Rëndohet bilanci i sulmit terrorist në juglindje të Turqisë, 11 dëshmorë

Të paktën 11 policë kanë rënë dëshmorë dhe 78 persona janë plagosur si pasojë e një sulmi terrorist të PKK-së me kamion-bombë në pikën e kontrollit policor të qytezës Cizre, në provincën juglindore të Sirnakut...

Rëndohet bilanci i sulmit terrorist në juglindje të Turqisë, 11 dëshmorë

Të paktën 11 policë kanë rënë dëshmorë dhe 78 persona janë plagosur si pasojë e një sulmi terrorist të PKK-së me kamion-bombë në pikën e kontrollit policor të qytezës Cizre, në provincën juglindore të Sirnakut.

Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga Prefektura Sirnak, terroristët e PKK-së organizuan mëngjesin e sotëm, rreth orës 06.00 (07.00 sipas orës lokale), një sulm me kamion të ngarkuar me lëndë plasëse në pikën e kontrollit policor, rreth 50 m nga Njësia e Forcave të Ndërhyrje së Shpejtë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Cizre, që ndodhet në Lagjen “Konak” mbi rrugën Cizre-Sirnak.

Ndërtesa e Njësisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është rrënuar pothuajse tërësisht si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, ndërkohë që në rrugën Sirnak-Cizre trafiku është bllokuar.

Xhamat e shumë banesave dhe bizneseve përreth vendngjarjes janë thyer për shkak të shpërthimit.

Forcat turke të rendit ndërmorën menjëherë një operacion të shkallës së gjerë për kapjen e terroristëve.

Sakaq, Kryeministri Binali Yildirim deklaroi në lidhje me sulmin në Cizre se asnjë organizatë terroriste nuk do të mund të marrë peng Turqinë.

Në konferencë të përbashkët shtypi pas takimit me homologun bullgar, Boyko Borisov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Stamboll, Binali Yildirim tha se Turqia u ka hapur luftë totale organizatave terroriste.

“Siç ka thënë edhe Mustafa Kemal Ataturku në Luftën Nacionalçlirimtare: ‘Ja vdekje, ja liri!’ Do t’u japim çdolloj përgjigjeje të merituar këtyre qelbësirave të poshtra, që kërcënojnë vëllazërinë, unitetin dhe solidaritetin e 79 milionëve”, theksoi ai.

Yildirim tërhoqi vëmendjen se organizata terroriste nuk heziton të kryejë aktet e saj të ndyra, tashmë të njohura nga të gjithë, as në këtë ditë që ka përfunduar dhe po hapet në shërbim të popullit një vepër madhore dhe e rëndësishme (Ura Yavuz Sultan Selim), që lakmohet nga e tërë bota.

“Do të punojmë pa u lodhur dhe pa u epur, në njërën anë që të jetësojmë projekte të reja për të ardhmen e popullit tonë, për mirëqenien e vendit tonë dhe për të realizuar objektivat e vitit 2023; ndërsa në anën tjetër për të shkatërruar këtë organizatë terroriste. Asnjë tentativë e poshtër dhe tradhtare nuk do të na frikësojë dot”, siguroi kreu i ekzekutivit turk.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Recep Akdag, në një prononcim të mëhershëm lidhur me sulmin terrorist të PKK-së mëngjesin e sotëm në pikën e kontrollit policor të Cizres, kishte njoftuar për mbi 70 të plagosur, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.



Lajme të ngjashme