dhe se Ankaraja e vlerëson të realizueshme.

Canikli u ndal gjithashtu mbi shkarkimet e pezullimet në kuadër të operacioneve kundër organizatës terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY).

“Nëse janë bërë gabime në këtë aspekt, atëherë të gjithë duhet të dinë se kanalet për ndreqjen e tyre janë të hapura”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme