Koment – Sprapsja e puçit të 15 korrikut hapi rrugën ndërkombëtare të Turqisë

Një analizë në lidhje me sprapsjen e tentativës së 15 korrikut për grusht shteti në Turqi dhe zgjerimin që ajo i solli hapësirës së manovrimit të saj në skenën ndërkombëtare...

562177
Koment – Sprapsja e puçit të 15 korrikut hapi rrugën ndërkombëtare të Turqisë

Turqia lufton prej kohësh kundër kërcënimeve, që i drejtohen asaj nga disa fronte. Gjatë vitit të fundit është vërejtur një rritje e dukshme e sulmeve terroriste të PKK-së dhe DAESH-it kundër Turqisë. Po ashtu, vendi po përballet që prej vitit 2013 e këtej me tentativa të ndryshme armike të vullnetit popullor nga organizata terroriste guleniste (FETO), e cila përpiqet në mënyrë intensive që prej disa vitesh për të dëmtuar reputacionin e jashtëm të Turqisë. Rebelimi puçist i 15 korrikut, që synonte rrëzimin e qeverisë legjitime dhe rendit kushtetues, ishte tentativa më e guximshme dhe çmenduria më e madhe e kësaj strukture. Kjo tentativë synonte njëherësh bllokimin dhe pasivizimin e plotë të Turqisë në skenën ndërkombëtare.

Mirëpo vërshimi i popullit turk në rrugë e sheshe dhe qëndrimi i tij për një muaj të tërë në rojë të demokracisë, në përgjigje të thirrjes së Presidentit Recep Tayyip Erdogan, përmbysi të gjitha llogaritë kundër Turqisë. Sprapsja e tentativës për grusht shteti fuqizoi brenda vendit shtresat e ngërthyera përreth vullnetit popullor, ndërsa jashtë shtetit neutralizoi përpjekjet për të lidhur këmbë e duar Turqinë dhe zgjeroi hapësirën e manovrimit të vendit në skenën ndërkombëtare. Ja pra, si rezultat i atij zgjerimi të hapësirës manovruese, Turqia bëri më 24 gusht 2016 hapin e shumëpritur, që realisht e kishte në plan që përpara 15 korrikut, por që nuk arriti dot ta ekzekutonte në kohë.

Turqia veproi menjëherë pas sulmit me bombë në një ceremoni dasme në provincën juglindore të Gaziantepit, më datë 20 gusht, ku humbën jetën 55 persona, shumica e të cilëve ishin fëmijë. Në 12 muajt e fundit, numri i të vrarëve nga aktet terroriste të DAESH-it në Turqi kishte arritur në 170. Tashmë kjo barbari duhej të merrte fund. Forcat turke të sigurisë luftonin prej një kohe të gjatë për asgjësimin e celulave të kësaj organizate brenda vendit, por tani ishte koha që të veprohej edhe për tharjen e kënetave.

Për t’u bërë ballë kërcënimeve të sotme nga fronte të ndryshme ndaj saj, Turqia i vlerëson ato si kanosje, të cilat duhen luftuar njëkohësisht dhe në mënyrë të ndërlidhur me njëra-tjetrën. Ka dy arsye përse Turqia e vlerëson çështjen kështu: Së pari, edhe pse arsyet dhe origjinat e këtyre kërcënimeve mund të duken si të ndryshme, ato janë bashkuar në një objektivë të vetme. Së dyti, pavarësisht se nuk veprojnë njëkohësisht dhe nuk kanë lidhje organike me njëra-tjetrën, kërcënimet në fjalë paraqesin cilësi për të ofruar një pamje sikur e kanë një aftësi të tillë.

Shkurtimisht, Turqia është bërë objektivë e përbashkët e armiqve të ndryshëm të së njëjtës lige. Prandaj, krahas operacioneve kundër FETO-s, tashmë u hodh edhe hapi i domosdoshëm në Siri.

Mirëpo, siç do të kuptojmë edhe nga sqarimet e mësipërme, qëllimi i vetëm i operacionit ushtarak në Siri nuk është thjesht spastrimi i elementëve terroristë të DAESH-it nga Jarabulusi dhe rrethinat e tij. Turqia është angazhuar njëkohësisht edhe kundër pranisë së PYD/YPG-së, e cila ekzistencën e DAESH-it në Siri e ka kthyer në një përfitim strategjik. Kjo organizatë, që i ka zgjeruar vazhdimisht territoret e kontrolluara prej saj falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe hera-herës të Rusisë, ishte shndërruar prej kohësh në një kërcënim për sigurinë e Turqisë. Rrjedhimisht, frenimi i PYD-së përbën natyrshëm një tjetër fazë me rëndësi në luftën antiterrorizëm të Turqisë.

Shfaqja e befasishme e DAESH-it në vitin 2014, si aktori më i lakuar dhe më i përfolur në Irak e Siri, bëri që SHBA-ja të ndërtojë marrëdhënie shumë të ngushta me PYD-në, një nga organizatat kurde në Siri, si dhe me krahun e armatosur të saj, YPG. Nga këndvështrimi i Turqisë, kjo situatë krijoi që në fillimin e saj një problem; sepse, për Turqinë, PYD/YPG-ja nuk është asgjë tjetër veçse PKK-ja në Siri. Thënë ndryshe, ajo është fraksioni dhe zgjatimi sirian i organizatës terroriste e separatiste PKK, e cila kryen akte të dhunshme kundër Turqisë që prej viteve 1970. Zgjerimi i vazhdueshëm i hapësirës së kontrolluar nga PYD-ja, gjatë 18-20 muajve të fundit, është perceptuar nga Turqia si një kërcënim për sigurinë e saj.

Operacionet ajrore, që Rusia nisi më shtator të 2015-s kundër opozitarëve të regjimit të Esadit, formuan një terren mjaft të përshtatshëm për PYD-në, e cila u hodh në veprim për të marrë nën kontrollin e saj të gjithë hapësirën veriore të Sirisë, që formon kufirin me Turqinë. PYD-ja është inkurajuar pa masë edhe nga ajo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga PKK-ja, nuk e konsiderojnë atë një organizatë terroriste.

Por vazhdimi i përparimit të PYD-së në brigjet perëndimore të Lumit Eufrat, madje duke shpërfillur paralajmërimet e shumta dhe me tone mjaft serioze të Ankarasë zyrtare, nënkuptonte kapërcimin e vijës së kuqe të Turqisë. Bashkimi i hapësirave të kontrolluara nga PYD-ja në veri të Sirisë dhe zhdukja e kufirit të përbashkët të Turqisë me Lindjen e Mesme arabe përbën një situatë krejtësisht të papranueshme për Turqinë. Po aq e papranueshme nga aspekti i politikës turke për ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë është edhe nisma e fundit e PYD-së. Vetëm disa ditë më parë, organizata ndërmori një aksion të armatosur kundër forcave besnike të regjimit të Esadit në Al-Hasakeh, tentativë kjo që paraqet një tjetër evidencë të politikës ekspansioniste të PYD-së, qoftë në aspektin territorial, qoftë dhe në atë të influencës. Emërtimi “Mburoja e Eufratit” për këtë operacion ushtarak, që ushtria turke po realizon në territoret siriane, synon njëkohësisht t’u rikujtojë PYD-së dhe përkrahësve të saj vijën e kuqe të Turqisë.

Përpara se të bëjmë mbylljen e kësaj analize na duhet të qëndrojmë patjetër edhe mbi një pikë: Edhe pse vendosi një shënim, është shumë e rëndësishme që Rusia nuk i tha “jo” këtij operacioni. Sepse në rast të një kundërshtimi të Moskës, atëherë mjaft e vështirë do të ishte edhe që Uashingtoni të jepte mbështetjen e tij për këtë operacion ushtarak. Po ashtu, një rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi turko-amerikan në këtë operacion, pasi ai erdhi pas tensionimit të kohëve të fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve. Për më tepër, SHBA-ja i bëri thirrje PYD/YPG-së që të tërhiqet urgjentisht në lindje të Eufratit. Nga ana tjetër, meqenëse reagimi i regjimit të Esadit kundër operacionit ushtarak të Turqisë ishte tepër i zbehtë, një reagim i fuqishëm nuk erdhi as nga aleati i tij më i madh, Irani.

Cili do të ishte reagimi i Rusisë, Iranit dhe Esadit në rast se ky operacion do të ndërmerrej përpara 15 korrikut? Çfarë qëndrimi të mundshëm do të mbanin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me PYD-në? Duke u nisur nga këto pyetje dhe duke parë të sotmen, ia vlen të theksojmë se rruga e këtij procesi është hapur nga sprapsja e tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016. Në koniunkturën e tanishme, të gjithë e kanë kuptuar më qartë se një Turqi pa Recep Tayyip Erdoganin dhe një ekuacion pa Turqinë në këtë rajon është i pamundur.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme