Obama i kërkon Erdoganit ndihmë për spastrimin e terroristëve nga Rakka

Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi se homologu i tij amerikan, Barack Obama, i ka kërkuar ndihmën e Turqisë për spastrimin e terroristëve nga qyteti Rakka i Sirisë...

Obama i kërkon Erdoganit ndihmë për spastrimin e terroristëve nga Rakka

Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi se homologu i tij amerikan, Barack Obama, i ka kërkuar ndihmën e Turqisë për spastrimin e terroristëve nga qyteti Rakka i Sirisë.

Në kthim nga samiti i G20-s, që u mbajt në qytetin Hangzhou të Kinës në data 4-5 shtator, Erdogan u prononcua për gazetarët e pranishëm në avionin presidencial turk.

Ai tha se Rakka ishte një nga çështjet kryesore të trajtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë takimeve në Kinë.

“Vendosëm që autoritetet ushtarake të kontaktojnë me njëri tjetrin. Rezultatet e bisedimeve do të qartësojnë se çfarë mund të bëhet. Vetëm se ne duhet të demonstrojmë tashmë praninë tonë të fuqishme në rajon. Nëse bëjmë hap prapa, në ato zona do të rrënjosen organizatat terroriste, siç janë DAESH-i, PKK-ja dhe PYD/YPG-ja”, theksoi Erdogan.

Kreu i shtetit turk vuri në pah se rreziqe të ngjashme paraqiten edhe për Irakun duke ndezur në këtë mënyrë sinjalin për një operacion ushtarak të mundshëm edhe në atë zonë.

“PKK-ja po orvatet që të krijojë hapësirë për vete në ato zona. Në Mosul dhe pak më në veri, në Tal Afar, jeton një komunitet i konsiderueshëm turkmen. Është e paqartë se çfarë mund të ketë të ngjarë nesër në ato zona”, u shpreh lideri turk.

Pasi rikujtoi se shumë kanë ngritur në rend të ditës atë që ushtria turke po lufton në disa fronte, duke iu referuar DAESH-it, PKK-së, PYD/YPG-së dhe FETO-s, Presidenti nënvizoi se ushtria turke është më e fuqishme dhe më e motivuar se sa ishte përpara tentativës për grusht shteti të 15 korrikut nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY).

Erdogan potencoi gjithashtu se forcat turke të sigurisë janë aq të fuqishme dhe të vendosura sa të luftojnë siç duhet dhe të dalin me sukses nga të gjitha këto fronte.

“Në procesin e 15 korrikut u bënë edhe arrestime, por ushtria jonë u fuqizua akoma më shumë. Të paktën ushtarët tanë kanë më shumë vetëbesim tani. Operacioni në Jarabulus ishte treguesi më i rëndësishëm i vendosmërisë sonë. Dhe ata që e realizuan me sukses këtë operacion janë forcat speciale dhe njësitë tona të tjera ushtarake”, siguroi ai.

Mes të tjerash, Presidenti Erdogan bëri me dije se gjatë samitit të G20-s kanë trajtuar gjithashtu ekstradimin e kreut terrorist të FETO-s.

“Këtë çështje e shqyrtuam në detaje me zv/presidentin e SHBA-së, Joe Biden, në Ankara, por edhe në Kinë me Presidentin Barack Obama. U thash se ‘ky person vazhdon ende të kryejë takime dhe të prononcohet për mediat që nga rezidenca e tij mbi një sipërfaqe 400-dynymëshe’. Mes dy vendeve tona ekziston një marrëveshje për ekstradimin e kriminelëve. Neni 10. i saj kërkon që personat e inkriminuar, në këtë rast kreu i FETO-s, të mbahen në paraburgim deri në vendimin e gjykatës. Atëherë, ose na e dorëzoni neve këtë person një orë e më parë ose juve mbaheni në paraburgim”, vijoi kreu i shtetit turk.

Në fund, Erdogan u ndal mbi takimin e tij në samitin e G20-s me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke theksuar se shefja e Berlinit zyrtar ka rishikuar qëndrimin e saj dhe se mendon që çështja e liberalizimit të vizave mund të përmbyllet brenda këtij viti.

Lideri turk reagoi ndaj titujve të publikuar nga shtypi gjerman, ku, sipas tij, ai më i pakëndshmi ishte “Erdogani gjunjëzon Merkelin”.

“Më duket e pahijshme ajo frazë. As unë nuk kam nevojë të gjunjëzoj njeri, as Merkeli të gjunjëzohet. Këta persona, që përdorin shprehje kaq të pahijshme për kancelaren e tyre, në të vërtetë shfaqin nivelin e tyre përtokë”, tha Presidenti Recep Tayyip Erdogan.



Lajme të ngjashme