Turqia bën paralajmërimin e fundit për YPG-në: Do ju godasim!

Terroristët anëtarë të YPG-së do të goditen në rast se nuk tërhiqen urgjentisht në lindje të Lumit Eufrat, deklaroi paraditen e të hënës ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu...

561400
Turqia bën paralajmërimin e fundit për YPG-në: Do ju godasim!

Ankaraja zyrtare paralajmëroi sot për herë të fundit YPG-në, krahu i armatosur i PYD-së, fraksioni sirian i organizatës terroriste dhe separatiste PKK.

Terroristët anëtarë të YPG-së do të goditen në rast se nuk tërhiqen urgjentisht në lindje të Lumit Eufrat, deklaroi paraditen e të hënës ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

Në konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm të Holandës, Bert Koenders, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Ankara, Mevlut Çavusoglu rikujtoi se operacioni ushtarak “Mburoja e Eufratit”, që nisi rreth orës 04.00 të datës 24 gusht, synon spastrimin e elementëve të organizatës terroriste DAESH nga Jarabulusi.

“Mjafton një forcë e vogël dhe DAESH-i largohet nga zonat e kontrolluara prej tij, arratiset prej tyre nga sytë këmbët. Nëse 5-6 shtete (të koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it) do të kishin bashkëpunuar në lidhje me këtë çështje, një organizatë terroriste e tillë s’do të kishte mbijetuar dot deri më sot në Irak dhe Siri”, tha shefi i diplomacisë turke.

Çavusoglu vuri në pah se zona e Manbijit, ku është përqendruar operacioni, banohet kryesisht nga arabët dhe, në realitet, forcat brenda këtij operacioni ushtarak të mbështetur nga Turqia janë njerëz të kësaj zone.

“Në këto zona duhet të vendosen dhe të jetojnë njerëzit, që janë detyruar apo shtyrë me forcë që të largohen prej atje. Por qëllimi i YPG-së nuk është ky. Në vendet ku shkon, YPG-ja detyron të gjithë që të emigrojnë, përfshirë këtu edhe kurdët që nuk mendojnë si vetë ajo, duke bërë një spastrim etnik. Ç’është e vërteta, kjo është arsyeja kryesore përse YPG-ja, PYD-ja dhe PKK-ja shqetësohen nga ky operacion. Përse duhet të shqetësohet një organizatë terroriste, që thotë se lufton kundër DAESH-it, nga operacioni antiDAESH i forcave të tjera? Meqenëse objektivë i përbashkët është DAESH-i, atëherë pse shqetësohet?” u shpreh ai.

Organizata terroriste YPG duhet të tërhiqet urgjentisht nga pjesa perëndimore e Eufratit, ashtu siç ka premtuar ajo vetë dhe administrata e Uashingtonit.

“Përndryshe do të vihet në shënjestër”, shtoi Çavusoglu.

Kryediplomati turk iu përgjigj edhe një pyetjeje në lidhje me deputetët gjermanë, të cilët duan të vizitojnë kontingjentin e ushtarëve të Gjermanisë në Bazën Ajore “Incirlik”, në provincën jugore të Adanasë.

“I lejojmë po qe se bëhen hapat e nevojshme, në rast të kundërt të mos e mos e marrin për ofendim”, nënvizoi ai.

Turqia nuk lejon hyrjen e deputetëve gjermanë në Bazën Ajore “Incirlik” që kur Bundestagu cilësoi si “gjenocid” ngjarjet e vitit 1915 mbi pretendimet e pabaza armene, në muajin qershor të këtij viti.



Lajme të ngjashme