Koment – Zhvillimi i tregjeve kreditore në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me zhvillimin e tregjeve kreditore në Turqi dhe ndikimin e tyre mbi ekonominë e vendit...

Koment – Zhvillimi i tregjeve kreditore në Turqi

Investimet dhe shpenzimet e konsumit renditen në mesin e faktorëve më të rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendeve në zhvillim dhe atyre të industrializuara. Sot, falë tregjeve të zhvilluara bankare dhe financiare të vendeve, gjenden kredi në fusha të ndryshme të ekonomisë; sipërmarrësit për të realizuar investimet e tyre, konsumatorët për të blerë mallrat dhe shërbimet që u nevojiten. Veçanërisht për efekt të krizës financiare botërore të vitit 2008, bankat qendrore të disa vendeve të industrializuara, ku ia vlen të theksohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Bashkimi Evropian, emetuan kartëmonedha duke bërë kështu që normat e interesit të ulen anembanë globit. Në këtë klimë begatie monetare, progres kanë shënuar edhe tregjet bankare të vendeve në zhvillim, ku rrjedhimisht është regjistruar rritje në investime dhe në shpenzimet e konsumit.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë, që njihen gjerësisht si G20. Popullsia rreth 80 milionëshe e Turqisë, në moshë të re dhe me një strukturë dinamike, bën që investimet dhe kërkesa e konsumit të jenë përherë të gjalla. Në Turqi, ku 15 vitet e fundit kanë dëshmuar shumë reforma ekonomike, normat e interesit kanë rënë deri në 5% në vitin 2013, nga rreth 50% që ishte niveli i tyre në fillim të viteve 2000. Falë sektorit të fuqishëm bankar të vendit, ristrukturuar kryekëput pas krizës së vitit 2001 në Turqi, ekonomia turke ka dalë suksesshëm me dëme minimale nga kriza financiare botërore e 2008-s. Pas vitit 2009, ekonomia turke rifitoi me shpejtësi ritmet e mëparshme duke kapur një nivel rritjeje dyshifror. Sektori i zhvilluar bankar i Turqisë rezulton një nga motorët më të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendit. Ndërsa një ndër evidencat më të mëdha të kësaj është rritja e përvitshme e kredive të tërhequra në Turqi. Pavarësisht luhatjeve ekonomike anembanë botës, në Turqi shënon rritje të përvitshme edhe shuma e kredisë për investime, edhe ajo e kredisë konsumatore.

Sipas informacioneve të publikuara nga Shoqata e Bankave të Turqisë (TBB) në buletinin e muajit qershor, shuma e kredive të tërhequra në vend gjatë periudhës janar-qershor 2016 është rritur me 14% në krahasim me të njëjtin hark kohor të një viti më parë, për një total prej 1 trilion e 876 miliardë lirash turke (TL). Nga kjo shumë e përgjithshme, 1 trilion e 794 miliardë TL janë përdorur nga investitorët dhe konsumatorët përmes bankave. Kurse nga pjesa e mbetur, 35 miliardë TL janë dhënë nga kompanitë e qirasë financiare (leasing), 22 miliardë TL nga firmat e faktoringut dhe 25 miliardë TL nga sipërmarrjet e tjera financuese. Në çdo vend të botës, një pjesë e kredive të tërhequra mbeten pa likuiduar për shkak të sipërmarrjeve të falimentuara dhe konsumatorëve të paaftë për të bërë pagesën e kësteve. Edhe pse ekonomitë e shumë vendeve në botë vazhdojnë të dobësohen, falë besnikërisë së konsumatorëve dhe të investitorëve turq ndaj detyrimeve të tyre, si dhe numrit të vogël të investimeve të rrezikshme të kryera prej tyre, kreditë e këqija në raport me totalin e portofolit të kredive kanë pësuar një rënie me 0,1 pikë përqindje në krahasim me një muaj më parë duke u realizuar në nivelin 3%.

Si përfundim, për të siguruar vazhdimësinë e rritjes ekonomike qoftë të vendeve të industrializuara, qoftë të atyre në zhvillim e sipër, duhet të rriten investimet dhe konsumi. Ndaj një sektor bankar i zhvilluar fiton më tepër rëndësi për të mundësuar financimin e investimeve dhe konsumit. Në ato shtete, ku sektori bankar është i zhvilluar, opsionet kreditore janë të shumta dhe normat e interesit të ulëta, investimet dhe konsumi shtohen, ekonomia rritet dhe qytetarëve u ofrohen mundësi të reja punësimi. Në 15 vitet e fundit, Turqia ka ngjitur me shpejtësi shkallët e zhvillimit për t’u bërë një ndër 20 ekonomitë më të fuqishme në botë. Gjatë kësaj periudhe, sektori bankar turk është rritur vrullshëm, opsionet e kreditimit janë shtuar dhe normat e interesit kanë rënë deri në 5%. Bazuar në raportin e Shoqatës së Bankave të Turqisë, shuma e kredive të tërhequra nga institucionet financiare dhe jofinanciare në vend është rritur me 14%. Kjo rritje është në ndër treguesit e fuqishëm të vazhdimësisë së rritjes ekonomike në Turqi. Vijimësia e rritjes së totalit të portofolit të kredive sjell rritje të kërkesës së qytetarëve; rrija e kërkesës mundëson investime të reja dhe vetë investimet e reja garantojnë vende të reja pune për qytetarët.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme