Nis faza e dytë në operacionin “Mburoja e Eufratit” të ushtrisë turke

Në operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë ka nisur faza e dytë, përmes të cilës synohet spastrimi i elementëve terroristë nga linja Azaz-Jarabulus...

564631
Nis faza e dytë në operacionin “Mburoja e Eufratit” të ushtrisë turke

Ka nisur faza e dytë në operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë, përmes të cilës synohet spastrimi i elementëve terroristë nga linja Azaz-Jarabulus.

Një grup mjetesh të blinduara të Forcave të Armatosura të Turqisë hyri sot në qytezën e vogël siriane Al-Rai (Çobanbey), në mbështetje të luftës së Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) kundër organizatës terroriste DAESH.

Mjetet e blinduara të ushtrisë turke kaluan në territoret siriane nga qyteza Elbeyli e provincës jugore Kilis dhe morën të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar lëndimin e civilëve.

Sakaq, në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”, organizuar me qëllim spastrimin e elementëve terroristë në veri të Sirisë, Ushtria e Lirë Siriane ka hapur një front të ri nga qyteza Al-Rai të provincës së Halepit.

Forcat opozitare, të cilat përdorin si shtab pikërisht këtë qytezë, që e çliruan nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH vetëm pak ditë më parë, u nisën sot prej Al-Rait në drejtim të objektivave terroriste lindore dhe jugore.

Gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit”, që ushtria turke nisi më 24 gusht 2016 për eliminimin e kërcënimeve terroriste, rritjen e sigurisë kufitare dhe mbështetjen e forcave të koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër DAESH-it, forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane kanë marrë kontrollin e Jarabulusit, Al-Rait dhe shumë vendbanimeve e fshatrave përgjatë kufirit turko-sirian.

Opozitarët kanë spastruar plotësisht Jarabulusin, që ndodhet në brigjet perëndimore të Eufratit, si dhe zonën jugore të këtij qyteti deri në përroin Sucu, nga organizatat terroriste DAESH dhe PYD/PKK.

Ndërkohë që manovra e Ushtrisë së Lirë Siriane në Al-Rai është vlerësuar si një etapë e re e operacionit “Mburoja e Eufratit”, pritet që elementët terroristë të spastrohen së afërmi edhe nga linja Azaz-Jarabulus.



Lajme të ngjashme