Turqia e shqetësuar për të ardhmen e Bashkimit Evropian

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik, ka shprehur shqetësimin e tij për të ardhmen e bllokut 28 anëtarësh, pasi më herët zv/kancelari gjerman kishte deklaruar se nuk beson në anëtarësimin e Turqisë në BE në një të ardhme të afërt...

Turqia e shqetësuar për të ardhmen e Bashkimit Evropian

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik, ka shprehur shqetësimin e tij për të ardhmen e bllokut 28 anëtarësh, pasi më herët zv/kancelari gjerman kishte deklaruar se nuk beson në anëtarësimin e Turqisë në BE në një të ardhme të afërt.

Zv/kancelari Sigmar Gabriel, njëherësh ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës së Gjermanisë, deklaroi të dielën gjatë një konference për mediat se “nuk e sheh Turqinë të anëtarësuar në BE gjatë karrierës së tij politike”, për të shtuar se “Unioni nuk do të pranojë Turqinë edhe nëse Ankaraja përmbush që nesër të gjitha kriteret e nevojshme”.

Shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin, Omer Çelik, ka reaguar përmes llogarisë së tij në “Twitter” duke shkruar se “deklarata nuk është e bazuar në kritere objektive dhe nuk reflekton qëndrimin e BE-së përballë Turqisë”.

“Opinione të tilla e bëjnë Bashkimin Evropian të pambrojtur ndaj rreziqeve për të ardhmen e tij. S’ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me Turqinë përballë këtyre opinioneve. Por të drejta do të jenë shqetësimet për të ardhmen e vetëm Bashkimit Evropian. BE-ja duhet së pari të gjykojë veten me ndershmëri dhe në mënyrë objektive, pasi diskriminimi, ksenofobia dhe islamofobia janë diçka e shfrenuar. Nëse BE-ja vazhdon të dështojë në testet e demokracisë dhe pluralizmit, ajo do të shndërrohet në një Union, në të cilën ne s’do të duam të anëtarësohemi", tha Omer Çelik në “Twitter”.

Tensionet mes Ankarasë dhe Brukselit janë rritur pas puçit të dështuar më 15 korrik. Zyrtarët turq thonë se marrëveshjet ndërmjet dy palëve janë në një “rrugë qorre”. Sipas akordit të arritur për refugjatët mes Turqisë dhe BE-në në mars të këtij viti, Marrëveshja e Ripranimit dhe ajo për liberalizimin e vizave për qytetarët turq varen nga njëra-tjetra.



Lajme të ngjashme