Takimi Erdogan-Obama në Kinë, mbështetje Turqisë kundër FETO-s

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili po qëndron në qytetin Hangzhou të Kinës për samitin e liderëve të G20-s, u takua mëngjesin e sotëm me homologun amerikan, Barack Obama...

Erdoğan Obama
erdoğan, obama.jpg

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili po qëndron në qytetin Hangzhou të Kinës për samitin e liderëve të G20-s, u takua mëngjesin e sotëm me homologun amerikan, Barack Obama.

Takimi zgjati 45 minuta, ndërkohë që në të u trajtuan Siria, operacioni ushtarak “Mburoja e Eufratit” dhe lufta kundër terrorizmit.

Në prononcimin e tij gjatë takimit ndërmjet delegacioneve, lideri turk rikujtoi se partneriteti strategjik shumëvjeçar Turqi-SHBA me Obamën është kthyer në një partneritet model, që vijon ende sot e kësaj dite, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të veçanta dhe vazhdojnë duke u forcuar.

Erdogan i përsëriti Obamës se Turqia nuk dëshiron dhe s’do të lejojë kurrsesi një korridor terrorist në kufirin e saj jugor, teksa lufton me organizata si PKK-ja, PYD/YPG-ja dhe DAESH-i.

“Padyshim që sulmet terroriste dhe veçanërisht tentativa e puçit, që erdhi  pas këtyre në vendin tonë, janë shumë domethënëse dhe ne si dy vende anëtare të NATO-s duhet të mbajmë një qëndrim të përbashkët kundër të gjitha akteve terroriste në botë. Është e pa mundur që ne të qëndrojmë të heshtur përballë këtyre. Ne duhet të mbajmë të njëjtin qëndrim kundër të gjitha organizatave terroriste, sepse çdo lloj i tij është i dëmshëm, sepse çdo terrorist është i dëmshëm. Nuk mund të ketë terrorist të mirë dhe terrorist të keq. Të gjithë ata janë të këqij, janë të mallkuar dhe gjithashtu është i qartë qëndrimi që ne duhet të mbajmë kundër këtyre”, vlerësoi Erdogan.

Më tej, kreu i shtetit turk falënderoi presidentin amerikan për mbështetjen e tij kundër tentativës për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY).

Presidenti Erdogan theksoi se SHBA-së i janë përcjellë dosjet e përgatitura me kujdes maksimal nga hetuesia turke për ekstradimin e kreut terrorist të FETO-s, Fethullah Gulen, ndërkohë që të tjera prova do të dërgohen së afërmi.

“Punimet në këtë drejtim janë duke vazhduar. Aktualisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur një delegacion. Ndërsa tani edhe nga ana jonë një delegacion do të vizitojë SHBA-në, ku madje do të jenë të pranishëm edhe dy ministrat tanë, ai i Drejtësisë dhe ai i Punëve të Brendshme, për të realizuar atje punimet e nevojshme”, sqaroi lideri turk.

Erdogan e përfundoi fjalën e tij duke uruar që G20-a në Hangzhou të jetë në të mirë dhe në shërbim të njerëzimit.

Ndërsa presidenti amerikan tha se populli turk ka demonstruar besnikëri të jashtëzakonshme ndaj demokracisë duke vërshuar në rrugë e sheshe natën e 15 korrikut, që shënoi edhe tentativën e mallkuar për grusht shteti në Turqi.

Barack Obama shprehu ngushëllimet dhe solidarizimin e tij për familjet e viktimave të sulmeve terroriste në Turqi dhe për popullin turk në përgjithësi, ndërsa u angazhua se do të mbështesin me sa munden institucionet turke për të nxjerrë puçistët përpara drejtësisë.

Ai nënvizoi se Turqia, vend ky që mban mbi supe peshën e rëndë të së paku 3 milionë refugjatëve, duhet mbështetur seriozisht edhe në këtë sferë.

Në fund, Obama theksoi se Turqia është një aleate e fuqishme në luftën kundër DAESH-it dhe uroi vazhdimin e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm.



Lajme të ngjashme